“Krimi i bardhë” dhe “faqja e zezë” e politikës

0

Nga Feti ZENELI

Loading...

Ndërkohë që Shqipëria po përgatitet t’i tregojë botës demokratike të SHBA-ve dhe SHBE-ve “muskujt antikorrupsion” të Reformës në Drejtësi, “plasi gjylja e madhe” e “Transparency International”, lidhur me përkeqsimin e indeksit të perceptimit të korrupsionit gjatë vitit të kaluar, me plotë 8 pikë më shumë se në 2016-ën e “Rilindjes” dhe 4 pikë më shumë se në 2013-ën e PD-së. Kësisoj, aspirantja për të hapur negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Europian, e shumta deri në fund të 2018-ës, në vend që të ngjitej drejt vendeve më të pastëra europiane nga korrupsioni, me në krye Danimarkën dhe Finlandën, ka zbritur drejt Somalisë, Sudanit Jugor dhe Sirisë, që përfaqësojnë shoqëritë më të korruptuara të botës. Aktualisht Shqipëria përfshihet në listën e 20 vendeve më të korruptuara në botë dhe atë të 3-4 vendeve më të korruptura europiane. Nga ana tjetër, duke iu referuar Indeksit të Sundimit të Ligjit, që na ofronte para pak ditësh “World Justice Project”, një institut kërkimor ndërkombëtar, me qendër në Amerikë shohim, se vendi ynë përfshihet në zonën e verdhë, me zbatim të dobët të ligjeve dhe situatë problematike, në të njëjtën nivel me atë të disa vende të Afrikës dhe Amerikës së Jugut, ku keqqeverisja ecën krah për krah me korrupsionin. Kjo është arsyeja që Banka Botërore pohon, se shtimi i korrupsioni përbën një ndër pengesat kryesore të zhvillimit ekonomik dhe social të vendeve të përfshira prej tij. Në mënyrë të ngjashme, Fondi Monetar Ndërkombëtar mbështet teorinë, se shumë nga shkaqet e korrupsionit janë me natyrë ekonomike, sikundër janë me natyrë të tillë edhe pasojat e tij. Panorama konfiguruese e një vendi të shytur në korrupsion përbëhet nga qeverisja e dobët, që ka një ndikim të qartë frenues të aktivitetit ekonomik dhe mirëqënies, pak shtet ligjor, mungesë e theksuar e autoritet qëndror, shumë individualizëm anarkik, dhe akoma më shumë familje, fise e klane që e ushqejnë atë.

