Barra e taksave bie mbi qytetarët, ja si e mbajmë buxhetin “gjallë”

0
169

Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, e njohur ndryshe si TVSH-ja që paguajmë për cdo mall apo shërbim që blejmë është taksa që mban në këmbë buxhetin e shtetit shqiptar. Qendra e studimeve, Altax evidenton në raportin “Performanca e buxhetit shqiptar 1996 – 2016” se në dy dekadat e fundit, qytetarët kanë paguar  si TVSH rreth 1.6 triliard lekë. “Kontributin më të madh nga taksat në dy dekada e mban TVSH me 1.6 triliard lekë, që në fakt është barra që ka mbajtur konsumatori shqiptar me blerjet e mallrave dhe shërbimeve. Nëse i shtojmë kësaj barre edhe taksën e akcizës që për dy dekada është me 486 miliardë lekë, atëherë taksat e konsumit për 20 vite i kanë kushtuar konsumatorëve 2.1 triliardë lekë”, theksohet në raport. TVSH ka një shkëputje dhe diferencë të madhe në peshën e saj (sipas grafikut më poshtë), prej vitit 1997, që përkon me zëvendësimin e taksës së qarkullimit nga kjo taksë.

Pesha e TVSH mesatarisht për dy dekada është në nivelin e 37% të të ardhurave tatimore gjithsej. Nëse përfshijmë në këtë peshë edhe taksën e akcizës, atëherë pesha e taksave të konsumit arrin në 49% të të ardhurave tatimore gjithsej. “Ky fakt në mbushjen e buxhetit në nivelin afër gjysmës së tij konfirmon faktin se politika fiskale ka funksionuar mbi parimin e mbushjes së buxhetit për nevoja afatshkurtra, pa menduar për diversifikimin e bazës së të ardhurave tatimore”, vlerësojnë ekspertët e Altax.

Taksimi i biznesit

Raporti i qendrës studimore, Altax vlerëson se tatimi mbi kapitalin, i përfaqësuar nga tatim fitimi dhe tatimi mbi të ardhurat personale mban vendin e tretë në peshën e taksave (përpara tij qëndrojnë TVSH dhe akciza). “Duke qenë një barrë fiskale, që është mbajtur kryesisht nga bizneset e mëdha (në masën 74%) dhe më pak nga bizneset e vogla dhe individët (në masën 16% si tatim i thjeshtuar mbi fitimin dhe tatim në burim mbi të ardhurat individuale), ai ka një ecuri që tregon për rezervat e mëdha të politikës fiskale në trajtimin e saj sipas modeleve të mira të politikë bërjes, por edhe mangësitë e administrimit të taksapaguesve”, theksohet në raport. Nga analizimi i të dhënave të dy dekadave të fundit rezulton se performanca e tatimit mbi fitimin ka një rritje të dukshme prej vitit 2014, kur niveli u rrit me 5 për qind gjatë mandatit të parë të qeverisë Rama. Nëse krahasojmë tre vitet e fundit (2011 – 2013) me shkallën tatimore me 10% me tre vitet pasuese (2014-2016) me shkallën tatimore 15% shikohet një rritje e të ardhurave prej tatim fitimit me 46% për tre vitet pasuese. “Ky fakt tregon se politikat progresive japin efekte në periudha afatshkurtra por ndikojnë pak në të ardhurat tatimore në rast se nuk ka një administratë të fortë që zbaton korrektësisht ligjin mbi tatimin e fitimit”, thekson raporti.

Tatimi i pagave

Raporti thekson se tatimi mbi të ardhurat personale, në masën 65% të tij përbëhet nga tatimi mbi pagën dhe shpërblimet. Ky zë i të tatimit mbi të ardhurat personale ka një rritje të dukshme krahasuar me zërat e tjerë të taksave nga viti 2008, që përkon me vendosjen e referencës së detyrueshme për nivelin e pagave në sektorin privat. Niveli i detyruar i taksimit mbi të ardhurat nga puna ka mbajtur një nivel rritje më të ngadalshëm prej vitit 2014, që përkon me futjen e shkallëve progresive në taksimin e pagës. Në taksimin e punës përfshihet taksa mbi pagën dhe të ardhurat të lidhura me punësimin dhe është një nga zërat që mban një peshë në të ardhurat tatimore 20 vjeçare në masën 5%. Ndërkohë, shpenzimet e

buxhetit për pagat e punonjësve buxhetorë për 20 vite arrijnë nivelin e shpenzimit, sa 22% e të ardhurave tatimore gjithsej.

Taksat e tjera

Taksat nacionale zënë një peshë sa 8% e të ardhurave tatimore. Prej vitit 2010 e në vijim, me ndryshimin e nivelit të rentës minerare, si dhe taksave në mbrojtje të mjedisit, pesha e taksave nacionale ka një rritje mesatare me të paktën 2% krahasuar me periudhat e mëparshme. Ndërsa taksat e pushtetit vendor (taksa dhe tarifa lokale si dhe tatimi mbi pasurinë) zënë një peshë në të ardhurat tatimore gjithsej në masën 4%. Peshën kryesore në taksat vendore e mban ende grupi i taksave lokale, ndërsa taksa e pasurisë nuk është më shumë se 1% e të ardhurave tatimore gjithsej. Në taksat vendore, zëri i tatimit mbi pasurinë është një taksë që mbart në vetvete rezerva të mjaftueshme për të rritur të ardhurat e buxheteve të bashkive. “Edhe në këtë grup taksash politika fiskale nuk ka gjetur dot harmonizimin me kapacitetet administrative, duke bërë që projektet për modernizimin e sistemit të taksave vendore të mos kenë arritjet e pritshme, ku taksa mbi pasurinë është ndër më kryesoret”, thekson raporti.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here