Kur një rrethanë financiare pengon tatimpaguesin për të paguar në afat detyrimet tatimore, ai mund të lejohet të lidhë në çdo kohë marrëveshje pagesë me këste. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka unifikuar procedurën e pagesës së borxhit tatimor me këste. Tatimpaguesi, duhet të vërtetojë që është në kushtet e pamundësisë financiare për të paguar të plotë detyrimin tatimor, si dhe të tregoje që pavarësisht nga rrethana financiare, ai është në gjendje të përmbushë marrëveshjen.
Dokumentet që duhen
- Kërkesë me shkrim.
- Dokument pagese për 20% të vlerës së detyrimit ose garanci bankare (Dokumenti i pagesës paraqitet nga subjekti në rastin kur Tatimpaguesi e kërkon këtë shërbim menjëherë ose pas një elite që ka kryer pagesën e 20%).
- Karte identiteti
Hapat e procedurës
-Dorëzohet kërkesa me shkrim pranë DRT përkatëse.
-Punonjësi përgjegjës verifikon situatën e tatimpaguesit.
-Hartohet marrëveshja sipas kushteve përkatëse.
-Tatimpaguesi detyrohet të paguajë menjëherë të paktën njezet për qind të vlerës së detyrimit, për të cilin lidhet marrëveshja ose të vendosi garanci bankare.
-Afati i ofrimit të shërbimit; 10 ditë kalendarike.
Nëse kërkesa pranohet, nënshkruhet marrëveshja për pagesë me këste të detyrimeve tatimore të papaguara. Kjo marrëveshje nënshkruhet nga tatimpaguesi dhe nga drejtori i drejtorisë rajonale të tatimeve ose drejtuesi i njësisë së ngjashme me të, vetëm nëse tatimpaguesi paguan menjëherë 20% të vlerës së detyrimit, për të cilin lidhet marrëveshja e pagesës me këste. Administrata Tatimore ndërpret masat e mbledhjes me forcë, të mbledhjes së detyrimeve tatimore, por ajo nuk tërheq masën e vendosur për të siguruar pagesën e detyrimit tatimor.
Nënshkrimi i një marrëveshje për pagesën me këste të një detyrimi tatimor, nuk ndërpret llogaritjen e kamatëvonesave për mospagim në afat të detyrimit tatimor të mbetur papaguar. Tatimpaguesi, ndaj pasurisë së të cilit ka dalë një vendim për vendosjen e masave të sigurisë qoftë në formën e barrës së sigurisë apo barrës hipotekore, në rastet kur pretendohet se zbatimi i masave të sigurisë nuk është ekzekutuar në mënyrë të rregullt, ka të drejtë të paraqesë ankesë pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore.