Për tregun dhe sovranitetin estetik të artit dhe kulturës…

0

Gëzim Tushi

Megjithëse në korpusin e gjërë të zhvillimit të artit dhe kulturës në Shqipëri për arsye e shkaqe që dihen në mënyrë të natyrshme këto dekadat e fundit shumë gjëra kanë marrë dimension të ri estetik e social. Kjo për shkak të ndikimeve të gjëra të ndryshimeve estetike e konceptuale por dhe nga efektet e njohura universal të postmodernitetit. Mbi të gjitha për shkak të ndryshimeve materiale, konceptuale, politike, kulturore e sociale që kanë sjellë zhvillimet intensive sasiore dhe ndryshime thelbësore estetike e kulturore, me natyrë determinante. Por përsëri pak ose aspak i është kushtuar këtyre ndryshimeve vëmendja e duhur sociologjike e shoqëruar kjo edhe me mungesën e analizës objektive të shkaqeve dhe interpretimit të tipologjisë së fenomeneve të reja me natyrë kuturore e artistike. Të atyre që kanë ndodhur dhe atyre që do vazhdojnë të ndodhin në sferën e transformimeve të thella të kulturës dhe artit dhe sidomos të marrëdhënieve të reja të njeriut me to.

Në fakt optika sociologjike e shikimit dhe vlerësimit të transfromimeve postmoderne në art dhe kulturë, mënyra e ndryshuar e lidhjeve e marrëdhënieve të njeriut me to, sot është e ndryshme për shkak të ndryshimit të rrethanave dhe ndikimeve të fenomeneve komplekse sociale e estetike të postmodernitetit. Të mënyrave të perceptimit, transmetimit dhe komunikimit të “lëndës” artistike me shoqërinë në tërësi dhe njeriun e shkëputur dhe me shije individuale e parapëlqime të personalizuara kulturore. Kështu që kur diskutojmë për dukuritë e sotme në art dhe culture duhet treguar kujdes. Sepse pikëpamjet dhe vlerësimet janë tejet diverse e madje kontradiktore. Në këtë debat zakonisht simpatizantët liberalë të postmodernitetit janë të prirur të arsyetojnë, se ndryshimet që po ndodhin në kulturë dhe art janë analoge me ato që kanë ndodhur në çdo fushë të jetës së shoqërisë tonë. Sipas tyre në vështrimin e përgjithshëm të tipologjisë së dukurive artistike e kulturore, duhet pranuar se rezultatet janë tërësisht në përputhje me kohën dhe për pasojë duhen konsideruar krejtësisht pozitive.

Madje vlerësohen të tilla, sepse në thelb ndryshimet në përmbajtjen e kulturës dhe artit dhe mënyrat e reja të ndërtimit të marrëdhënieve të “njeriut demokratik” me to, janë jo vetëm të imponuara nga koha, por në thelbin e tyre të gjitha këto ndryshime duhen parë pozitivisht nga që kanë tërësisht karakter progresiv. Ndërkaq, konservatorët dhe kundërshtarët e vlerësimit të ndikimit global të postmodernitetit, janë të mendimit se situata në art dhe kulturë në shoqërinë tonë është përkeqësuar, se postmoderniteti duke i larguar  nga tradita kombëtare apo “tabani estetik” autentik ka sjellë dëme e deformime të mëdha estetike në zhvillimin e artit dhe tronditjen e cilësinë e kulturës aktuale shqiptare.

Besoj se duke parë zhvillimet tona, nuk është e lehtë të pozicionohesh dhe akoma më tepër sociologjikisht të arsyetosh në mënyrë të njëjanshme, duke rënë në grackat e optikave të njëanshme super liberale apo super konservatore. Megjithatë para se të arsyetojmë për zhvillimet në kulturë dhe art, duhet të mbajmë parasysh tezën e vjetër filozofike universale, sipas të cilës arti dhe kultura janë krijuar për t’u shërbyer njerëzve, dhe prandaj ato kanë qenë gjithnjë fryma që i ka prirë ndryshimeve të botës dhe shoqërisë njerëzore në rrugëtimin drejt së resë dhe progresit. Por duke parë realitetet e zhvillimit të artit dhe kulturës tonë në dekadat e fundit, është e vërtetë që progresi në to qoftë në përmbajtje, formë, mjete artistike dhe sidomos në përmirësimin e dukshëm të sistemit të komunikimit kulturor e artistik me publikun, është i madh dhe duhet vlerësuar pozitivisht.

