Lali dhe Përbindëshi, dy fytyrat e Veliajt

0

Nga Koloreto Cukali

Loading...

Më në fund, shpëtimi erdhi andej nga nuk e prisnim, nga Fevziu.

U desh vetëm 1 emision për të nxjerrë nga binarët e për të shpërfaqur fytyrën e vërtetë të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, z. Veliaj. Ai na doli përballë  me arrogancë, me mungesë argumentash, me kundërthënie me gjërat që thoshte po vetë brenda atij emisioni, dhe me bindjen e njeriut që nuk ka më kush t’i dalë përpara e mund të bëjë atë që do vetë, dmth atë që duan padronët e tij. Makiazhi mediatik për të cilin kujdeset një grup i madh njerëzish (që paguhen me paratë tona) u shpërla nga vetë aktori dhe showmeni i madh i Bashkisë. Më në fund, të gjithë, edhe ata që e thërrasin “Lali”  patën mundësi të shohin fytyrën e dytë të tij, atë që është pamja e tij e vërtetë, atë të Përbindëshit. Mbi 25 herë përdori në këtë emision Kryetari i Bashkisë fjalën “histeri” për të etiketuar të tjerët. Fjala “histeri” është një fjalë shumë e rëndë dhe me një ngarkesë të madhe negative. Ajo përshkruan një kondicion shëndetësor tejet të rëndë që dhe mjekët e përdorin me shumë kursim. Veliaj e përdori atë për këdo, deri edhe për një vajzë të ftuar në emision. Për një njeri të dalë nga shkollat e debatit të Shoqërisë së Hapur, ky ishte shembulli ironik i njeriut që jo vetëm nuk pranon debat por e mbyt atë, që jo vetëm nuk është i hapur por ka zhdukur çdo element lirie nga mediat duke e blerë atë. Në një vend normal, ky njeri do ishte masakruar nga opinioni publik e nga mediat. Por, arsyeja pse Veliaj sillet ashtu është se beson që ne jemi dele, dhe ne atë dhunë verbale meritojmë dhe preferojmë. Por, le të rrimë tek 2 fytyrat e Veliajt.

Përbindëshi që ha Lalin

Më në fund, Veliaj u rikthye publikisht tek vetvetja.

Ne pamë që Përbindëshi nuk e ka problem të shkelë premtimet e Lalit. Lali për të marrë votat na tha që Tirana nuk mund të ketë më ndërtime në qendër e duhet të zgjerohet në periferi, ndërsa Përbindëshi ka vendosur që miqtë e tij të ndërtojnë ekskluzivisht në qendër. Lali del me fëmijë duke luajtur tek lodrat ndërsa Përbindëshi lodrat te rruga e Elbasanit ua dha miqve të vet të bëjnë pallat; Lali del foto me romë të vegjël hopa, ndërsa Përbindëshi i përzë, i zhduk e u prish kasollet që miqtë të ndërtojnë kullat; Lali përqafon plakat në foto, ndërsa Përbindëshi njerëzve më të varfër të qytetit ua merr dhe atë qindlekëshin e gjakut duke ua bërë biletën 40L që miqtë e tij të kenë sa më shumë fitime; Lali qahet se nuk po e lënë të punojë, ndërsa Përbindëshi po jep gjithçka me konçension, pra që të paguajë miqtë që të bëjnë punënt që duhej të bënte Bashkia; Lali nuk mungon të inaugurojë edhe 100 metra korsi biçikletash (ku shumica janë korsi ekzistuese, thjesht ndërrojnë pllakat me beton) ndërsa Përbindëshi ka mbingarkuar trafikun përmes përqendrimit të ndërtimeve në qendër duke u futur kancerin në fyt çiklistëve; Lali qahet për shëndetin e aktorëve të Teatrit Kombëtar, ndërsa Përbindëshi do ta shembë Teatrin që t’ua japë padronëve të bëjnë kulla; Lali del në foto me artistë duke mbjellë shkurre, ndërsa Përbindëshi detyron të tërë aktorët e Teatrit të Bashkisë të dalin për poza propagande;  Lali ankohet që nuk ka lekë për Teatër, ndërsa Përbindëshi jep leje për zënie trotuaresh kudo, mjafton që të derdhin para në arkën e Bashkisë.

Lali ishte ai që donte të vinte në pushtet. Përbindëshi është ky që i ka të tëra në dorë. Kjo u pa qartë brenda një emisioni të vetëm.

Ne pamë që njeriu që vilën ia ka bërë me kursime e shoqja e dasmën ia bën po me kursime mamaja akuzon njeriun që ka punuar dhe ka blerë tokë e apartament me djersën e vet.

Ne pamë që biznesmenët e tij që po ndërtojnë kullat qenkan “të mirët” ndërsa biznesmenët që kanë blerë toka në periferi qenkan “të këqinjtë”.

Ne aty mësuam që z. Veliaj i zgjedh vetë njerëzit që deri dhe Fevziu i vë përpara në emision. Ne aty pamë që Kryetari i Bashkisë mund të shpifë si pa gjë të keq dhe nuk pranon të përballet me atë që akuzon. Ne aty mësuam që ekologjisti që do mbjellë 2 milion pemë akuzon se nuk ka tokë as për Teatër dhe se tokat e periferisë i ka marrë të tëra Bojaxhiu. Po ku do t’i mbjellë ato 2 milion pemët? Apo në tokën e Bojaxhiut?

Ne pamë se Kryetari i Bashkisë do t’u heqë mundësinë qytetarëve të lëshojnë apartamente për zyra që këtë monopol ta kenë miqtë e tij që po ngrenë kullat.

Ne pamë… ne pamë shumë gjëra brenda një emisioni të vetëm. Monstruoziteti i Kryetarit të Bashkisë nuk ka fund. Le të vijmë te fundi.

Fundi

Ky është fundi i Tiranës. Me 170 kullat që po ngrihen në qendër, Tirana që ne njohim po merr fund. Në vend të saj do ketë vetëm trafik, vetëm beton, vetëm kulla, vetëm makina, vetëm smog dhe një grup njerëzish që do bëhen edhe më të pasur. Ata vetë jetojnë në Rolling Hills, por kullat janë për ju.

Gjithçka po ndodh sepse z. Veliaj beson që ju jeni dele dhe votat tuaja i ka në xhep çfarëdo që të bëjë. Dalja e Përbindëshit live në TV ishte shenjë e kësaj arrogance e sigurie, përpos dhe një nevojë për t’i treguar Lochness-it të Bulevardit se ai e meriton të jetë 2-shi, se ai mund të jetë po aq arrogant e mostruoz sa vetë Lochness-i. Një mini-Lochness.

Ky, siç e thashë, është fundi i Tiranës. Edhe pa këto kulla, është një nga qytetet më të ndotura në Europë.

Ky, është gjithashtu dhe fundi i z. Veliaj. Ai vërtet është i ri, kjo do të thotë që nuk do e ketë luksin të vdesë si Berisha apo dhe si Rama, i pandëshkuar. Ai do jetë gjallë kur qoftë dhe pas 20 vitesh një ndërgjegje shoqërore do të ngrihet dhe gishtat e akuzës do ti ketë në sy. Mjafton të kujtojmë fundin e Crax-it, një socialist e ish-Kryeministër , një socialist  e ish-Kryeministër italian që vdiq në mërgim e i kërkuar për burg.

©Lapsi.al

Loading...

Lini nje pergjigje