613 kg kokainë në Durrës, reagon Presidenti Meta: Krimi dhe droga rrezikojnë sigurinë kombëtare

0

Bashkëpunimi i policisë me agjentët ligjzbatues ndërkombëtar, ku zbuluan sasinë më të madhe të kokainës të kapur ndonjëherë në vendin tonë, është përshëndetur edhe nga kreu i shtetit, Ilir Meta.

Duke theksuar rrezikun kryesor që i vjen sigurisë kombëtare të vendit nga fuqizimi i krimit të organizuar dhe trafikut të drogës, kreu i shtetit kërkon thellim të mëtejshëm dhe intensifikim të bashkëpunimit të agjencive ligjzbatuese me partnerët ndërkombëtarë.

“Presidenti i Republikës, Ilir Meta përshëndet aksionin e fundit të Policisë së Shtetit për kapjen e 613 kg kokainë në Portin e Durrësit. Presidenti Meta përshëndet rolin e Anti-Mafias italiane dhe paralajmërimet e saj konsistente për rrezikun që i vjen, jo vetëm Shqipërisë dhe Italisë, por edhe rajonit, nga fuqizimi i krimit të organizuar. Presidenti Meta thekson në mënyrë të përsëritur domosdoshmërinë për rritjen e kapaciteteve për forcimin e sigurisë së kufijve të vendit, veçanërisht të pikave të kalimit kufitar dhe inkurajon pastrimin e Policisë së Shtetit dhe gjithë agjencive ligjzbatuese nga elementët e inkriminuar, në funksion të përmbushjes me sukses të detyrimeve ligjore dhe kushtetuese”, thuhet në reagimin zyrtar të presidencës.

Lini nje pergjigje