Administrata dhe rivaliteti për bukën e gojës

0

Nga Feti ZENELI

Loading...

Gjermano-amerikani, Henry Charles Bukowski është një poet dhe prozator i njohur, vepra letrare e të cilit u ndikua shumë nga ambienti socialkulturor dhe ekonomik i qytetit të Los Anxhelos, ku jetoi e punoi deri sa ndërroi jetë, në vitin 1994. Kjo është arsyeja, që në mijëra poezi, qindra tregime dhe disa romane të shkruara prej tij, dhe të përmbledhura në mbi 60 libra, trajtohen tema nga jeta e amerikanëve të varfër. Duke lexuar këto ditë diçka prej këtij shkrimtari të shquar të shekullit të kaluar, ndesha dhe në një thënie, e cila më tërhoqi vëmendjen, kryesisht për shkak të përjetimeve të forta që të pushtojnë teksa kujton fakte dhe ngjarje nga realiteti social-ekonomik i vendit tonë: “Ne të gjithë do të vdesim, të gjithë ne, çfarë cirku. Kjo duhet të na bënte të gjithëve, të donim njëri-tjetrin, por jo! Ne jemi të terrorizuar nga rivaliteti me nesh”.

Tani vijmë në realitetin shqiptar, për të parë se kush është raporti moral i njerëzve tanë teksa përballen me këtë rrjedhë të natyrshme të jetës njerëzore. Sa përcaktues është roli i faktorëve material në sjelljen e tyre morale përballë njeri-tjetrit, dhe ç’po ndodh me kalimin e kohës? Ç’po ndodh mes nesh, ndërkohë që edhe pas 28 vitesh tranzicion, gati gjysma e popullsisë së vendit jeton ende me 2 deri në 5 dollarë në ditë, si askush tjetër në rajonin e Ballkanit? Faktikisht, tregues të tillë, ku 30 për qind e familjeve shqiptare nuk sigurojnë dot as bukën e fëmijëve, apo ku 39 për qind e tyre nuk paguajnë dot faturën e dritave dhe ujit, janë jo vetëm pjesë e statistikave për vendet më të varfëra të botës, por edhe pasqyra e një realiteti të trishtë, me ngjarje dhe fenomene dramatike. Në një realitet të tillë çnjerëzor, shumica dërrmuese e shqiptarëve kanë dy mundësi mbijetese; emigracionin ose “tallonin”.

Natyrisht emigracionin e preferojnë të gjithë si zgjidhje, për t’i shpëtuar këtij ferri Dantesk për bukën e gojës në Shqipëri, por jo kujtdo mund t’u prijë një fat i tillë. Flasim për emigracionin e këtyre viteve të fundit, pasi ai i dekadës së parë të tranzicionit ishte deri-diku i përligjur. Pra, flasim për këta 300 mijë shqiptarë, që kanë ikur nga sytë këmbët në këto 6-7 vitet e fundit, duke filluar nga viti 2011 e deri më sot, dhe që kulmin e arritën, pas ndryshimit të qeverisjes së vendit në 2013-ën. Ndërsa atyre që, për arsye të ndryshme, s’ka mundur që t’u vijë në ndihmë si zgjidhje, karta e emigracionit dramatik apo ajo e “tallonit” demokratik, janë detyruar të përdorin kartën e anëtarësisë në parti. Kësisoj ajo copë e vogël kartoni u shndërrua në “paranë mall”, krahas “parasë letër”, për të blerë një vend pune në administratë. Kjo lloj tregëtie nisi sapo partia e parë në pushtet lëshoi kushtrimin: “Na votoni ne, se përndryshe, ata që do të vijnë, do t’ju presin korromanen!”, dhe opozita e parë u kundërpërgjigj: “Votonani ne, se sapo të marrim pushtetin, do t’i heqim ata nga puna dhe do t’ju vemë juve!”. Madje “…nga e thëna në të bërë…” nuk ishte më, jo “…një lumë i tërë”, por një përrua i tharë, veç dy-tre gishta i gjerë!… Po, po, dy-tre gishta “grushtbashkuar” shefi, rreth një stilolapsi që nënshkruanin “stuhinë” e shkuljes me rrënjë të administratës, që ishte në punë me Partinë “X”, për t’u zëvendësuar me administratën e Partisë “Y”. Kësisoj u instalua përcarja më e madhe e shqiptarëve, sidomos në pjesën më të shkolluar të tyre, duke i ndërsyer kundër njeri-tjetrit, ku një pjesë donin të ruanin “korromanen”, e pjesa tjetër bënte çmos t’ua rrëmbente atyre nga dora. Dhe shteti “…qesh e bota tallet” teksa sheh, që politika luan dhe ushqehet me frikën për bukën e gojës të nëpunësit ose me dëshirën e të papunit për t’ja marrë bukën e gojës, tjetrit!… Çfarë drame!?… Çfarë shpërfytyrimi në set-in e vlerave morale, qysh nga dita që ajo pjesë të shkolluarish, ditën apo natën, të cilët mbetën për të vuajtur në trojet e tyre amëtare, vështrimin disi njerëzor ndaj njeri-tjetrit, ja drejtuan në mënyrë militantiste partisë, dhe e ndoqën atë pas në ditë të mira e të vështira; pra në pushtet dhe në opozitë!?… Kësisoj, të drejtat dhe liritë themelore të njeriut nga normë drejtësie, u shndërrua në një çështje partie, dhe bijat e “nënës parti”, dashur padashur, mbollën frymën e urrejtjes mes qytetarëve me bindje apo preferenca të ndryshme politike. Në kushtet e një realiteti të tillë të tipit “përça e sundo” edhe “miqtë” dhe “armiqtë” respektiv filluan të zgjidhen në bazë arsyesh politike.

