Rebelimi, sikterisja dhe rrëgjia e valltarëve të haremit

0

Dr. Ndriçim Mehmeti

Ata ishin ajka, të përkëdhelurit, të adhuruarit, të privilegjuarit e oborrit. I doni në harem dhe jashtë tij.  Sa herë që ndodheshin të mërzitur ata të kënaqnin me batutat e tyre. Vite të tëra ishin mësuar me të njëjtin regjim. I pëlqenin të luanin e këndonin, recitonin e flisnin, sidomos për veprat e të jashtmëve, por jo shumë për paraardhësit e tyre. Këto të fundit jo se nuk i dinin, por kishin merakun a do t’i pëlqente madhëria. Madhëria, gjysmë artist e gjysmë sportist, sa herë që duhej edhe adhurues i artit ikonografik, nuk para ja vërshëllente kategorisë që mendonin se ishin artistë. Madje i kishte lënë kinse, aty në një ndërtesë, përballë garnizonit më të besuar të tij, të përzgjedhurve më së pari nga Mehmet Pasha e që tani Xhafer Beu e ka në trashëgim. Ndërtesa ishte fort e bukur, me harqe të ndërtuar enkas për një sallë vallëzimi. E kishin ndërtuar sirianët, atypari kur pushtuan vendin e bekuar të shqiponjave kryelartë (siç i quan madhëria sa herë ja do halli, e kur nuk është i kënaqur i quan vendi i legenëve dhe korbave të zinj). Mehmet Pasah njëherë vaktit e pa dhe ishte i vendosur ta rrafshonte, por ndërroi  mendje dhe e la aty. Në krah i vendosi klubin e çajit, ku informatorët e tij më të mirë dëgjonin çdo pëshpëritje të artistëve.  Artistët duhet të ishin të lumtur. Jepnin shfaqje siç i donte i pari i vendit, shëtisnin në nahijet e katunde, bregore e dugaja, duke kënaqur miletin. Hanin e pinin diku qelepir e diku me pak para, flinin në ndonjë rast me njëri-tjetrin për të nxjerrë mallin e familjes. Me pak fjalë qejf o qerrata. Ndërsa ndërtesa ku bënin prova e thashetheme, vazhdonte të qëndronte hijerëndë, shumë e zymtë dhe brenda sa vente e gërricej. Minjtë, mace, akrepa dhe zhapinj kalonin për vizitë sipas stinëve, po njeriut nuk ja mbante as të fliste tek klubi i çajit e as me njëri-tjetrin.

Një ditë të bukur, krejt papritur, artistët e “privilegjuar” u rebeluan gjoja prej tamami.

U mbluadhën si fillim tek porta kryesore të pëshpëritin, më pas hynë në çardakun e haremit e filluan të ulërijnë: “njerëz, popull, ti administrator i pallatit, veziri jonë i kulturës, Padisha i ndritur, gjysmë artist, ejani e vështroni si jemi katandisur. Pa ujë, pa zjarr, me rroba zhele, me rroga që mezi mbajmë frymën gjallë. Hej dëgjoni se nuk bëjmë shaka.” Mileti i habitur shkoj e mbajti vesh, dëgjoi e u mallëngjye. Unë i pari mes tyre që shkruaj këto radhë. E isha gati të hidhesha në zjarr e të digjesha, se “të mbështesësh artistët-thashë me vete- më duket një detyrë shumë fisnike. Prita me padurim se çdo të dilte nga gjithë kjo potere. Në zë mu duk sikur u dëgjua brenda vetes. “Po sikur të zhgënjehesh edhe këtë radhë. Ç do të bësh o lumëmadh. Kujt do t’ja hedhësh fajn. Vetes që beson gjithçka me idealizëm.? Sovranit që duket se është në gjumë, apo artistëve që nuk i dalin do për zot vetes”. Por përgjigjen e kisha hazër. “Tutje ndërgjegje që më ysht më mendimet e qoftëlargut. Nuk janë të këtij soji si para 5, apo 10 vjetësh këta artistët e sotëm. Janë më të shkolluar, më të dlirë, e sipas mendjes sime të ndritur edhe më trima e guximtarë”. Rashë e fjeta në anën tjetër, e lashë ndërgjegjen të zihej me veten dhe në mëngjes e gjeta veten vrik e tek vendi i punës. Haberet i dëgjoja rrugës po mendoja se isha përgjumësh.

Ç’ishin këto habere që ma trazuan mëngjesin e bukur.

