Deti që nuk falet

0
198

Nga Prof. Dr. Eqerem Yzeiri

Për këtë temë Kolonel Myslim Pashaj publikoi, në prill 2010, një libër, me të njëjtin titull, plot 286 faqe, në brendësi të të cilit ka plot referenca, skica, diagrama apo copëza hartografike dhe ku nuk mungonin edhe mjaft deklamime folklorike. E gjithë kjo ndërmarrje e mundimshme e autorit kishte vetëm një synim e qëllim: të hidhte poshtë “shkencërisht” gjithë punën e bërë nga specialistët për delimitimin e vijës bregdetare midis Shqipërisë dhe Greqisë, por mbi të gjitha për të kryqëzuar “tradhtarët” dhe “sharlatanët” për herezinë antikombëtare të 2009-ës. Ky botim dhe moria e artikujve apo diskutimeve televizive për këtë problem i përkasin “historisë”, janë rekorde të saj.

Tashmë, ka rifilluar diskutimi i këtij problemi midis dy ministrave të jashtëm Bushati-Kotzias dhe delegacioneve përkatëse, dhe ata kanë pohaur se bisedimet fillojnë nga niveli zero, ose, thënë ndryshe, është “zeruar” vendimi i Gjykatës Kushtetuese, të Prillit 2010. Sipas tyre, diplomacia e politika e të dy vendeve është në pikën zero, pra në pikën fillestare të negociatave për problemin e mësipërm.

Ndaj me të drejtë, tashmë, shtrohet pyetja dhe ngrihet shqetësimi qytetar: po tani a po “shitet”, apo po “falet”, për “herë të dytë” hapësira detare e vendit tonë?

Ështe e famshme thënia se historia përsëritet dy herë, veç me dallim se herën e parë ngjarjet prodhojnë dramë, ndërsa të dytën ato përsëriten si farsë me protagonistë komedianët. Kjo thënie më ngërtheu teksa rrufisja një kafe ndërkohë që në ekranin  e një “televizioni” lexoja titrat: Interpelancë e ministrit Bushati me një grup studentësh të ekselencës (praktikantë) realizuar në Platformën për Bashkëqeverisjen. Nëpërmjet saj, zoti Ministër shqiptar mëtonte (sigurisht në nivel mjeran) të sqaronte keqkuptimin e publikut shqiptar për deklaratën e ministrit grek për negociatat për problemin e detit, apo edhe të “akuzave” e “shpifjeve” të artikuluara në publik dhe media këto ditë. Nuk po u besoja syve për çfarë shihja dhe veshëve për ç’po dëgjoja, të paktën për tre arsye.

Pse ministri Bushati fshihej pas teleperformancës së sajuar në honet e institucionit dhe nuk merrte mundimin të shkonte e të debatonte hapur me specialistët në departamentet apo fakultet e specializuar të UT-së për këto probleme në prani të kamerave të TV-ve?

Përse i vuri në pozitë të vështirë studentët (praktikantët) përkatës (për të cilët kam respekt dhe mirëkuptoj pozitën e tyre të vështirë që janë gjendur në këtë rast) me këtë shfaqje të shëmtuar?

A e di eruditi Bushati kuptimin e termit interpelancë, term me të cilin ai shpërdoroi jo thjesht etimiologjinë e fjalës por konceptin politik për llogaridhënien, mosdije e rëndë për një ministër të jashtëm? (U konsultova me fjalorin e Gjuhës së sotme Shqipe, Tiranë 1980 f. 720 ku shkruhet: ”Interpelancë: kërkesë e posaçme që i bëhet qeverisë ose një ministri të saj në shtetet borgjeze nga ana e deputetëve të parlamentit për të dhënë shpjegime për një çështje. I bën qeverisë një interpelancë, iu përgjigj interpelancës).

Dikush mund të thotë: I dashur profesor, ç’lidhje kanë trajtesat tuaja të mësipërme me problemin konkret, atë të negociatave për delimitimin e vijës detare midis Shqipërisë dhe Greqisë. Por, po, ato kanë shumë lidhje. Ato pasqyrojnë gjendjen e rëndë, pozitën e vështirë, në të cilën gjendet ministri Bushati për të justifikuar mungesën e theksuar të transparencës, në aspektin diplomatik, politik, por sidomos atë teknik. Ato janë premisat, prologu real, i cilësisë së produktit të pritshëm. Por le të shprehem më konkretisht.

Bushati betohet e stërbetohet se “do të jetë marrëveshje e drejtë, e ndershme… e zbatueshme….” dhe “të dyja shtetet do të dalin nga procesi i bisedimeve me ndjesinë që kanë marrë atë që u takon”.  Edhe psikoanalisti më i mirë do t’i kishte nga pikëpamja profesionalezili këto deklamime të Zotit Bushati. Ato janë një stërmundim i madh i tij për të qetësuar pacientin popull, për të përgjumur ndjeshmërinë legjitime të shqiptarëve, të “shpifësve”, “akuzuesve”, “sharlatanëve”. Nuk e besoni? Ja ç’thotë më poshtë Zoti Bushati: “Çdo diskutim tjetër është thjesht dhe vetëm shpifje, do ta quaja ose mungesë e plotë informacioni”.

Më e pakta, zoti Bushati vuan nga deliri! Ai nuk mund të personifikojë e aq më pak të mëshirojë të drejtën. Ai nuk është simboli i diplomatit të ndershëm, përkundrazi sjellja e tij është skandaloze për një perfaqësues të popullit. Sepse deri tani ai vetëm është munduar t’i mbulojë  bisedimet jo me tis të hollë diplomatik, por me mjegullën e dendur të mungesës së transparencës, e cilashpejt do të davaritet dhe e vërteta do të dalë në dritë.

Kur kjo të ndodhë, do të jetë e panevojshme edhe paraqitja e hartës së pretenduar nga Kryeministri në seancën parlamentare të 8 shkurtit 2018, aq më tepër që në këtë fushë, sikundër në shumë fusha të tjera të dijes, ai ka mosnjohje brilante.

Me të drejtë dikush mund të pyesë, se si kam kurajën të etiketoj ata që kanë mendimin e tyre kritik, apo mosbesues ndaj meje, se paskan mungesë informacioni.

Për çfarë dhe kush e ka për detyrë dhe duhet të informojë qytetarët shqiptarë, ata apo unë? Pikërisht, këtu fle lepuri. Cilat janë premisat e diskutimit të qeveritarëve tanë me palën greke, qofshin këto diplomatikepolitike apo teknike? Zero informacion.

Po jap një skicë fare të thjeshtë për ujërat, e cila është në tekstet shkollore, apo manualet përkatëse, në mënyrë që edhe qeveritarët tanë të kuptojnë, gjithnjë nëse ju ka ngelur një pikë aftësie perceptuese, apo korektese, se për cilat nga këta breza ujorë po diskutojnë dhe për cilët po mashtrojnë, gjithnjë duke pasur për bazë marrëveshjen mbi të Drejtën e Detit, të vitit 1982 apo edhe deklaratën e zotit Kotzias se “ne”, pra pala greke, do të përfitojë 12 milje, që edhe kjo është shumë evazive sepse nuk specifikohet 12 milje në pozicionin perpendikular e që rezulton me qindra km2 hapësirë detare, apo 12 milje katrore?

Sic shihet në skicë bëhet fjalë për 5 breza (zona) ujore: ujërat e brendshëm (lagunat, gjiret estuarët e lumenjëve të mëdhenj), që ndodhen në vijën bazë, nga e cila nisin ujrat territorialë; ujërat territorialë që shtrihen duke filluar nga vija bazë (në këtë brez ujor sovraniteti i shtetit është i plotë); ujërat e zonës së vazhdueshme (zona ekskluzive ekonomike, ZEE), (në shumë raste, të drejtat e pohuara për platformën kontinentale  (shelfit) i takojnë vetëm shfrytëzimit të burimeve minerale, por në disa raste shtrihen edhe për pasurinë e peshkut, edhe pse është e pamundur të sugurosh një të drejtë eksluzive peshkimi në një shtrirje të detit tepër të hapur); dhe ujërat ndërkombëtare (të detit të hapur) ku liria e lundrimit dhe e fluturimit të avionëve është absolute dhe ku nuk mund të ushtrohet asnje sovranitet shtetëror (ujrat ndërkombëtare janë jashtë juridiksionit politik të një shteti).

Qeveria duhet t’i përgjigjeti konkretisht pyetjeve të mësipërme, duke patur në tavolinë këtë skicë, e cila është kodi bazë i platformës së fillimit të trajtesave apo negociatave. Për të lehtësuar përgjigjet, që ato të jenë konkrete dhe jashtë akrobacive diplomatike po drejtoj pyetjet e mëposhtme.

– Cilat janë ujërat tona të brendshme? A janë trajtuar si të tillë Gjiri i Sarandës, Gjiri i Himarës, apo gjiret e tjerë më të vegjël?

– A e di qeveria se ujërat  territoriale të detit (12 milje) nuk mund të shtrihen përtej vijës së mesme, ku çdo pikë e së cilës është e barabartë nga pika më e afërt nga vija bazë, kur bëhet fjalë për shtetet që janë përballë njëri-tjetrit?

– A e di qeveria se çdo shtet, për ujërat territoriale, gëzon statusin e sovranitetit të plotë mbi to?

– Cila është premisa qeveritare për vijën bazë, të asaj vije që ndan ujërat e brendshme nga ato territoriale?

– A e kemi ne vijën bazë të bregdetit tonë të përcaktuar me ligj? Nëse nuk e kemi, a duhet të realizohet ajo si akti i parë ligjor dhe që do të ishte premisa e parë për fillimin e negociatave dhe diskutimeve me palën greke. A është kjo alfa e problemit?

Qeveria duhet t’u përgjigjet këtyre pyetjeve konkretisht dhe me hartën përkatëse përpara—tashmë teknologjia dixhitale e mundëson këtë në mënyrë perfekte. Përgjigjet e pyetjeve janë premisa e parë, si të thuash aperitivi, për nisjen e diskutimit dhe negociatave me palën greke e që publiku i gjerë duhet të dijë paraprakisht.

Shihni si e ka të përcaktuar vijën bazë Britania e Madhe dhe Norvegjia apo skicat ilsutruese të Montego Bay-it, apo delimitimin e zonave të shelfit kontinental të Detit të Veriut, për shfrytëzimin e shtresave shumë të pasura të naftës e gazit që ndodhen aty.

Sa më sipër parashtrojnë problemet që  populli, qytetarët, apo “sharlatanët” e “shpifësit” të mos mundet të  manipulohen nga ato “të vërteta” të zotit ministër e që kryeministri, si nxënës i shkollës së të folmes noliane e koniciane, i etiketon shpesh si “dokrra hiri” e që përhapen në teleperfomanca të shpifura, apo në emisione televizive bajate ku drejtuesit janë shpesh në rolin e specialistit, dhe të ftuarit, fytyra të përhershme, janë në pozitat e analistëve gjithollogë.

Për të thelluar shqyrtimin e premisave nga janë nisur dhe që po shfrytëzon zoti Bushati me grupin e tij negociues, në mënyrë që të shmanget çdo manipulim i mendimit kritik, në mënyrë të natyrshme lindin disa  pyetje të tjera të cilat po i parashtroj më poshtë:

– A duhet të njihet publiku në mënyrë transparente për çdo fazë të diskutimit? (Sikundër konstatuam më sipër, informacioni deri tani mungon plotësisht.)

– Për këtë marrëveshje ka kohë që punohet, madje edhe me ekspertizë të huaj, deklaron zoti Bushati, por a e ka apo jo plotfuqinë ligjore, kushtetuese, në këtë fazë të diskutimit, grupi negociator? (Pra a është ai i dekretuar nga Presidenti?)

– A ka grupi i punës në tavolinën e negociatave rezultatet historike të diskutimeve për këtë problem, qofshin ato edhe negative (për të mos rënë në ato gabime), por edhe arritjet pozitive (të cilat mund të merren si avantazhe në diskutimin përkatës)?

– Meqenëse zoti Bushati deklaron se grupi i punës ka shfrytëzuar edhe ekspertizën e huaj të marrë nga qeveria Berisha, a ka mundet ai të bëjë publike emrin e kompanisë së huaj dhe sidomos konkluzionet e saj?

– A konsiderohet Greqia si vend arqipelag, apo kontinental, me ishujt e shumtë që zotëron?

– Cilat do të jenë koordinatat përkatëse që do të vendosen në tavolinën e diskutimit me palën greke?

– A do të bëhen publike hartat shoqëruese, kjo për faktin se Neni 16 i Konventës kërkon që shtetet bregdetarë duhet të bëjnë publikimin e tyre ose të listave të koordinatave gjeografike, të cilat duhet depozitohen në organizmat përkatëse ndërkombëtare?

Mund të bënim edhe shumëpyetje të tjera, por për sot po mjaftojmë me këto parashtresa. Do t’i kthehemi përsëri problemit për ta trajtuar atë edhe në këndvështrimin gjeopolitik—të faktorëve dhe aktorëve ndërkombëtarë të interesuar për këtë problem. Do ta shohim e trajtojmë problemin edhe nga projeksioni i zhvillimeve politike të ditës në Shqipëri e Greqi, të cilat janë jo pak komplekse. Gjithë këto negocita, veç problemve të mësipërme, nuk mund të përjashtojnë problemin e madh të pasurive të mëdha të shelfit kontinental (naftë, gaz, etj). Problematika është e gjerë.

Si konkluzion të këtij shkrimi të parë, mund të themi se deklarata e zotit Bushati—“jemi plotësisht të bindur që duke respektuar të drejtën ndërkombëtare, duke respektuar vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese, Shqipëria do të ketë një marrëveshje disa herë më të favorshme dhe më të drejtë se ajo e 2009. Por besojmë gjithashtu që edhe Greqia, përmes këtij procesi, do të lidhë një marrëveshje të re me Shqipërinë e cila do të jetë e zbatueshme edhe në praktikë”— është e pabazuar në të vërteta, është një vetëngazëllim. Në në rastin më të mirë ajp është hipokrite, në rastin më të keq është voluntariste.

Deklarata është me pasoja të rënda për  sovranitetin e vendit tonë dhe dramatike ekonomike fatale, po të kemi parasysh se” loja diplomatike” e tij bëhet mbi blloqet 1 dhe 2 te ZEE-vës të Shqipërisë në  Detin Jon, të pasura me naftë e gaz.

Shënim: Më poshtë po i bashkangjis shakrimit disa skica që rezultojnë nga marrëveshja e vitit 1982, e nënshkruar nga 119  pjesmarrësit në Montego Bay të Xhamajkës dhe më vonë edhe nga shumë shtete të tjerë. Po i lëmë ato në anglisht, sikundër janë në origjinal.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here