Telegrami për dënimin e Azem Hajdarit në vitin 1991

1
693

Ish- drejtori i Arkivit në ministrinë e Brendshme, Kastriot Dervishi zbulon një telegram të vitit 1991, kur sapo kishin nisur protestat në Shqipëri, në prag të rrëzimit të regjimit komunist.

Në të flitet për programet e partive të tjera të krijuar rishtazi, përveç Partisë së Punës, të zbulohen ideatorët për rrëzimin e bustit të Enver Hoxhës, ndalimi i progamreve të “Zërit të Amerikës”, si edhe dënimin e Lisien Bashkurtit, Napolon Roshit dhe Azem Hajdarit.

Në ngjarjet e vitit 1991, kanë ngelur jo fort e njohura revoltat e oficerëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të cilët ishin edhe më të indoktrinuar se ata të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore.

Ata të armës së Sigurimit, Enver Hoxha i quante “punëtorë të specializuar partie”, në vijën e parë të luftë me “armikun e klasës”.

Ata nuk përshtateshin fare me ndryshimet e reja në vend dhe as kuptonin çfarë po ndodhte. Rrallë ndodh në botë që p.sh. një shërbim sekret si Sigurimi të ishte kaq jashtë loje e në nivele të larta mediokriteti, konsekuencë logjike e ardhur nga përzgjedhja politike e këtij kontingjenti. Më poshtë po përcjell telegramin e Degës së Punëve të Brendshme Lushnje në mbrojtje të figurës së diktatorit. Mënyra ultimative e tekstit si dhe gjuha mediokre, janë vizatimi më i mirë për këtë kategori enveristësh që vetëm ushtarakë nuk mund të ishin. Në një prej pikave japin edhe porosi si duhen dhënë intervistat në “Zërin e Amerikës” (në vëmendje të z.Elez Biberaj). Ishin kaq të marrë sa edhe kur erdhi z.Biberaj për vizitë në Shqipëri pak javë më vonë, u trajtua “armik” si subjekt i Degës së Parë të Drejtorisë së Parë të Sigurimit të Shtetit. Nuk ndryshonin këta në asnjë mënyrë konceptet e mikut dhe armikut.

***

Telegram

Këshillit Presidencial të RPSSH

Ministrisë së Mbrojtjes Popullore

Ministrisë së Punëve të Brendshme

Gjithë degëve të punëve të brendshme

Kolektivi i Degës së Punëve të Brendshme Lushnje, me ndjenjë të lartë e detyrë të shenjtë mbrojtjen e atdheut dhe veprës të komandantit tonë legjendar Enver Hoxha, u mblodh sot për t’u betuar edhe njëherë se do të jetë besnik deri në vdekje i detyrave që i ka ngarkuar populli e atdheu.

Të indinjuar nga veprimet vandaliste të forcave destruktive, kërkojmë:

1-Programet e partive politike të krijuara në vendin tonë, të ballafaqohen me veprimet e deklarimet konkretet të tyre dhe për ato që bien në kundërshtim me programet e miratuara të nxirret jashtë ligjit.

2-Urgjentisht të zbulohen organizatorët e sulmit kundër monumentit të Enver Hoxhës dhe t’i bëhen të njohura sa më shpejt mbarë opinionit publik shqiptar dhe nëse kjo veprimtari është e përgatitur dhe e drejtuar nga jashtë.

3-Të ndalohet dhënia e emisioneve me anë të telefonit nga të gjitha partitë politike “Zërit të Amerikës”. Ndaj atyre që do të veprojnë në kundërshtim me këtë kërkesë, të ndalohen me forcë nga organet e pushtetit.

4-Të merren masa për marrjen në përgjegjësi penale për veprimtari në dëm të interesave të atdheut ndaj Lisien Bashkurtit, Napolon Roshit dhe Azem Hajdarit.

5-Duke qenë të bindur sa më lart, shprehim kërkesat e ligjshme të efektivit tonë, i lutemi radio-televizionit shqiptar dhe radio Kukësit, Gjirokastrës, Korçës e Shkodrës të komunikojnë pa asnjë koment këtë telegram.

Për të gjitha problemet kërkojmë përgjigje nga Këshilli Presidencial deri më datë 25.2.1991.

Nga kolektivi i DPB Lushnje

Lushnje, 23.2.1991

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

1 COMMENT

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here