Dikur kaligrafiste e bukur dhe përkthyese e vjershave të ëmbla të orientit, e bukura dhe shtatselvia Karazade vezire e oborrit për artin dhe kulturën, u pat thënë artistëve se janë në gabim e jangllësh i kishin marrë vesh llafet. Ajo nuk do të zbriste në harem, por u siguroj se nga zyrat ngjitur me të madhin do të priste nga pesë a gjashtë me demek tu dëgjonte hallin e madh që u ka zënë. Në zyrën e Xhafer Beut në kat të dytë, me rrobat tërë baltë e gjethe u shfaq mytesarifi i famshëm i qytetit, djali simpatik Vilajet Krypëhajri. Ai dëgjoi me vëmendje për situatën dhe pa e prishur fare terezinë, mori korridorin e gjatë që të çonte tek madhëria, duke vënë buzën në gaz, për gjithë çfarë kishte parë. Rojet lajmëruan dhe madhëria që rrinte duke kruajtur kokën e tij të sapo ruajtur, pa e parë në sy i tha: “Më thuaj o i ngratë Vilajet efendi. Çfarë duan prej meje, ata fyrmurinjtë, ahengxhinj e llafollogët që vetëquhen artistë”. “Asgjë gjë të hajrit madhëria juaj- ju përgjigj mytesarifi-aty për aty. Kanë frikë të ngratët të rasen tek sarajet e mëdha që do të ndërtojmë përballë Xhafer Beut. Nesër kam një takim tek klubi i çajit, e them se do të binden si qengja e nuk do të rrokanisin më kaptinën”. Mytesarifi u largua me shpejtësi, e ndërkaq madhëria jo shumë i bindur nga fjalët që dëgjoi, shkroi një kartë për artistët me këtë përmbajtje: “Të dashur qytetarë anonimë, që nuk ju njoh e nuk ju kam pare ndonjëherë. Jam i detyruar t’ju them se nuk mund të merrem me ju çdo pesë vjet. Gjithmonë keni të njëjtin avaz, e bini fyellit në një vrimë. Njëherë doni pak para më shumë, njëherë më shumë respekt a dinjitet si i thonë fjalës, pastaj nuk keni ku të bëni shurrën e të laheni nga djersët se me demek lodheni shumë. Mblidhnin mendjen e na thoni njëherë e mirë çfarë doni. Ju thoni fjalën e përsëri unë nuk do të bëj gjë. Por të paktën mos më harxhoni kohën duke lujtur me rolin e të fortit. Keni hallin e ndërtesë, vendit që ju kanë lënë në harem, apo se keni ftohtë e nuk rrini do në dimër. Mos u bëni merak. Si fillim do t’ju degdis ca km larg. Më pas tek vendi që ju thoni se është i juaji, një rreth sarajesh të larta më shumë sesa ëndërronin faraonët e Egjiptit do të ndërtoj. Juve po mu tek, do t’ju jap një copëz bodrumi, që të rrini ngrohët e zëri tuaj të mos ndihet më. Bodrumi do t’ju duket pallat luksoz në mos ma dhëntë mendja t’ju fare në qiell të pastër. Prandaj bëni si të doni. Sa për fermanin që do nxjerr për sërën tuaj, nuk kam shumë nevojë për mend. Shtatselvia Karazade dhe qehajai i saj Hamdi Çullhaj aga, do ta qëndisin siç dinë vetë. Prandaj mos t’ju dëgjoj të bëni llam- llam-llam.” Si e mbaroi e thau kartën afër qiririt, e dyllosi dhe thirri rojen personale: “Ja nis këtë kartë tellallit e thuaj ta lexoj për tre ditë resht.” Të nesërmen Vilajet efendiu si asnjëherë më parë u ul e shijoji me më plakun e artistëve, kafen e mbrëmjes, e bindi që asgjësend nuk ka ndryshuar, veç sarajeve që do të zbukurojnë qytetin. Kushedi çfarë i ka premtuar, gjë tjetër por ai kryelarti uli kokën u mbështoll si të ishte i ftohti i madhe e me një zë të lodhur deklaroi: “Artistë, valltarë, ahengxhij e llomotitës. Do të jemi më mirë këtej e tuje. Vilajet efendiu ma siguroi. Prandaj shkoni në shtëpitë tuaja, hani atë copë buke që ju ka mbetur e mos kërkoni ndonjë gjë të madhe’.

Kështu që ndërgjegjja e kishte mirë e mendja më gënjeu. Artistët u rrëgjën e më nuk do të ketë ndonjë ditë të bardhë. Ndërsa unë mezi pres të takoj njërin syresh prej tyre me plot gojën t’u them: “Jua bënë paq e më keq ju pafsha, sa kohë filluat të ulërini si luan e tani nuk blegërini dot si dele por jeni katandisur si pula pas shiut të parë të vjeshtës”.

Lini nje pergjigje