Standard.al

VIDEO/ Sot, 27 vjet nga rrëzimi i bustit të diktatorit Enver Hoxha

0

Shënohen sot 27 vjet nga rrëzimi i bustit të diktatorit Enver Hoxha, në sheshin qendror të kryeqytetit. Pothuaj një çerek shekulli më parë, mijëra qytetarë të Tiranës u mblodhën në shesh, duke kryer aktin e rrëzimit të bustit të diktatorit, që ishte parë si simboli i komunizmit. Rrëzimi i bustit ishte simbolika e rënies së një regjimi që po jetonte ditët e tij të fundit dhe që ishte paraprirë nga një seri zhvillimesh të ndryshimit të madh, i cili nisi me protestën e studentëve, grevën e tyre të urisë e pranimit të pluralizmit politik të Shqipërisë. Nga Qyteti Studenti, prej nga nisi dhe kërkesa për rënien e regjimit, pati fillesën edhe akti i rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha. Mijëra studentë dhe qytetarë, u nisen prej andej drejt sheshit ‘Skënderbej’. Pas përleshjes me policinë, u arrit rrëzimi i bustit, duke e futur 20 shkurtin në kalendarin e historisë, si ditën e ndarjes me diktaturën dhe fillimit të një epoke të re.

“Edhe muret kanë vesh”

Artistja e njohur e artit bashkëkohor Alketa Xhafa Mripa kërkon të provokojë mbi të shkuarën, përmes projektit “Edhe Muret kanë Veshë” i cili u prezantua dje nga vetë artistja. E lindur në Kosovë dhe jeton në Angli Alketa ka përqendruar energjitë e saj krijuese mbi kërkimin social, duke hulumtuar artin bashkëkohor me problemet e forta ndërkombëtare në Europë dhe Ballkan. Kjo vepër bazon kontekstin e saj në formë shumë dimensionale si një instalacion multidimensional i memories kolektive nga e kaluara e dhimbshme e disa individëve intelektualë të cilët humbën lirinë apo jetën e tyre nëpër burgjet e diktaturës komuniste. Artistja do të mbledhë histori në mbarë vendin duke përzgjedhur kontributet më të mprehta nga secili rajon ku kanë ndodhur këto drama çnjerëzore, për t’u projektuar në një monument ose pikë referimi në disa qytete të Shqipërisë si: Tiranë, Durrës, Shkodër, Vlorë, Gjirokastër, Korçë, Tepelenë, Berat, Elbasan, Burrel etj. Fraza poetike apo thënie që buronin nga tragjedia njerëzore e shtypjes së cdo forme te lirisë, do të shkëputen nga dorëshkrime, dokumentime apo arkiva personale të personazheve të internuar, që artistja do të hulumtojë nëpër territorin shqiptar. Më pas këto “tekste të ndaluara” do të projektohen në formate të mëdha, në të njëjtën datë (09 maj 2018), dhe në të njëjtën kohë nëpër lokacione specifike të qyteteve të sipërpërmendura. “Edhe Muret Kanë Veshë” është një vepër multidimensionale e para e këtij lloji në Shqipëri për nga përmbajtja sociale dhe dimensionet instalative. Ky projekt do tentojë të japë një shtysë edukimi brezave të rinj, si një impuls shprese dhe njohje mbi pasurinë njerëzore, duke e thyer heshtjen e së kaluarës ndërmjet energjisë së artit bashkëkohor dhe trashëgimlënëse së memories për të mos harruar dramën e individëve të prekur nga diktatura. Artistes i janë bashkuar themeluesja e Galerisë me seli në Londërs the Balkan Artists “Guild”’ Kristale Ivezaj Rama të cilët do ideojnë një fushatë sensibilizuese që përfshin një projekt instilator në mbarë vendin, një libër, dhe një dokumentar për mediat prestigjioze ndërkombëtare. Alketa Xhafa-Mripa është e njohur për veprën artistike dhe angazhimin e saj publik për të sjellë ndryshim social në shoqëri. Vepra e saj fundit ‘Thinking of You’ e realizuar në Kosovë, një instalacion që përfshin 5000 veshje në stadiumin e futbollit të kryeqytetit, ndihmoi Kosovën të fliste hapur për përdhunimet gjatë kohës së luftës, kurse vepra me titull ‘Mirëpresim Refugjatët”, një instalacion i vendosur në pjesën e prapme të një kamioni, lëvizte në Britaninë e Madhe, duke ftuar publikun për një çaj të ndante reflektimet e veta në lidhje me temën e mikpritjes në Angli. Të dy këto shembuj tregojnë qasjen e saj si një artiste aktiviste. Puna e saj angazhon hapësirën publike për të adresuar çështje social-politike për të inkurajuar pjesëmarrjen e komunitetit ta bëj artin një mjet për të sjellë ndryshim social. ‘Edhe Muret kanë Vesh” është projekti i saj aktual më i madh, që do të shpaloset këtë pranverë në mbarë Shqipërinë. Artistja Alketa Xhafa-Mripa do të udhëtojë përmes Shqipërisë (periudha 19 – 28 shkurt 2018), duke ftuar njerëzit të ndajnë kujtimet e tyre jetësore nën regjimin komunist. Citime nga të gjitha këto rrëfime do të projektohen në ndërtesa dhe monumente, duke e transformuar peizazhin Shqiptar në një instalacion me dritë, dhe do të shërbejë si nxitje për të filluar një dialog rreth kujtimeve të së kaluarës dramatike nga të cilat vendi ende nuk është çliruar. Gjatë hulumtimit të saj mbi të shkuarën artistja do të shoqërohet nga kuratori Klod Dedja.

