FDI: Tirana nuk josh investitorë të huaj prej kostos së lartë

0

Kryeqyteti i Maqedonisë, Shkupi, renditet i pari në Europë, në listën e qyteteve të vogla europiane për sa i përket eficiencës së kostos, për të katërtin vit radhazi, sipas renditjes “Qytetet dhe rajonet europiane të së ardhmes, për tërheqjen e Investimeve të Huaja Direkte, 2017-2018”, të publikuar nga FDI Intelligence, njësia inteligjente e Financial Times.

Stip dhe Prilep, po të Maqedonisë, renditen në vend të parë dhe të dytë në listën e mikro qyteteve europiane, po për sa i përket eficiencës së kostos. Nuk mungojnë në listë edhe shumë qytete nga Serbia (Yuzhnoukrainsk, Vranje etj.) dhe Bosnjë-Hercegovina (Bijeljin, Prijedor etj.).

Ndërsa kryeqyteti serb, Beogradi, është në vend të tretë të qyteteve të mëdha europiane po për të njëjtin tregues dhe në vend të nëntë për ambientin miqësor ndaj bizneseve, duke ia kaluar Hamburgut të Gjermanisë.

Renditja “Qytetet dhe rajonet europiane të së ardhmes, për tërheqjen e Investimeve të Huaja Direkte, 2017-2018”, kërkon të gjejë qytetet dhe rajonet më premtuese për të bërë biznes në të gjithë Europën, jo vetëm për ata që i përkasin BE-së, theksohet në hyrje të raportit.

Renditja “Qytetet dhe rajonet europiane të së ardhmes, për tërheqjen e Investimeve të Huaja Direkte, 2017-2018”, kërkon të gjejë qytetet dhe rajonet më premtuese për të bërë biznes në të gjithë Europën, jo vetëm për ata që i përkasin BE-së.

Kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana dhe rajone të tjera të vendit mungojnë sërish, duke mos qenë në radarin e investitorëve të huaj si një vend tërheqës që ofron kosto të ulëta të të bërit biznes.
Treguesi i eficiencës së kostos, i matur nga FDI Intelligence, sipas metodologjisë së shpjeguar prej saj, merr parasysh elemente të tilla si paga mesatare e punonjësve të kualifikuar dhe të pakualifikuar, qiraja për zyra premium industriale sipas kategorisë A, paga minimale, kosto e hapjes së biznesit, kosto e regjistrimit të pasurisë, kosto e lejeve të ndërtimit, çmimet e naftës, çmimet e hoteleve me 4 dhe 5 yje, kosto e lidhjes së energjisë, tatimfitimi, TVSH, normën totale të taksave në % të fitimit dhe të ardhurat për frymë të vendit, të matura sipas fuqisë blerëse.

Ndërsa Shqipëria është konkurruese në pagë dhe në qira, ajo është tepër jokonkurruese në çmimet e naftës, që janë më të lartat në rajon dhe sidomos në normën e taksave në përqindje ndaj fitimit, që sipas raportit Doing Business të Bankës Botërore është rreth 37%, më i larti në rajon, së bashku me Serbinë. Gjithsesi, ky i fundit e amortizon përmes subvencioneve që u jep kompanive të huaja, si për vende pune të hapura, ashtu dhe mjediseve (ndërtesë, apo tokë). Shqipëria ka normën më të lartë të TVSH-së dhe tatimfitimit, (20% dhe 15% përkatësisht) së bashku me Serbinë, si dhe të kontributit të sigurimeve shoqërore të paguar nga punëdhënësi (shënim i Monitor).

Lini nje pergjigje