BIRN godet ‘lali Erin’: Kryebashkiaku promovon Tiranën me kullat shumëkatëshe…

0
163

Edhe politikani më mediokër e di se për të fituar zgjedhjet është e nevojshme të bëhen premtime të mëdha, të cilat japin zgjidhje për problemet e mprehta me të cilat përballet shoqëria. Kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj nuk është politikan mediokër. Madje revista ‘The Economist’, në një artikull në mes të dhjetorit e përshkruante 37-vjeçarin që njihet gjithashtu si ‘Lali Eri’, si liderin e ‘ardhshëm të vendit’ – pasi sipas saj rivali i tij i vetëm Saimir Tahiri u përfshi në një skandal me narkotrafikantë.“Të gjithë mund t’i shohin rezultatet e punës së tij,” shkruan ‘The Economist.’

Ngjashëm me rezultatet e punës së z.Veliaj, që revista britanike i sheh me nota pozitive, një rezultat tjetër që nuk mund të fshihet është vlerësimi nëse angazhimet elektorale që kryebashkiaku ambicioz socialist mori gjatë fushatës për zgjedhjet vendore në vitin 2015 po jetëzohen. Një nga premtime ku Veliaj është ndalur në një intervistë për BIRN tre vjet më parë, lidhet me nevojën për të kufizuar ndërtimet në zonat me densitet të lartë si qendra e kryeqytetit apo zona të gjelbra si parku i Liqenit.

“Unë e kam thënë shpesh herë në dëgjesat e ndryshme me banorët e Tiranës, se në qytet nuk ka më hapësira për ndërtim. Ndarja e re administrative ofron një mundësi ideale që ndërtimet të shtrihen drejt zonave periurbane e rurale, ashtu siç ka ndodhur në shumë prej kryeqyteteve Europiane. Dhe pikërisht këtë do të bëjmë,” tha Veliaj në vitin 2015.

“Do t’i orientojmë ndërtimet drejt këtyre zonave, çka do të sjellë zhvillim për to dhe njëkohësisht, do të garantojë frymëmarrje për Tiranën aktuale. E thënë shkurt, nuk do të ketë ndërtime të reja në zonat me densitet të lartë,” shtoi ai.

Intervista e BIRN me Veliaj ishte pjesë e një përpjekje më të gjerë, për të mbledhur premtimet elektorale nga  kandidatët për kryebashkiakë që garonin në zgjedhjet vendore të qershorit 2015-të, në mënyrë që qytetarët të kishin mundësi t’i mbanin përgjegjës për ofertën e tyre elektorale nëse ato zgjidheshin.

Pyetjet për kandidatët u identifikuan nëpërmjet një procesi që përfshinte intervista me më shumë se 300 aktivistë, përfaqësues grupesh interesi, dhe drejtues organizatash jo-qeveritare në 61 bashkitë e reja që dolën nga reforma administrative, në periudhën shkurt-mars 2015, në mënyrë që të identifikonim sfidat, shqetësimet dhe problemet kryesore në secilën bashki. Një nga shqetësimet e shumta që u ngritën gjatë konsultimeve me grupe interesi, urbanistë dhe aktivistë të shoqërisë civile në Tiranë lidhej me betonizimin e qytetit.

“Një mendësi e re në shpërndarjen e lejeve të ndërtimit konsiderohet emergjente për Tiranën, e cila vuan nga betonizimi dhe reduktimi drastik i hapësirave të gjelbra. Zgjerimi i qytetit drejt  komunave përreth krijon mundësi për të shfryrë presionin për leje ndërtimi ndërtim përmes zhvillimit të hapësirave të reja urbane,” u sugjerua nga palët e konsultuara në vitin 2015-të.

Ky shqetësim dhe të tjera të mbledhura nga komuniteti i ekspertëve, u kondensuan në një seri prej 12 pyetjesh që iu paraqitën kandidatëve për kryetar bashkie. Zoti Veliaj ishte një nga 100 kandidatët që u intervistuan në të gjithë Shqipërinë, përfshirë dhe 5 sfidantët e tij për bashkinë e Tiranës.

Pas miratimit të planit të ri të përgjithshëm vendor të Tiranës ‘TR030’ një vit më parë, Këshilli Kombëtar i Territorit ka miratuar një numër projektesh për kulla shumëkatëshe në qendër të Tiranës- një zonë me densitet shumë të lartë ndërtimi. Këto projekte tashmë gëzojnë dhe mbështetjen e Veliaj.

Tre vjet pas intervistës me BIRN – përrmbajtja e së cilës nuk ndryshon shumë me intervista të ngjashme të dhëna nga Veliaj edhe në disa programe televizive, duket se pozicioni i kryebashkiakut për sa i përket ndërtimeve në qendër të Tiranës ka ndryshuar. Madje gjatë një debati më tone të larta me kolegë gazetarë në emisionin ‘Opinion’ të Blendi Fevziut në TV Klan të enjten, zgjidhja e ofruar nga kryebashkiaku për këto sipërfaqe është diametralisht e kundërt me premtimet me anë të të cilave ai u mandatua në vitin 2015-të.

“Këto sipërfaqe shkojnë në ajër, të cilën e kemi, tokë nuk kemi,” tha Veliaj për të treguar preferencën e tij për ndërtime shumëkatëshe në qendër të kryeqytetit. “Nëse secila prej atyre kullave – për këto nevoja hotelerie dhe zyrash që ka sot Tirana, do të shtriheshin përmbys, do na zinte një sipërfaqe jashtëzakonisht të çmuar,” shtoi ai.

Që toka është e çmuar në Tiranë nuk është një konstatim i ri. Politikat spekulative të zhvillimit gjatë dy dekadave të fundit e kanë bërë sektorin e ndërtimit një nga më fitimprurësit në vend, i aftë t’i kthejë kostot e një metri katror apartamenti nga 300 euro në një çmim shitje fundor disa herë më të lartë.

Ky spekulim, i cili nuk mundësohet nga oferta e tregut por korrupsion me politikat e zhvillimit dhe lejet e ndërtimit, po krijon në kryeqytet paradoksin e ‘mallkimit të burimeve.’

Sipas ekonomistëve një nga format e ‘mallkimit të burimeve’ ndodh kur një mall i shumë i kërkuar por i pamjaftueshëm – si toka për ndërtim në Tiranë, kontrollohet në mënyrë jo transparente duke i dhënë mundësi zyrtarëve dhe personave të lidhur politikisht të korrin fitime të mëdha.

Dieter Zinnbauer, një ekspert me organizatën Transparency International vlerëson se kjo formë spekulimi ose ‘qiraje’ e imponuar mbi qytetarët, jo vetëm që i shkakton një dëm të pallogaritshëm në të ardhurave të qytetit – të cilat shkojnë në xhepat e politikanëve dhe oligarkëve, por shkakton gjithashtu një zhvillimin urban të deformuar dhe të padrejtë që sjell pasoja për dekada në të ardhmen.

Zhvillimi i shpejtë i qyteteve si Tirana, i krijon mundësi zyrtarëve të përfitojnë shuma marramendëse nga rritja e të ardhurave që vjen si pasojë e ndërtimit dhe një pjesë e mirë e këtyre parave, për shkak të kontrolleve të pakta mbi transaksionet në pasuri të paluajtshme, parkohen ose investohen në ndërtimet urbane – si kullat shumëkatëshe që promovon bashkia e Tiranës. Ashtu siç shprehet dhe kryebashkiaku, kjo formë spekulimi e bën tokën vërtet të‘çmueshme’ – për politikanët dhe oligarkët që do të përfitojnë nga ndërtimi i kullave, por nga ana tjetër ajo kthehet në një mallkim për të rinjtë dhe rejat që do ta ndërtojnë jetën në kryeqytet për dekadat që vijnë. Midis interesit jetik të qytetarëve dhe atij të oligarkëve – tashmë duket qartazi se Veliaj e ka bërë zgjedhjen e tij.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here