Shoqëria shqiptare ka nevojë për “shënjues të rinj”

0
165

*Nga Gëzim Tushi

Postmoderniteti është një etapë e re,  e pashmangshme e shoqërisë njerëzore të cilës nuk mund t’i bësh ballë me iluzionet që shoqërisë i vijnë nga e kaluara. Kjo etapë e zhvillimit të shoqërisë shqiptare nuk mund të menaxhohet si duhet duke idealizuar të kaluarën. Përkundrazi kërkesa e parë e epokës postmoderne është aftësia e përshpejtuar për t’u çliruar prej reflekseve që kemi marrë prej të kaluarës, të çlirohemi prej paragjykimeve, atavizmave, arkaizmave dhe të orientohemi sipas piketave të reja të kohës.  Në se do jemi koherent me këtë etapë të zhvillimit të historisë dhe shoqërisë postmodene, atëherë duhet së pari të bindemi se ajo është një etapë krejt e re, një fazë ku siç thonë sociologët “gjithçka duhet shpikur nga e para”. Qoftë solidaritetet dhe mënyrat e ndërtimit të solidarësive sociale, legjitimitetet, identitetet, sistemet e vlerave dhe piketat e orientimit social.

Në shumë analiza shkrime nëpër gazeta dhe emisione televizive, vihet re një këmbëngulje kokëforte për të kërkuar mbajtjen gjallë me forcë apo transplatim të sforcuar të disa ideve, zakoneve, vlerave dhe traditave të kohës së shkuar. Kjo bën që shumë gjëra të duken të vjetra, dogmatike dhe për pasojë ka ngurtësi dhe mungesë të ideve jetësore që i kërkon koha dhe jeta postmoderne.  Nuk mund të ecim në rrugën e jetës postmoderne me aliazhe të vjetra zakonore dhe as të mbetemi rob të disa “virtyteteve” të së kaluarës që koha e sotme i ka “turbulluar” nga influencat e parimeve të postmodernitetit ose i ka nxjerrë jashtë përdorimit dhe rrjedhimisht edhe qarkullimit të tyre social si “vlera të trashëguara nga e kaluara”. Kjo është arsyeja pse jemi përpara alternativës determinante për të bërë përpjekjet e duhura që njerëzit të mësohen të jetojnë përtej ndikimeve të problemeve artificialisht të forta që vijnë si “predestinim” nga e kaluara dhe që realisht janë bërë pengesë për jetën e vërtetë të njeriut.

Është e natyrshme që situata sociale e krijuar nga ndryshimet politike, sociale, ideologjike, kulturore e morale në shoqërinë tone, ka krijuar dhe është shoqëruar një varg paradoksesh e problemesh me natyrë kontradiktore që kanë sjellë turbulence konceptuale dhe paqartësi të kristalizimit të sjelljes qytetare dhe komportimit social të qytetëruar të njerëzve në jetën e sotme shoqërore.Ne nuk duhet të bëjmë si “struci” dhe të mos pranojmë të vërtetën se në shoqërinë e sotme shqiptare, për shkak të ndryshimeve që kanë ndodhur njerëzit po përballen me një “krizë” të vlerave më thelbësore, të nevojshme për orientimin e shëndetshëm të jetës. Sidomos tani kur për shkak të natyrës liberale dhe tejet individualiste të jetës, po përballemi me një prirje që po bëhet sunduese dhe që shfaqen në tendencën që çdo njeri synon të ketë “kodin” e vet të orientimit social, formulën e vet të ndërtimit të jetës.

Të gjitha këto “vështirësi orientimi” social kanë një bazë ekzistenciale të fortë dhe janë me ndikime të gjithanshme në transformimin e dinamikave të jetës sociale postmoderne. Këto janë probleme që nga që nuk kuptohen drejtë dhe nuk interpretohen si duhet, shpesh shfaqen si dukuri sociale shqetësuese e paradoksale. Pikërisht ky është një nga problemet që vjen nga vështirësitë që kanë njerëzit për të kuptuar kohën dhe imperativat e saj, për të gjetur piketat që tregojnë rrugët e duhura dhe mjetet që duhen të t’i kuptuar saktë dhe shpjeguar drejt fenomenet e reja shqetësuese në thelbin e natyrës së tyre.

