Maskarada e një kryeministri përballë të varfërve të vendit të tij…

0

Pse duhet të rihapej sërish skema e përfitimit (me pikatore) të të varfërve nga fondet sociale të buxhetit të shtetit? Ja ç’mendon për këtë çështje ekonomisti Pano Soko. E di ku ndryshon një përfitues i ndihmës ekonomike nga një lypës në rrugë? – Një lypës sa herë zgjat dorën, aq herë shet pjesë të dinjitetit. Një përfitues nuk e bën.  E pra, Kryeministri iu ka folur këto ditë përfituesve sikur të ishin lypës, qafa e mëshirës së të cilëve ishte tashmë në dorë të tehut të ndërgjegjies së tij bamirëse. Nuk është turp të jesh i varfër, është turp të fyesh e nëpërkëmbësh të tjerët për shkak se janë të varfër. Të varfërit nuk kanë para, por e sigurtë që kanë dinjitet dhe skrupuj. Por mesa duket skrupujt janë si oksigjeni, sa më lart të ngjitesh aq më rrallë e gjen.

Përse duhej rihapur përsëri çështja e skemës së ndihmës dhe si ka mundësi që paska lindur nevoja për një ndërhyrje të këtyre përmasave si fshirja nga lista e rreth 20.000 përfituesve?! A është e vërtet që është gjetur një skemë masive mashtrimi, apo ka diçka tjetër pas?

Nëse vërtet këtu ka pasur një abuzim të tillë, ku 25% e përfituesve paskan qënë fiktivë, atëherë kjo çështje s’mund të mbyllet kaq lehtë, vetëm më një etyd kryeministror për dashurinë e njeriut për punën. Këtu duhet mbajtur përgjegjësi për të gjithë ata që kanë lejuar që 20 mijë përfitues fiktivë të vjedhin lekët e buxhetit të shtetit. Kush janë përgjegjësit dhe pse s’kanë shkuar ende pas hekurave? Rradha e punës e do që fillimisht abuzuesit dhe ata që kanë lejuar këtë masakër të shkonin pas hekurave dhe më pas, në mënyrë të natyrshme, do të vinte dhe ndërhyrja në skemë. Por këtu kemi një deklaratë mbushur me metafora që na njofton të gjithëve që këtu do hiqen 20 mijë familje nga skema, sepse s’e duan punën ata, dhe për këtë duhet t’i besojmë Kryeministrit, a thua Kryeministri i njeh personalisht këta 20 mijët dhe e di që ata s’e duan punën. Po kjo nuk ndodhi, ç’ka do të thotë që këtu nuk ka një korrektim të skemës për shkak të abuzimit – ose më saktë abuzimi nuk është në ato përmasa që po reklamohet-, por këtu ka një politikë shtrënguese për motive të mirëfillta financiare. Natyrshëm pyetja që lind te çdokush është: “Çfarë politike shtrënguese mund të ndërmarrësh në një sferë ku zëri buxhetor është i përmasave (mezi) 1% të totalit të shpenzimeve Buxhetit?”. Ose e thënë më thjeshtë – ça do kursesh në ato 40 milionë Euro që zë ndihma ekonomike në Buxhetin e një viti? Krunde në fund të thesit…

E vërtet është që ndihma ekonomike në vetvete është totalisht e papërfillshme, por ndërhyrja në të shërben si sinjalizues i një korrektimi edhe më të madh që do të ndodhë në të ardhmen jo shumë të largët, që ka të bëjë me gjithë arkitekturën e shtetit të mirëqënies sociale.

Dinamika dhe peizazhi i ri demografik që po formësohet lyp nevojën e një kirurgjie të thellë të sistemit të kontributeve shoqërore dhe shpenzimeve shtetërore për fondet speciale, kryesisht për skemën e pensioneve. Të dhënat e fundit të emigracionit dhe lindshmërisë që tregojnë që popullsia po tkurret nga viti në vit, duke humbur pjesë të masës së saj më vitale që do të ishin kontributorët kryesorë, janë një këmbanë alarmi të cilën qeveria, do-s’do, do ta dëgjojë. Defiçiti i skemës së fondeve speciale dhe kontributeve shoqërore në 2017 arriti në 78.12 miliardë lek. Ne vlerë të krahasuar defiçiti  është rritur me mbi 1/5 që nga viti 2012 dhe është më shumë se dyfishuar krahasuar me vitin 2008. Me progresionin aritmetik që po njeh thellimi i këtij defiçiti, projektohet që ai të dyfishojë vetveten çdo 5 vjet, ç’ka do të rezultonte fatale për buxhetin e shtetit.

Qeveria e gjendur përballë një realiteti të tillë do të duhet patjetër të ndërhyjë. Nuk ka alternativë tjetër përveç ndderhyrjes, sepse përmasat e eksodit të popullsisë dhe rrjedhjes nga skema e kontribuesve të gjithnjë e më shumë shqiptarëve, e kanë kthyer këtë ndërhyrje nga të domosdoshme në jetike. Dhe qeveria, e cila duket se e ka nisur operacionin e madh, për prezantim, e fillon fillimisht me një sferë me pak influencë në transfertat që shteti bën në drejtim të shtetasve të vet, siç është ndihma ekonomike. Më pas do të kalojë dhe tek ndihma shëndetësore, ato të individëve me nevoja të veçanta dhe në fund dhe në skemën e madhe të pensioneve, me qëllim përshtatjen e gjithë arkitekturës së fondeve speciale me realitetin e ri demografik që po merr formë.

Kjo përsa i përket pjesës financiare. Pyetja që do të shtrohej me të drejtë është – Po përse Kryeministri nuk tregohet i sinqertë me publikun dhe të thotë që “Po e bëjmë këtë ndërhyrje tek ndihma ekonomike në kuadrin e një operacioni më të gjerë që ka për qëllim përshtatjen e skemës së fondeve speciale me realitetin e ri demografik”, por sajon histori me dashuri për punën dhe urrejtje për dembelat?

Dhe kjo ka vetëm një përgjigje. Kryeministri e kupton që nëse e shtron çështjen pa doreza, do të duhet të japë shpjegime, si një ndër përgjegjësit kryesor të kësaj që po ndodh me shqiptarët. Do të duhej të pranonte që ai është një ndër përgjegjësit kryesor për vendet e punës që po mbyllen, për investimet e huaja që po pakësohen vit pas viti, për shëndetësinë dhe arsimin që po përkeqësohen e për një sërë arsyesh të tjeraa që po detyrojnë shqiptarët të ikin pa kthyer kokën mbrapa. Prandaj Kryeministri nuk zgjedh të jetë i hapur, por përmes akrobacive letrare dhe lojës me sentimentin popullor, gjen prognoza model bolshevik të tipit, s’po iu japim ndihmë se janë dembelë. Dhe kjo konfirmon atë që përmenda në fillim të këtij shkrimi, skrupujt te njerëzit janë si oksigjeni, sa më lart në hierarkinë social-politike të ngjitesh, aq më rrallë e gjen..

Lini nje pergjigje