Kultura dhe arti në shoqërinë e sotme shqiptare janë bërë realitete të pranishme e shumë të masivizuara, të vendosura në një sistem të ri estetik e të komunikimit artistik me publikun, duke sjellë forma dhe mjete më të shpejta e më të përshpejtuara të “komunikimit estetik” dhe “qarkullimit artistik”. Por nga ana tjetër, duke e vlerësuar pozitivisht këtë realitet të ri, nuk është normale të mbyllen sytë përballë një “realiteti paralel” që shfaqet dukshëm në dobësimin e vlerave të vërteta të artit të mirfilltë, zbehjes së kulturës cilësore në emër të lulëzimit të një lloj arti e “kulture massive” në dëm të vlerave creative e origjinale, që shpesh herë kanë natyrën e procesi social, estetik e kulturor i shoqëruar me surogato kulturore e skarcitet estetik të lartë.  Duam apo nuk duam, na pëlqen apo jo ky është realiteti i ri i zhvillimeve kontradiktore e paradoksale të botës së kulturës dhe artit në Shqipëri. Por ky nuk është thjesht një fenomen që shfaqet në shoqërinë shqiptare, por është një realitet universal dhe dukuri e përgjithshme e kohës postmoderne, që është evident dhe i pranishëm edhe në shoqëritë e tjera të lindjes dhe perëndimit, që shfaqet i lidhur me natyrën e zhvillimeve kulturore të shoqërisë postmoderne dhe kërkesat e sipërfaqshme dhe shpesh herë edhe të komercializuara të “njeriut demokratik”.

Bota  e vjetër e kulturës dhe artit elitar e klasik me sa duket ka ikur, atë nuk e kapim dot as ne konsumatorët masivë të artit dhe kulturës, por as artistët dhe krijuesit, që si në çdo kohë tjetër janë vetëm produkt i saj. Koha është imperativi më i madh, ndoshta i vetmi që ka fuqi që të shfuqizojë nganjëherë për keq dhe “dhunshëm” paradigmat, arketipet dhe modelet e vjetra estetike, dhe të sjellë e të fuqizojë një tipologji të re arti e kulture. Bashkë me të edhe një tip gjithashtu të ri krijuesi dhe artisti, që t’i përgjigjet nevojave të zhvillimit të kulturës dhe artit duke qënë në përputhje me “logjikën e kohës”.  Në këto kushte duhet parë ana tjetër e problemit. Sepse sociologjikisht është e sigurt, se pavarësisht ndryshimeve të thella që ka pësuar arti dhe kultura në kohën postmoderne, sidomos vendosja e raporteve të reja të njeriut me to, përgjithësisht  të diktuara nga kushtet e ekonomisë së tregut, është e pamundur të mendohet se shoqëria mund të jetojë pa zhvillimin e artit dhe kulturës. Përkundrazi megjithë veçoritë e postmodernitetit, kultura dhe arti do të jenë pjesë bashkëpunuese e bashkëshoqëruese e projektit të zhvillimeve problematike të jetës sociale në Shqipëri.

