Fuqia e teknologjisë VS Fuqisë së shtetit

0
215

Nga Brikena Bogdo

Historia që do tregoj më poshtë, është një histori tepër e rëndomtë, e përhershme, e shpeshtë shqiptare. Është një histori që ndodh çdo ditë. E dëgjuam përpara shumë pak ditësh, një rast që u ngrit në media, se si institucionet shtetërore shkelin çdo ditë ligjet të cilat vetë i hartojnë, se si shkelin të drejtën e individëve për të jetuar, të qetë, në pronën e tyre.  Në këtë histori, mpleksen gati të gjitha institucionet shtetërore, vendore e qëndrore, deri tek kryeministri, Edi Rama. Pushtet, korrupsion, paaftësi, interesa klienteliste, kjo është ajo me çfarë po përballen familja, të cilës i janë vendosur antenat e kompanive celulare, me rezatim të rrezikshëm për publikun, gjysëm metri larg dritareve të banesës së tyre. Janë hartuar nga shteti shqiptar, ligje të pafundme, se si të mbrohet publiku ndaj këtij rezatimi, se si t‘i kontrollojë shteti këto kompani, që të mos dëmtohen shtetasit shqiptar, por realisht,  asnjë institucion nuk zbaton ligjet, duke i lënë në mëshirën e fatit, ata të cilët përballen me këtë problem, dhe nuk janë të paktë. Anashkalohen totalisht institucionet vendore, të cilat dorëzohen përpara firmës së Edi Ramës.

Familja e prekur nga ky problem, një ditë zgjohet dhe shikon të mbirë, në dritaren e shtëpisë, vetëm gjysëm metri larg, antena gjigande, të gjigandëve të telefonive celulare. Nuk e them më kot „Gjigandë“, pasi janë kompani që nxjerrin fitime marramendësë nga aktiviteti i tyre. Sigurisht ndjeshmëria është tepër e lartë, kur bëhet fjalë për shuma gjigande, që të ofrojnë mundësinë e zarfave gjigandë ndën dorë.  Duke besuar tek shteti ligjor,  që  pretendon kryeministri, i drejtohen me rradhë të gjitha institucioneve përkatëse të cilat lidheshin direkt, me këtë problem. Ato përfshinin të gjithë hierarkinë shtetërore, ishin me shumicë, por rezultonin  krejt fiktive dhe thjesht me letra. Familja ju drejtua për më shumë se një vit të gjitha institucioneve qëndrore e vendore, Zyrës për Mbrojtjen nga Rezatimi, (ZMR), Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit (IMT), Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), Ministrisë së Mjedisit, Ministrisë së  Shëndetësie, Agjencisë së Zhvillimit të Territorit (AZHT), Prokurorisë etj, por u vazhdua me paligjshmërinë, duke iu dhënë leje, po në shkelje të ligjit. Dokumenti përfundimtar, leja për vendosjen e antenës, është një dosje pothuaj bosh me të dhëna krejt të rreme, të falsifikuara, por që mban firmën e Edi Ramës.

Familja besonte, se mund të gjente të drejtën, pasi rasti ishte tepër flagrant, dhe ishin vërtet të rrezikuar nga rezatimet jojonizuese. Ligjërisht, këto antenam sipas ligjeve shqiptare dhe ndërkombëtare, duhet të jenë në një distancë të konsiderueshme nga publiku, në mënyrë që të mbrohen nga ky rezatim.   Kompanitë celulare kanë marrë lejen në AZHT, (Agjencia e Zhvillimit të Territorit),  pa u pajisur më parë me akt miratimin nga Komisioni i Mbrojtjes nga Rezatimi, që përbën një shkelje të rëndë ligjore, duke vënë seriozisht në rrezik jetën e kësaj familjeje. Zyra për Mbrojtjen e Publikut nga Rezatimi rezulton nje institucion shtetëror, i varur nga Ministria e Shëndetësisë, por krejt fiktiv, pasi ata nuk kanë aparat që të masin sa është realisht rreziku i publikut, të ekspozuar ndaj rezeve të këtyre antenave, të vendosura në majën e pallatit të banimit.  Në epokën e internetit dhe të ekspansionit të fuqisë on-line, ku kompanitë celulare po rrisin drastikisht fuqitë e tyre nga 2G, në 3G e deri 4G, duke synuar sigurisht 5G, asnjë institucion shtetëror nuk i kontrollon dot, pasi nuk kanë asnjë mjet kontrolli, paçka se në letra e në ligje ata duhet t‘i monitorojnë, t‘i kontrollojnë e deri t‘i ndalojnë kur gjejnë shkelje. Në çdo rritje të fuqisë së tyre shtohet rreziku i publikut që është i ekspozuar ndaj rezeve të antenave. Për këtë arsye është e domosdoshme kontroll i rreptë i shtetit, dhe marrja e lejes nga fillimi, për çdo rritje të fuqisë, së kompanive celulare. Por shteti nuk ka aparat matje për rezatimin e antenave celulare, duke rezultuar krejt i pafuqishëm përballë fuqisë së tyre. Këto kompani celulare po veprojnë absolutisht të pamonitoruara nga institucionet shtetërore.

