Banka e Shqipërisë ndryshon rregullat për të marrë kredi

0

Banka e Shqipërisë do të ndryshojë rregullat për individët ose bizneset që u drejtohen institucioneve financiare për të marrë kredi. “Ndryshimet e pritshme rregullative do të sanksionojnë përdorimin vetëm të dokumentacionit zyrtar financiar të subjektit që kërkon hua, në analizën që bëjnë bankat gjatë procesit të miratimit të huas.

Loading...

Të pranishmit vlerësuan se përdorimi i dokumentacionit zyrtar financiar në procesin e analizës së huas i shërben formalizimit të ekonomisë, mbështet konkurrencën e drejtë dhe ul rrezikun në veprimtarinë e kreditimit të sektorit bankar”, – bënë të ditur dje përfaqësuesit e Bankës Qendrore gjatë mbledhjes së Grupit Këshillimor të Stabilitetit Financiar (GKSF). Ata vlerësuan se rënia e nivelit të kredive me probleme duhet të krijojë kushte më të favorshme për një angazhim më të madh të sektorit bankar drejt veprimtarisë së kreditimit, mbështetur në kujdesin e nevojshëm, përsa u takon treguesve të përqendrimit të kredisë dhe kërkesave të tjera mbikëqyrëse.

Përfaqësuesit e BSH-së informuan gjithashtu mbi paketën e masave për nxitjen e përdorimit të monedhës kombëtare në veprimtarinë e bankave, miratuar nga Këshilli Mbikëqyrës i BSH-së në mbledhjen e datës 7 shkurt 2018. Të pranishmit konfirmuan nevojën e këtyre masave dhe angazhimin e tyre për të vepruar në mënyrë të harmonizuar, në përputhje me përcaktimet në Memorandumin e Bashkëpunimit të datës 18 prill 2017.

Mbledhja
Mbledhja e Grupit Këshillimor të Stabilitetit Financiar (GKSF), ku ishin të pranishëm ministri i Financave dhe Ekonomisë (MFE), guvernatori i Bankës së Shqipërisë (BSH), kryetari i Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), drejtori i përgjithshëm ekzekutiv i AMF-së, drejtori i përgjithshëm i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave (ASD) dhe përfaqësues të tjerë të këtyre institucioneve u zhvillua dy të më parë dhe programi i mbledhjes përfshinte vlerësimet e autoriteteve financiare të pranishme mbi zhvillimet në institucionet dhe tregjet që mbikëqyrin.

Ecuria ekonomike
Në prezantimin mbi ecurinë financiare dhe vlerësimin e rreziqeve për sektorin bankar, deri në fund të vitit 2017, përfaqësuesit e Bankës së Shqipërisë theksuan se vijoi rritja e aktivitetit bankar edhe gjatë tremujorit të fundit të vitit të kaluar, ndonëse me ritme më të ulëta, ndikuar nga rritja më e ulët e depozitave. Kreditimi i ekonomisë mbeti i moderuar, ku kontributin pozitiv vijoi ta japë kreditimi në lekë. Kredia me probleme shënoi rënie të dukshme me gati 30.2 miliardë lekë gjatë vitit të kaluar. Si rezultat, në fund të vitit 2017, raporti i kredive me probleme zbriti në 13.2%, kundrejt 18.3% një vit më parë. Krahas fshirjes nga bilancet e bankave të kredive të humbura (write-off), në rënien e kredive me probleme kontributin kryesor e dhanë faktorët e tjerë, ku përfshihen ristrukturimet, shlyerjet etj.

Gjatë vitit të kaluar, sektori bankar përmirësoi ndjeshëm rezultatin financiar, ku ndikimin kryesor e dha rënia e ndjeshme e nivelit të rezervave (provigjioneve) për rrezikun e kreditit. Gjendja e likuiditetit të sektorit bankar mbetet mjaft e mirë. Gjatë vitit të kaluar, raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit u rrit me 0.2 pikë përqindje, duke shënuar 16.6% në fund të vitit. Këto zhvillime tregojnë se gjendja e sektorit bankar mbetet e qëndrueshme, me tregues të mirë të likuiditetit, të rezultatit financiar dhe të kapitalizimit.

Më tej, përfaqësuesit e BSH-së njohën të pranishmit mbi punën e përbashkët të MFE-së dhe të BSH-së në drejtim të ndërmarrjes së disa veprimeve përgatitore, të natyrës rregullative dhe operacionale, për të nxitur zhvillimin e transaksioneve të titujve të borxhit të qeverisë, pas emetimit të tyre, në atë që njihet zakonisht me emrin “treg sekondar”. Zhvillimi i këtij tregu mbetet një sfidë e rëndësishme për të gjithë operatorët që veprojnë në këtë treg dhe është një proces që do të kërkojë kohë. Ky proces do të zhvillohet në konsultim të rregullt me Bankën Botërore, Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Të pranishmit vlerësuan nevojën e këtij procesi dhe sugjeruan shkëmbimin e rregullt të informacionit rreth ecurisë së tij.

Loading...

Lini nje pergjigje