Korrupsioni është keqpërdorimi i fuqisë publike të individëve të veshur me pushtet për përfitime vetjake. Etimologjia e fjalës korrupsion e ka origjinën nga latinishtja “corrumpere”, që nënkupton sinonime të fjalëve “prish”, “shkatërroj”, “dëmtoj”, “falsifikoj”, “jap” dhe “marr ryshfete”. Sipas TI, korrupsioni konsiston në abuzimin e një pushteti, të fituar përmes delegimit, për qëllime private, por ndonjëherë e përkufizon këtë fenomen, edhe si “abuzim i pushtetit me qëllim pasurimin personal”. Ndërsa Asambleja parlamentare e Këshillit të Evropës e përcakton korrupsionin, si “përdorimin dhe abuzimin e pushtetit publik për qëllime private”. Pa u ndalur më tej në përkufizime dhe citime të tilla, mjafton të themi, se në çdo literaturë apo gjuhë, korrupsioni cilësohet; si shpërdorim i pushtetit publik për përfitime personale nga nëpunësit publikë, siç është mitmarrja, marrëveshjet e fshehta në prokurorimet publike ose përvetësimi i fondeve publike. Me një fjalë mund të themi se: çdo kush që i shërben vetes, në mënyrë jo morale dhe jo etike me fondet publike, është i korruptuar. Duke iu referuar realitetit shqiptar, mjafton të kujtojmë, se pushteti mes dy forcave më të mëdha politike në vend është ndryshuar pikërisht në momentin kur zyrtarë të lartë perëndimorë dhe institucione të ndryshme ndërkombëtare kanë dhënë alarmin: “Korrupsioni është shndërruar në kancer, që ka prekur rëndë të gjitha nivelet e qeverisjes, ndaj u duhet një qeverisje tjetër”. Në një situatë të tillë të rëndë u ndryshua pushteti midis Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste në 1997-ën, 2005-ën dhe 2013-ën. Fakte dhe ngjarje të tilla tregojnë se arsyeja e vërtetë e ndryshimit të pushtetit nuk ka qënë mirëqeverisja, por ndërrimi i roleve apo respektimi i radhës çdo 8 vjet, deri tani, midis dy partive të mëdha në vend, për të vjedhur e për t’u pasuruar. Ndërkohë akuzat publike ndaj njeri-tjetrit për këtë çështje, duke mbetur vetëm në terrenin verbal, janë thjeshtë një “shou”. Kësisoj, në saj të korrupsionit galopant, politikanët tanë arritën që brenda një kohe të shkurtër të bëhen njerëzit më të pasur në Shqipëri, duke ua kaluar në pasuri edhe biznesmenëve më të suksesshëm në vendet e zhvilluara të botës. Nuk kanë lënë gjë pa vjedhur e përvetësuar nga pronat, pasuritë dhe paratë publike të shqiptarëve. Sipas disa llogarive të përafërta, rreth 50 miliard euro është vlera e pasurive të trashëguara nga regjimi monist, që në forma të ndryshme kanë përfunduar në xhepat e politikanëve tanë të tranzicionit. Pastaj vijnë përfitimet e paligjshme nga koncesionet dhe transaksionet abuzive me pasuritë e shumta nëntokësore dhe mbitokësore. Aktualisht po tentohet që në këmbim të mbështetjes së pamerituar qeveritare, t’i dhurohet Greqisë rreth 100 miliardë euro naftë e gaz nga nëntoka e Detit Jon në Gjirin e Sarandës. Ndërkohë, gjatë 4-5 viteve të fundit u hap një front i ri përfitimi korruptiv, nëpërmjet kultivimit dhe tregtimit masiv të kanabisit nën kujdesin atëror të policisë së “Rilindjes”. Problemi këto qëndron në fatin se, duke filluar nga ’91-shi e deri më sot, disiplina financiare në administrimin e pasurisë publike u zëvëndësua me shthurjen administrative të nëpunësve publikë për të mbushur xhepin personal, aq sa “vend i mirë pune” konsiderohej vetëm ai që të jepte para korrupsioni, dhe jo ai që të jepte “nder e lavdi”, si dikur. Pra flitet për një korrupsion “në mes të ditës”, hapur fare, i rëndomtë, që turpëron meritën dhe shkel “me të dyja këmbët” moralin e të gjithë atyre që përpiqen të punojnë e jetojnë ndershmërisht në këtë “kopsht shkëmbor buzë Adriatikut”. Kur kujton që 95% e pasurive në Shqipëri janë përqendruar në duartë e 5 % të njerëzve, apo që, sipas një raporti të Credit Suisse, vetëm 0,5 % e shqiptarve zotërojnë mbi 1 milionë euro pasuri secili, bindesh për frytet e korrupsionit politik në Shqipëri. Situata ka ardhur duke iu përkeqësuar vit pas viti, për shkak të hipokrizisë politike në luftën antikorrupsion, ku politika, ndryshe thotë, e ndryshe vepron. Duke e vënë veten mbi ligjin dhe drejtësinë, politika shqiptare ka dëmtuar në mënyrë të pariparueshme lirinë dhe demokracinë tonë.

Bernard Baruch, përveçse një financier e biznesmen i njohur, ka qënë edhe një burrë shteti dhe konsulent politik shumë i zoti, ku veçohet periudha që punoi si këshilltar i presidentëve Uillson dhe Ruzvelt. Një pjesë e këshillave të tij referohen sot si thënie filozofike nga mendimtar e politikan të ndryshëm në të gjithë botën demokratike. Në fondin e kësaj urtësie të rrallë politike bën pjesë edhe thënia e tij: “Bekimi më i madh i demokracisë sonë është liria. Por në analizë të fundit, liria jonë e vetme është liria për të disiplinuar veten tonë”. Mbase në dhjetor të ’90-ës, kur ne mbushëm rrugët dhe sheshet e Shqipërisë për të ndryshuar sistemin politik; thirrjen “Liri-Demokraci!”, dikush prej grupit të intelekualëve nismëtar mund të ketë nxjerrë nga konkteksti i një thenieje të tillë. Megjithatë, kjo pak rëndësi ka. Ajo që konstatojmë me keqardhje, gati 28 vite më pas, është fakti se liria për të cilën flasin Baruhët e botës së zhvilluar demokratike, jo vetëm nuk arriti të bëhej “bekim” i demokracisë shqiptare, por, përkundrazi, u shfrytëzua si një leje abuzuese nga politikanët e të gjithë krahëve, për të mos iu nënshtruar “disiplinës” së saj perëndimore në kryerjen e detyrave të ndryshme publike në shtet e shoqëri. Si rezultat i këtij indisiplinimi demokratik të politikanëve tanë, në Shqipëri u instalua sistemi më i egër i korrupsionit, krahasuar me vendet e tjera ish-komuniste të Europës Lindore dhe Qendrore, që iu nënshtruan procesit të tranzicionit demokratik në fund të viteve ’80. Përgjatë shekullit të kaluar, korrupsioni është quajtur “krimi i bardhë”, pikërisht për shkak të vështirësisë që ekziston në evidentimin e tij dhe në marrjen e masave për ta ndëshkuar. Natyrisht korrupsioni në Shqipëri është i shtrirë gjithandej, por sistemit juridik dhe qeverisja perceptohet si dy ndër sektorët më të infektuar në këtë drejtim. Megjithatë qeverisja është e para, sepse tek ne, ajo vazhdon të jetë produkt i një lufte të pandershme për pushtet apo pjellë e një pushteti të blerë me para të pista, siç ndodhi rëndom në zgjedhjet më të fundit parlamentare të 2017-ës. Madje këto zgjedhje u zhvilluan në atmosferën e ndezur që krijoi miratimi i Reformës në Drejtësi, ku politika mazhoritare e shfrytëzoi këtë moment për t’ia faturuar pushtetit të tretë, pra gjyqsorit, gjithë përgjegjësinë e korrupsionit në Shqipëri. Po mbushet gati një vit, që po punohet për ngritjen e institucioneve përkatëse të implemetimit të kësaj reforme, apo të institucioneve të vettingut, dhe po kakariset aq shumë, sikur të mos jetë bërë “vezë”, por një “asteroid” nga “pula” e partisë në pushtet. Faktikisht, siç janë zhvilluar ngjarjet deri tani, nuk kemi të bëjmë me një reformë të mirëfilltë demokratike, po me një manovër të njohur politike për kapjen e drejtësisë dhe përdorimin e saj për interes të partisë në pushtet. Natyrisht vettingu në drejtësi është i domosdoshëm, pasi ka mjaft gjyqtarë dhe prokurorë që duhet të kalojnë në filtrin e rivlerësimit të pasurisë, aftësive profesionale dhe pastërtisë së figurës, por problemi këtu qëndron, se ky proces është ndërtuar në mënyrë të atillë, që qeveria dhe politika mazhoritare kanë dorë në të. Siç është vënë re disa herë, ndërmerren procedura të atilla tekniko-ligjore, të cilat u japin mundësi gjyqtarëve apo prokurorëve të korruptuar të shpëtojnë nga “shpata” e vettingut, me qëllim që të shpëtojnë pastaj politikanët e korruptuar. Qeveria dhe mazhoranca mund ta realizojë një gjë të tillë, qoftë nëpërmjet institucioneve që kanë në varësi si ILDKPI, Drejtoria e Pastrimit të Parave apo Drejtoria e Dokumentacionit të Klasifikuar, ashtu dhe nëpërmjet shumicës në komisionet Ah Hoc. Nëse politika do të kishte vërtetë interes që të bënte një “mea culpa” në këtë drejtim, ajo duhej ta fillonte vettingun nga vetja. Sepse sistemi i drejtësisë është katandisur në këtë derexhe, si pasojë e politikës, e  cila e ka tërhequr gjyqsorin pas interesave të saj. Ndaj korrupsioni në drejtësi ështe pasojë e korrupsionit në qeveri. Kështu që politika mbetet shkaku, ndaj ashtu si për të kuruar një sëmundje, nuk mund të fillojmë të luftojmë pasojat pa gjetur shkakun e saj. Ajo që vjen si eksperiencë pozitive në këtë drejtim nga vendet e tjera të rajonit tonë, tregon për emra peshqish të mëdhenjë të politikës që kanë rënë në rrjetën e vettingut, pas zgjedhjes së këtyre institucioneve në procedura të drejta ligjore e jo me hile proceduriale. Sepse Shqipëria nuk mund të vazhdojë të mbetet vendi i vetëm në rajon, i një “populli bashkëpunëtor”, siç e cilësonte Xhorxh Oruell, “një popull që zgjedh në krye të vendit njerëz të korruptuar, hajdutë, maskarenjë dhe tradhëtarë…”, ku qytetarët e tij nuk do dëgjojnë së shpejti, që “iks” president, kryeparalamentar, kryeministër, ministër apo çfardo lloj zyrtari tjetër i nivelit të lartë u prangos për shkelje të ligjit, për keqqeverisje, për favorizime, përfitime dhe abuzime me fondet publike, etj., siç ka ndodhur dhe po ndodh aktualisht në Rumani, Kroaci, Serbi, Mal i Zi, e kështu me radhë. Por në vendet e tjera të Ballkanit, ligji ka filluar të kthehet në makthin e politikanëve dhe zyrtarëve të korruptuar, sepse këto vende i kanë hapur rrugën edhe një lidershipi të ri në politikë, me moral dhe integritet të lartë profesional. Shqipërisë i duhet më shumë se kujtdo tjetër në rajon një lidership i ri, që të ketë kaluar vettingun para drejtësisë, pasi këtu, siç thoshte shkrimtari i njohur gjerman Lion Fojhtvanger: “Ka kohë kur edhe syri më i mpreht nuk e shquan dot ku mbaron politika e ku fillon ligji”.

Loading...

Lini nje pergjigje