Duke qenë se problemi eshte shume i ndjeshem dhe publiku ka patur raste edhe ka reaguar, jane detyruar që shpesh te funksionojnë me paligjshmeri, dhe duke i fshehur antenat nga syri i publikut, duke ju vendosur bimësi përreth, që të mos duken. Shpesh i gjithë procesi i vëendosjes së antenave realizohet në fshehtësi të plotë, duke patur frikë nga komuniteti. Por edhe kur ka patur reagime shumë të forta, askush nuk ka mundur që të gjejë të drejtën. Në rastin kur banorët e pallateve tek Zogu i Zi, kërkuan, në të drejtën e tyre, krejt ligjore, heqjen e antenave të kompanive celulare, erdhën forcat policore të cilët shoqëruan dy inxhinierë të kompanive, në rajonin e policisë, pasi gjetën shkelje. Ata jo vetëm u liruan, shumë shpejt, por antenat u vendosën fshehurazi, duke u futur materialet lart, natën, brenda disa mobilieve. Në rastin e protestave të zonës së Laprakës, u arrit që të bllokohej antena për një muaj. Por me një urdhër nga lart, u zhbë i gjithë procesi i ndalimit të paligjshmërisë.

Për rastin e familjes, së cilës i janë vendosur  antenat e telefonive celulare, është marrë leja, me firmën e vetë Edi Ramës, në AZHT, duke anashkaluar të gjitha institucionet përkatëse të varësisë, por që duhet të japin lejet, paraprakisht. Për këtë, sigurisht që ka fakte konkrete dhe personat tashmë janë në një proces gjyqësor.   Në të gjitha dokumentacionet, kompanitë e fshijnë ekzistencën e këtij apartamenti, duke falsifikuar planimetrinë reale. Kjo përbën falsifikim dokumentash dhe mashtrim institucionesh. Është bërë kallzim penal në prokurorinë e rrethit gjyqësor Durrës, e cila e mbylli çështjen për mungesë provash.

Duke i pozicionuar antenat ngjitur me dritaret e familjes ata i kanë shkaktuar shkatërrim të pronës dhe dëm shëndetit të tyre, pasi ata janë brenda zonës kritike të rezatimit, sipas vetë vlerësimit të rezatimit, që ka bërë kompania. Duke fshehur të dhëna të rëndësishme, këto kompani vënë në rrezik serioz jetën edhet të banorëve përreth. Por, leja në AZHT, mban firmën e Edi Ramës.  Antenat e kompanive nuk kanë asnjë leje nga autoritetet vendore. Sekretariati i AZHT-së, bashkërendon procesin e shqyrtimit teknik me institucionet e tjera publike kompetente, përfshirë autoritetin vendor përkatës, dhe verifikon përputhshmërinë ligjore dhe me dokumentet e planifikimit. Asgje. Bosh dokumentacioni. Por gjithsesi ka firmën e  Edi Ramës. Në këtë zinxhir vazhdojnë të gjitha institucionet, që megjithëse u vunë në dijeni të këtij fakti, jo vetëm që nuk reaguan, por nxituan të fshihnin parregullsitë, vazhduan që të japin lejet e tyre, në mashtrim të ligjit.    Autoritetet vendore u shprehën, se tashmë e ka dhënë lejen Tirana, me firmën e Ramës dhe nuk kanë çfarë të bëjnë. Komisioni për Mbrojtjen nga Rezatimi, megjithëse drejtori i Zyrës për Mbrojtjen nga Rezatimi kishte deklaruar nëpër korrespondenca me familjen, se nuk do të jepte leje pa u zgjidhur ky problem, u jep lejen këtyre kompanive, megjithëse antenat ishin vetëm gjysëm metri larg dritareve të banimit.  Asnjë nga institucionet përgjegjëse, që japin lejet për vendosjen e këtyre antenave, nuk ia zgjidhi problemin familjes. Asnjë institucion shtetëror nuk ja ka zgjidhur problemin komunitetit të banorëve, kur  ata janë ndjerë të rrezikuar nga rezatimi i këtyre antenave, pasi ka më shumë vlerë firma e kryeministrit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here