Ekspozita “Komunizmi në epokën e tij”

Në 27-vjetorin e rrëzimit të shtatores së Enver Hoxhës, që shënon simbolikisht rënien e diktaturës në Shqipëri, vjen në Tiranë ekspozita “Komunizmi në epokën e tij”. Ngritja dhe rënia e komunizmit në shekullin e XX-të, vjen si nevojë për të kuptuar se historia që Shqipëria përjetoi për rreth 45 vite nuk ishte dhe aq e ndryshme nga ato që përjetuan vendet e tjera të bllokut komunist. Ekspozita u hap dje ora 18:00 në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, ajo është përgatitur nga Fondacioni Federal për Studimin e Diktaturës në Gjermaninë Lindore dhe prezantohet për herë të parë në Shqipëri në bashkëpunim me Institutin për Demokraci, Media & Kulturë (IDMC). Ngritja dhe rënia e komunizmit në shekullin e XX-të përcjell ideologjinë, që përmes kultit të individit dhe represionit të pashembullt u bë shkaktare e mbi 100 milionë viktimave, duke përfshirë edhe Shqipërinë. Prezantimi i kësaj ekspozite në muajin shkurt nuk është i rastësishëm, pasi ai mund të konsiderohet vërtetë si muaji i kujtesës kolektive shqiptare, sepse përmban mjaft data domethënëse historike. Më 19 shkurt 1951 në Ambasadën Sovjetike u inskenua “bomba” që justifikoi arrestimin dhe më vonë pushkatimin pa gjyq të 22 personave. Gjithashtu në shkurt 1967, diktatori Hoxha nisi të ashtuquajturën “luftë kundër paragjykimeve dhe zakoneve fetare” si rezultat i së cilës rreth 2200 vende kulti u prishën, u mbyllën apo u tjetërsuan. Me luftën ndaj besimeve fetare, regjimi i Hoxhës e cilësoi “të likuiduar funksionin e klerit”, përndoqi dhe burgosi pjesën më të madhe të tyre. Shqipëria u bë i vetmi vend ateist në botë. Po shkurti do të mbante edhe një datë tejet domethënëse, rrëzimin simbolik të regjimit. Ishte 20 shkurti i vitit 1991 kur studentët dhe qytetarët e Tiranës thyen frikën dhe rrëzuan shtatoren e Enver Hoxhës. Ky gjest popullor shembi përfundimisht heshtjen përballë përndjekjes shtetërore dhe nxiti përshpejtimin e ndryshimit të sistemit. Ekspozita “Komunizmi në epokën e tij” jep mundësinë për të njohur zhvillimin dhe përhapjen e komunizmit në botë, si dhe synon të nxisë reflektimin dhe përballjen e shoqërisë shqiptare me të kaluarën e saj.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.