Në kuadrin e një masakre të padënuar

0

Nga Reshat Kripa

Në këtë përvjetor të masakrës së pashembullt që rregjimi komunist ushtroi mbi inteligjencën shqiptare, me rastin e të ashtuquajturës bombë në ambasadën sovjetike në shkurt të vitit 1991, para syve më del ai vit i tmerrshëm, kur në Vlorën time do të vinin të sjella forcërisht, pesë familje të këtyre martirëve që kosa komuniste u preu fillin e jetës. Ato ishin  pesë gra fisnike që sillnin pas vetes një tufë fëmijë. Kujtoj Marie Temalin, Sevdie Shehun, Liri Herrin, Azbie Kodrën dhe Shuke Jegenin. Kujtoj ato njëmbëdhjetë vajza dhe katër djem që me nurin dhe sjelljen e tyre i dhanë dritë Vlorës, ku më e madhja nuk i kishte mbushur të pesëmbëdhjetat, më i vogli Luli kishte vetëm disa ditë që kishte lindur, ndërsa Hyseni ishte ende në barkun e s’ëmës. Kujtoj Idën, Gretën, Lilin dhe Zanën e Temalajve, Xhonin dhe Hysenin e Shehajve, Brunildën dhe Xhenerin e Herrajve, Teftën, Vjoletën, Rexhepin dhe Lulin e Kodrave, Jetën, Medihanë dhe Adhurimin e Jegenëve. Kush ishte ajo forcë që u dha mundësi këtyre heroinave për të mbijetuar në ato kushte ferri? Padashur më kujtohet thënia e filozofit të shquar gjerman Friedrich Nietzsche që shkruante: Ekziston vetëm fisnikëria e lindjes, fisnikëria e gjakut. Vetëm shpirti fisnikëron, por më parë duhet diçka që të fisnikërojë shpirtin. Çfarë duhet atëhere?  Gjaku….

Po, ishte gjaku dhe origjina fisnike që i mbajti aq lart këto gra, vajza dhe djem. Fisnikërinë e tyre nuk mundi ta thyente as terrori dhe as metodat e tjera djallëzore të përdorura nga rregjimi. Fola vetëm për këto pesë familje, pasi këto erdhën në qytetin tim dhe e kemi ndarë vuajtjen së bashku, por nuk mund të rri pa përmendur edhe shtatëmbëdhjetë familjet e tjera të shpërndara nëpër Shqipëri, fati i të cilave ishte i njëjtë me këtë të këtyre që përmenda më sipër . Kujtoj këto dhe para syve më dalin njëzetedy martirët e kësaj masakre të paramenduar që filloi më 19 shkurt dhe brenda një jave, deri më 26 shkurt, gjithçka ishte kryer, duke filluar nga arrestimet masive dhe deri në ekzekutimin makabër. Një veprim i theksuar servilizmi të paparë i një kllouni politik ndaj “mikut më të madh të popullit shqiptar, Bashkimit Sovjetik”, i njëjtë me atë të shprehur disa vite më parë kur braktiste Kosovën martire në favor të  “vëllezërve jugosllavë” të cilëve u shërbente si shërbëtori besnik i padronit.

Kush ishin këta martirë? Sabiha Kasimati, Pjerin Guraziu, Anton Delhysa, Zyhdi Herri, Gafur Jegeni, Jonuz Kaceli, Manush Peshkëpia, Mehmet Shkupi, Niko Laze, Lluka Rashkoviç, Haki Kodra, Reiz Selfo, Myftar Jegeni, Thoma Katundi, Hekuran Troka, Qemal Kasaruho, Tefik Shehu, Gjon Temali, Fadil Dizdari, Petro Konomi, Pandeli Nova dhe Ali Qorralliu. Nder dhe respekt kujtimit te tyre te paharruar.  Ja si është shprehur krimineli Mehmet Shehu, kryeministër i asaj periudhe, lidhur me këtë ngjarje në mbledhjen e byrosë politike: Duke marrë parasysh se ky nuk është një aksion i thjeshtë, po një ngjarje politike e kalibrit të madh, bile më e madhe se një atentat që mund të bëhej kundër ndonjërit nga ne, është e nevojshme politikisht që të marrim masa represive të jashtëzakonshme pa marrë parasysh ligjet në fuqi. Një masë të tillë ne e kemi marrë edhe kur u vra Bardhok Biba dhe kemi pushkatuar edhe jashtë ligjeve në fuqi. Unë mendoj se kjo masë që do të marrim duhet të jetë në një shkallë të tillë, te elementi që përpunohet, elementi reaksionar i tipit Kasaruho etj, sonte ti arrestojmë. Të arrestojmë rreth 100 ose 150 veta nga këta të cilët nja 10 ose 15 prej tyre ti pushkatojmë duke zgjedhur sigurisht nga ata më kryesorët mbasi kanë dashur të organizojnë atentate të tjera. Kjo masë do të proçedohet edhe me një masë tjetër spastrimi nga Tirana, të familjeve reaksionare brenda një muaji.

Ndërsa të gjithë anëtarët e tjerë të byrosë politike i përgjigjen një zëri:  Të gjithë jemi dakort me këto masa.

Lidhur me sa më sipër CIA ka hedhur dritë mbi ngjarjen e 1951. Ajo thekson: Në Shqipëri besohet gjerësisht se bomba ishte një inskenim i autoriteteve shqiptare për të justifikuar fushatën e radhës së spastrimeve në parti. Ky version mbështetet dhe nga fakti që pas saj u arrestuan rreth 1000 shqiptarë (50 prej të cilëve u pushkatuan pa gjyq dhe familjet u internuan në kampe)

Kjo ishte Shqipëria socialiste e asaj periudhe. Po sot çfarë po bëhet për nderimin e këryre figurave  dhe integrimin e trashëgimtarëve të tyre? Çdo gjë është lënë në heshtje. Edhe një rezolutë e miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë në tetor 2006, në të cilën deputetet socialistë dolën nga salla, megjithëse kanë kaluar mbi njëmbëdhjetë vjet asnjë pikë e saj nuk është realizuar.

Është miratuar një ligj mbi dëmshpërblimin financiar të të dënuarve politikë nga regjimi komunist por ndonse kanë kaluar gati dhjetë vjet ende ka mbetur për në kalendat greke zbatimi i saj. Deri kur vallë?  Madje sipas një projekt-ligji që po përgatit qeveria Rama u hiqet e drejta e dëmshpërblimit trashëgimtarëve të rradhës së dytë, një qëndrim i theksuar armiqësor ndaj kësaj shtrese fisnike që e pagoi lirinë dhe demokracinë me gjakun e saj. Në  rezolutën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës Nr. 1481 (2006) “Nevoja për Ndëshkimin Ndërkombëtar të Krimeve të Regjimeve Totalitare Komuniste” theksohet: “Asamblea  beson  që  viktimat  e  atyre  krimeve  që  u realizuan nga regjimet komuniste totalitare e që janë akoma gjallë, apo familjet e tyre, meritojnë simpati, mirëkuptim dhe mirënjohje për vuajtjet e pësuara”

Ndërsa zoti Benesh, përfaqësues i grupit demokrat çek, në seancën e miratimit të rezolutës deklaroi: Nuk   ka   asnjë   vend   ku   komunizmi të  ketë  ardhur  në  pushtet  dhe  të  ketë  qenë demokratik. Nëse nazizmi u dënua vetëm pak muaj pas rënies, nuk u bë e njëjta gjë me komunizmin. Në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, dihej saktë kush ishte fitimtari dhe kush i munduri. Ndërsa në përfundim të Luftës së Ftohtë, gjërat ishin të paqarta. Unë nuk kam frikë as nga nazizmi, as nga komunizmi, por nga lakejtë e tyre që i kanë ndihmuar regjimet ish komuniste të qëndrojnë në këmbë.

Janë pikërisht këta lakej të komunizmit që sot janë në pushtet madje disa prej tyre në poste drejtuese në kuvend, qeveri apo drejtësi që i kanë ngritur zërat e tyre të ngjirur duke  duke hedhur baltë mbi martirët e vërtetë të këtij kombi, midis të cilëve edhe këta martirë. Nuk është e rastit që në vendin tonë, si në asnjë vend tjetër të ish-sistemit socilaist, që një qeveri që e quan veten demokratike të jetë në aleancë me parti që në programin e tyre kanë sisetmin komunist, që hymnizojnë diktatorin Enver Hoxha, që nxjerrin gazeta me propagandë të hapur komuniste apo që shfaqin në ekranet e disa televizioneve  filma shqiptar të periudhës së përmbysur që hymnizojnë atë periudhë. Nuk është e rastir që edhe televizioni shtetëror shqiptar, për të cilin paguan takse çdo shqiptar, ka filluar të shfaqë filma të këtij karakteri. Sipas një libri të një ish-profesorit tim të nderuar që kishte vizituar Gjermaninë, deri rreth viteve 80-të në shkollat gjermane nuk studiohej as Hitleri dhe as nazizmi. Një gjë e tillë bëhej me qëllim që populli gjerman ta harronte atë periudhë të errët të historisë së tij. Po tek ne çfarë po ndodh? Ka kohë që flitet për një rishikim të historisë së Shqipërisë, por deri tani asgjë konkrete nuk është bërë. Nëpër shkollat nxënësit tanë vazhdojnë të helmohen me propagandën neokomuniste. Në Varrezat e dëshmorëve vazhdon të mbizotërojë ylli i kuq i komunizmit, a thua se të rënët u flijuan për atë yll dhe jo për atdheun. Mua më duket sikur gjembat e atij ylli ende vazhdojnë të ngulen në eshtrat e martirëve tanë që prehen në ato varreza. Deri kur do të vazhdohet në këtë mënyrë?

Lini nje pergjigje