Nga ana tjetër, “armiku më i madh…” nuk ishte më “…ai që harrohet”, por ai që zvëndësohet. Po kështu, ndërsa në të shkuarën armiku kultivohej tek gjëja private, tani ai po lindëte “…çdo ditë e çdo orë…” tek publikja; pra tek administrata. Pikërisht ky lloj “armiku” duhej asgjësuar edhe ekonomikisht, sapo të vinte në dorë pushteti, duke e “vrarë me pambuk”, siç thuhej dikur në kohën e Partisë së Punës për “armën e kritikës revolucionare”, por, që për hir të së vërtetës, duhet pohuar, se nuk ekzistonte kaq shumë i përhapur ky lloj meskiniteti moralo-politik në radhët e nëpunësisë shtetrore apo asaj kooperativiste. E shumta që mund të dëgjohej atëherë ishte krisma e ndonjë letre anonime, ndërkohë që tani janë shpikur “armët e asgjësimit në masë”, që të gjitha model “Made in Reforma”, të cilat përdoren sapo ndryshon pushteti politik për eleminimin e administratës së mëparshme duke e zëvendësuar atë, tej e tej, me besnikët e Partisë fituese, përjashtuar këtu “tradhëtarët”  e partisë humbëse në zgjedhje. Mbase në vitet e para të tranzicionit, pas ndryshimit të sistemit politik, ishte i nevojshëm, ndryshimi deri në një farë mase i administratës së vjetër, kryesisht i drejtuesve të saj, por më vonë kjo u shndërrua në një “luftë të re klasash” për punë shteti. Sipas një studimi të Qëndrës Kombëtare për Zhvillim, rreth 80 për qind e nëpunësve të administratës shtetrore në fund të vitit 2005, mendonin se, qeveria “Nano” do t’i sillte më shumë zhvillim vendit, se sa qeverisja “Berisha”, sikundër 8 vite më vonë, që shpreheshin për vazhdimin e mandatit të tretë të demokratëve. Nëse PD-së, fjala vjen, në 2017-ën i mungonin 300 mijë votues, llogaria është shumë e thjeshtë, pasi kjo shifër, përveç atyre që kishin zgjedhur emigracionin ekonomik, tregonte dhe ata që kishin luftuar me të gjithë mënyrat për të mbajtur “fronin” e punësimit politik. Tani në kohën e “Tepsisë”, në një situatë të tillë janë vendosur të punësuarit e LSI-së, të cilët janë shtërnguar, që për bukën e gojës, t’i kthejnë krahët partisë.  Pa u ndalur më tej në fakte edhe ngjarje të tilla, mjafton të kujtojmë, se duke filluar nga viti 1996, kur u bë përpjekja e parë për krijimin e një sistemi meritokracie në administratën publike, kjo “luftë ilegale” punësimi e çpunësimi njëherësh është zhvilluar paralelisht me përpjekjen legale për “imunitet” të të punësuarëve në shtet, nëpërmjet hartimit dhe zbatimit të ligjit të nëpunësit civil. Por kjo betejë politike “për bukën e gojës” në radhët e administratës, duke filluar nga viti 1996 deri në 2016, kur u dorëzuar raporti i parë i Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, edhe pse ka qënë e ndalur me ligj, ka shkaktuar me mijëra “viktima të pafajshme”, teksa ishin duke parë hallin e tyre personal, sikundër ka shkaktuar edhe dëme të pallogaritshme të interesit publik.

Mjafton të kujtojmë se për të siguruar “de facto” udhëheqjen e partisë në këtë betejë amorale të nëpunësisë, brenda 20 viteve ligji i shërbimit civil është ndryshuar plotë 20 herë; pra çdo vit. Natyrisht në çdo ndryshim të bërë është synuar që të lihet shteg për abuzim, pavarësisht se çdo herë është miratuar me kartonat e shumicës dhe Komisioneri është zgjedhur në po të njëjtën mënyrë. Kaq i pafre ka qënë ky lloj abuzimi, sa që edhe Komisioneri i Mbikqyrjes së Shërbimit Civil, megjithë dëshirën për mos ja nxirë faqen partisë në pushtet, përsëri nuk ka mundur ta fsheh maskarën e bërë në këtë drejtim. Konkretisht në raportin e tij vjetor në prag të ndryshimeve më të fundit ligjore, vѱrehet se 54 për qind e punësimeve në administratën publike janë kryer në shkelje të ligjit, ndërkohë që ekspertët e Komisionit Europian mendojnë se kjo shifër është shumë herë më e lartë. Kësisoj reforma administrative, megjithëse na shfaqet së fundi, edhe si një kusht për çeljen e negociatave të anëtarësimit, u shndërrua sa në mjet spastrimi për njerën palë, po aq dhe përfitimi për palën tjetër të të punësuarëve në administratë, me pasoja të rënda për buxhetin e shtetit dhe mbrojtjen e interesit publik në përgjithësi. Bëhet fjalë për pasoja të drejtpërdrejta financiare si dëmshpërblimi me vendim gjykate i të larguarve nga puna dhe përfitimi korruptiv i të punësuarve me merita partiake, ashtu dhe për pasoja indirekte që vijnë nga paaftësia profesionale, veset morale apo mungesa e eksperiencës në punë, të cilat në mënyrë të rrumbullakosur mund ta kalojnë shifrën e 1 miliardë eurove në vit. Mjafton të kujtojmë, se, sikundër konstaton KLSH në raportin e vet vjetor, vetëm për 2017-ën, për shkak të korrupsionit të shfrenuar administrativ, janë afro 830 milionë euro të llogaritura si dëm ekonomik në buxhetin e shtetit. Po ato që s’ka zbuluar KLSH-ja? Po të tjerat që   s’kanë lënë gjurmë në letra, e kështu me radhë? Llogaritë nuk janë të vështira për t’u bërë. Më e pakta, për dy dekadat e fundit kjo shifër duhet të jetë mbi 20 miliard euro ose sa një buxhet e gjysëm shteti. Po kështu nuk është e vështrirë të llogaritet, se ç’mund të kishte përfituar shoqëria shqiptare nga investimi i kësaj paraje publike në ekonomi. Por, pa u ndalur më tej në morinë e pasojave negative të kësaj ndyrësie politike, lidhur me ndërprerjen e mijëra karrierave profesionale dhe krijimin e njëmijë e një problemeve të tjera personale në jetën social-ekonomike të të pushuarve nga puna, sa herë ndryshon pushteti apo qeveria, mjafton të përmendim rivalitetin me vese ujku të “nëpunësit të ri” në demokraci, për më të vjetrin, sidomos nën pushtetin e “Rilindjes”, kur nisi stina e “gjuetisë së shtrigave” nëpërmjet kallzimeve penale, pa fakte e prova, thjeshtë mbi bazën oponionesh. Nuk po e egzagjeroj, e kam hequr vet në kurriz një gjë të tillë. Pasardhësi im në krye të Agjencisë së Trajtimit të Kredive, një “Qemalist” (jo Qamilist), me moshë më të vogël se sa vitet e mia të punës, më kallzon penalisht në Prokurori, sepse pasi gërrmoi si “Tarja” e s’gjeti gjë midis letrave që kisha firmosur unë për 8 vjet, atje në parti i kishin thënë, që “dëm ekonomik” është dhe shpërblimi që marrin punonjësit kur largohen nga puna për shkak të ristrukturimit të institucionit. Por, dhe pse kallzimi s’ishte si ai “guri që hedh budallai në lumë…”, e vuri plotë 9 muaj në mendime Prokurorinë e Partisë, deri sa më në fund e pushoi çështjen. Ndërsa për kallzimin tim, ndaj këtij kallëzimi të rremë, vendosi mosfillimin e çështjes penale brenda 15 ditëve nga depozitimi në organin e akuzës. Nejse, e tregova këtë histori, jo thjesht sepse gjëja më doli në shteg, por si një rast që ilustron në mënyrë të qartë denigrimin moral dhe profesional të nëpunësve që luftojnë për bukën e gojës me emrin e partisë në gojë.

Megjithatë, duke qënë se kjo histori personale mund të mos tingëlloj fort bindëse për veshët e opinionit publik, po sjell së fundi, edhe spjegimin e Rolf Castro-Vasquez, president i Shoqatës Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri për efektin negativ të ndryshimeve politike të administratës në Investimet e Huaja Direkte, edhe pse ky rast nuk lidhet shumë me përjetimet e një njeriu që lufton si ne, për bukën e gojës. “Në Shqipëri, -thotë ai, -burimet njerëzore që merren me çështjet e Investimeve të Huaja Direkte ndryshojnë shpesh. Në Maqedoni, për shembull, kjo nuk ndodh. Nëse administrata ndryshon, do të duhet ta nisësh çdo gjë nga e para. Ndaj, për të patur sukses, duhet të krijoni struktura të përhershme…”. Por këtu tek në vendin tonë, vetë flet dhe vet dëgjon. Politikanët tanë, sidomos ata të krahut të “mëngjër”, nuk kanë as vesh të dëgjojnë, dhe as shpirt të ndjejnë. Ruso e ka thënë me kohë: “Çdo gjë e keqe në moral, është e keqe dhe në politikë”.

Loading...

Lini nje pergjigje