Në këto rrethana përballë këtij kaosi kontradiktash midis modelit klasik dhe ndryshimeve të zhvillimit të artit dhe kulturës, njerëzit tanë kanë nevojë të dinë më shumë, të orientohen më saktë në specifikat e zhvillimeve të realitetit të sotëm kulturor e artistik që zhvillohet në vendin dhe shoqërinë tonë. Padyshim ajo që po ndodh kohët e fundit me kulturën dhe artin, ndryshimin e lidhjes dhe marrëdhënieve të qytetarit me to, në thelb është tendencë dhe dëshmi elokuente e postmodernitetit që favorizon klimën, që ndihmon në prodhimin e veprave komerciale të cilat gradualisht po përshtaten me kohën, me kërkesat e përshpejtuara, konsumistike, seriale e të sipërfaqshme të natyrës së njeriut postmodern.  Sociologët e artit dhe kulturës kanë evidentuar ndikimin e madh që kanë mbi shijet e njerëzve format e sotme të komercializuara, të cilat kanë cënuar rëndë standartet cilësore e estetike të veprave kulturore e artistike. Sepse kjo kohë ka sjellë situatën kur e vetmja gjë që ka rëndësi për autoritetin e kulturës dhe artit është qarkullimi, shitja, fitimi, popullariteti i tyre. Kjo sepse mënyra komercialiste e zhvillimit të kulturës dhe artit ka bërë moto, jo krijimin e shijeve të vërteta estetike por vlerësimin populist të “shijes së ditës”, duke i shërbyer dhe vënë në shërbim të atraksionit të tregut masiv kulturor artistik.

Kjo do të thotë se në kohën e sotme ato kanë marrë drejtim dhe orientim të ri, ndryshe nga rruga dhe e kaluara e tyre historike. Kjo është arsyeja pse shpesh kultura dhe arti nuk kanë synim të prodhojnë vlera të qëndrueshme dhe vepra cilësore që mund të shërbejnë për të udhëhequr e drejtuar shijet estetike të njerëzve, por thjesht të ndjekin nga pas shijet konsumistike, dëshirat kalimtare të “ditës” të kristalizuara në natyrën e përbashkët të “publikut konsumator”.  Në fakt në të gjithë kohërat ka patur një lidhje në nivele të caktuara midis tregut dhe kulturës. Por sikurse kanë konstatuar sociologët e artit, kjo tendencë në kohën postmoderne është thelluar deri në nivele kritike që kanë çuar në cënimin e vlerave të vërteta cilësore kulturore, artistike e estetike. Sepse komercializimi i artit dhe kulturës, ecën jo sipas parimeve estetike por më së shumti sipas orientimit populist dhe konsumerist, duke cënuar në shumë raste në mënyrë flagrante kriteret estetike e cilësore. Sociologët mendojnë se të “qënët seksi” dhe “zhurma” janë bërë kritere të vlerësimit të artit dhe kulturës në kohën tone, nga që janë përfshirë totalisht nga valët e ndikimit brutal të demokratizimit dhe marketingut financiar. Në këtë synim janë vendosur shpesh edhe vlerësimet që bëhen për origjinalitetin e risinë e vlerave të veprave të artit apo e spektakleve kulturorë.

Sociologët dhe estetët e majtë, arsyetojnë se kjo tipologji e zhvillimit është reflektim i përshtatjes së kulturës dhe artit me epokën e demokratizimit, me nevojën e përshtatjes me shijen artistike dhe kulturën e “njeriut të zakonshëm demokratik”. Ndërsa të djathtët mendojnë ndryshe. Ata janë të shqetësuar për këto tendenca të marketizimit të kulturës dhe artit, të cilat kanë sjellë pasoja negative në fushën e zhvillimeve të artit dhe në fushën e kulturës.  Pa rënë në pozitat e determinizmit kulturor mekanicist, është e sigurt që në epokën postmoderne nuk mund të mohohet lidhja midis zhvillimit kulturës dhe artit dhe reflektimit të tyre adekuat në sferën e jetës shoqërore, duke mundësuar ekzistencën e cilësive kulturore e shoqërore të përbashkëta. Ajo që meriton të vlerësohet është bindja se postmoderniteti ka edhe rreziqet e veta me natyrë kulturore, por që ka mundësi që këto rreziqe të kontrollohen në një farë mase, duke bërë përpjekjet e duhura të nxjerrjes së vlerave të artit dhe cilësisë së kulturës në “periferi” të determinimeve kundërkulturore e antiartistike të ekonomisë së tregut. Deri tani këtë betejë, zhvillimi i artit dhe kulturës nuk e ka fituar.  Çfarë do ndodhë në të ardhmen, cila është perspektiva e zhvillimit të tyre ?…

/Standard.al/

Lini nje pergjigje