Standard.al

Tragjedia në Shkodër/ Ja çfarë thotë infermierja për atë që pa menjëherë pas aksidentit

0

Dy vajzat e shtrira në tokë, nëna e larë në gjak dhe babai i fëmijëve i palosur dyfish në makinën e tij. këto janë imazhet që kanë tronditur infermieren e Velipojës Vjollca Pacaj. Ajo ishte e para që mbërriti në vendngjarje në aksidentin tragjik që i mori jetën tre antarëve të një familjeje, Edmondit dhe djalin 6 muajsh, vajzës 5 vjeçe ndërsa në luftë me jetën është edhe vajza tjetër 10 vjeçe. Edhe pse e vetme në momentet e para Vjollca Pacaj ka kërkuar ndihmën e banorëve, të cilët ishin mbi 50 në atë moment. Infermierja tregon se si janë transportuar vajzat dhe rrëfen momentin e dhimbshëm kur ka parë se babë e birë kishin humbur jetën në vendngjarje.

“Ka qenë ora 17:40 dhe më ka marrë në telefon një nip i shtëpisë time. Më ka thënë ku je, i thashë në shtëpi si njeri normal dhe pushim që isha. Nipi i shtëpisë më thotë eja se ka ndodhur një aksident, ku i thashë unë dhe më tregoi. Menjëherë kam marrë në telefon Elvis Ramën, shoferin e ambulancës sepse shoferi tjetër ishte me pushime. Megjithatë pas tij ka marrë edhe Rifatin duke llogaritur se është shofer i vjetër. Nipi më mori sërish teksa isha duke dalë dhe më tha eja se është një fëmijë i vogël. Me shapka siç kam qenë në shtëpi kam marrë një mjet bashkë me urgjencën që kemi ne dhe me drita ndezur kemi shkuar shumë shpejt.

Kur kam shkuar nuk kishin kaluar as 10 minuta pasi kishte ndodhur ngjarja. Sapo kemi ndalur makinën kemi parë nënën që bërtiste ku janë fëmijët. Kam hapur ambulancën dhe i kam bërë një adrenalinë se nuk dija çfarë t’i bëja tjetër në atë moment sepse ishte e larë në gjak. Kur kam kthyer kokën kam parë dy vajzat njëra pas tjetërs përmbys në tokë. Kishte shumë banorë të zonës. Mbi 50 kanë qenë aty. Kam bërtitur me të madhe, aman ejani dhe më ndihmoni të marr fëmijët. Ka ardhur një djalë i ri. E falenderoj shumë atë. Ai djali më ndihmoj të marr njërën nga vajzat dhe e pashë se ajo nuk ishte mirë dhe në atë moment i kam vendosur qaforen në qafë.

Aty kam gjetur Rifatin me ambulancë i cili ka shkuar për 5 minuta, më shpejt se unë dhe sikur ta kishte patur shtëpinë aty më shpejt s’kishte patur si të vinte. Dy vajzat i kemi vendosur në ambulancë në barrelë kurse djalin e vogël e kam marrë unë. Djali i vogël kur e kam marrë në dorë kishte ndërruar jetë. Edhe vajza 5 vjeçe që u nda nga jeta ishte shumë rëndë. Kemi shkuar me ambulancën tonë deri në fshatin Trush. Aty vajzën 5 vjeçe që mendonim se është më mirë e kemi vendosur në oksigjen dhe më pas kemi shkuar në spital.

Na ka pritur spitali dhe kanë bërë të pamundurën por dëmet e mëdha i morën jetën vajzës 5 vjeçe ndërsa dihet që shumë rëndë është vajza 10 vjeçare. Edmondi, babai i fëmijëve ka qenë i vdekur që në momentet e para kur i kam bërë adrenalinën bashkëshortes së tij. Kam shkuar tek makina ai ka qenë dyfish i bërë dhe i vdekur në vend. Nuk kishte absolutisht asnjë shenjë jete dhe shihej se kishte ndërruar jetë. Ambulanca ka shkuar aq shpejt në vendngjarje sa nuk di çfarë të them, më shpejt se kurrë ndoshta”.

Infermierja ka një apel për mbarë qeverinë dhe shtetin shqiptar duke kërkuar që në Velipojë të dërgohet një ambulancë sepse ajo që kanë është e amortizuar. Në Velipojë nuk ka as oksigjen për raste të tilla tragjike ndaj Vjollca Pacaj ka një lutje për të gjithë që Velipoja të ketë një ambulancë tjetër.

“Ne këtu në Velipojë e kemi ambulancën e lodhur. Nuk kemi oksigjen. I kërkojmë shtetit, ministrisë së shëndetësisë, kryeministrit të vendosin dorë vetëm për këtë ambulancë. Sinqerisht që gjithkush duhet ta vërë veten në pozicionin e dikujt tjetër që ka një hall. Një ambulancë ka e gjithë Velipoja. Unë bëj thirrje në emër të gjithë stafit, në emër të gjithë Velipojës ju lutem të gjithëve, ministrit të shëndetësisë, kryeministrit, aman një ambulancë të na e sillni sepse Velipoja është shumë e madhe. Ambulanca që kemi është tejet e amortizuar, pavarësisht se drejtorja e qendrës shëndetësore bën maksimumin duke e dërguar shpesh në servis vetëm që t’i qëndrojë banorëve gati. Ajo ka qenë një tragjedi që mos i ndodhtë askujt. Unë kam shkuar dhe kam qëndruar gjithë natën derisa viktimat janë dërguar nga morgu në banesë. Jemi munduar që ta menaxhojmë atë situatë, na ndihmuan banorët dhe familjarët e shkretë që llogarit në çfarë situate ishin”.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.