Padyshim jemi në fillimet e shekullit të ri dhe një varg ndryshimesh janë aq të shpejta e dinamike sa që kanë sjellë marramendje metafizike, paqartësi konceptuale dhe vështirësi empirike të orientimit të njerëzve me kërkesat e reja të kohës postmoderne. Sidomos e veçantë është kjo vështirësi për ne për shkak të natyrës së kalimit dhe veçorive të kapërximit vertikal nga shoqëria e koracuar tradicionale drejt shoqërisë labile postmoderne, pa mundur të kishim kohën e duhur të zhvillimeve të modernitetit social.  Në mënyrë të sigurt e gjithë jeta sociale e shoqërisë tonë vetëm dy dekada më parë ka qenë e bazuar dhe e orientuar nga doktrinat e vjetra tradicionale metafizike e morale. Ndërkaq jeta e sotme është ndërlikuar në të gjitha aspektet duke marë natyrë postmoderne. Në këto kushte ajo nuk mund të orientohet apo të bazohet në doktrinat e vjetra dhe modelet arkaike sociale. Ne kemi nevojë që të ndërtojmë jetën mbi bazën e piketave të reja, në mënyrë që të mund t’i përshtatemi një “bote universal” por dhe nje “realiteti kombëtar” të ndryshuar. Kjo do të thotë që në jetën e sotme janë me rëndësi piketa të tilla si orientimi pragmatist i jetës dhe mësimi me relativitetin e vlerave.  Logjika e jetës postmoderne nuk është e përshtatshme për endërrimet utopike. Përkundrazi jeta e sotme ka nevoje për piketa orientuese që e drejtojnë njeriun jo drejt të së kaluarës por drejt një procesi modern të “rinovimit” të pyetjeve jetike. Ndryshe, njeriu pa qënë i orientuar nga piketat e reja të modernitetit, është i deyturuar të jetojë jashtë kohe dhe në mënyrë të gabuar.

Njerëzit tanë e kanë kuptuar se ky shekull do të jetë integralisht fushë e triumfit total të modelit postmodern, është “shekull i ri” dhe jeta sociale në Shqipëri nuk mund të jetë thjesht vazhdim mekanik linear i modelit social me të cilin jetuam dhe u familjarizuam gjatë shekullit të kaluar. Në se sot ndihemi keq si shoqëri apo kemi probleme me riorientimin postmodern të jetës sepse pas afro tri dekadave, ndodhemi përballë një situate të vështirë orientimi, mungese besimi për atë që jetojmë dhe përjetojmë e cila nuk mund të kuptohet, shpjegohet dhe interpretohet me ide e modele sociale, që ose kanë vdekur ose janë të rënie përballë kërkesave të modelit dominant postmodern.

Gjithësesi koha postmoderne në shoqërinë tonë është etapë zhvillimi e cila me natyrën e saj dukshëm të veçantë, na detyron që të vështrojmë me kujdes të kaluarën tonë dhe natyrsiht për pasojë të mbajmë edhe qëndrimin e duhur kritik ndaj saj dhe vetes. Kjo do të thotë që postmoderniteti imponon një qëndrim të ri kundër idolatrizimit të ideve, koncepteve, ritualeve dhe praktikave të trashëguara, jo për t’i nihiluar ato apo për t’i larguar nga “qarkullimi social”, por për t’i përmirësuar, transformuar, ndryshuar por dhe braktisur si gjëra pa vlerë për dinamikën e të jetuarit në epokën postmoderne.

E cila nuk është më aq e ngurtë sa modeli i shoqërisë tradicionale, nuk është më aq i “saktë”, “simetrik”, social e doktrinar por relativist, liberal, individualist, i ndryshueshëm. Koha e sotme kërkon tjetër optikë të shikimit të problemeve tona. Kjo ka bërë që të ndihemi keq kur kuptojmë se modeli tradicional i analizës, vëzhgimit, vlerësimit dhe kritikës sociale është “krisur”, është bërë i papërshtatshëm dhe gradualisht është duke dalë jashtë përdorimit. Por ky ndryshim nuk është i lehtë për shoqërinë tonë. Ai është një nga shkaqet madhore të asaj krize sociale, morale e shpirtërore që po kalojmë gjatë procesit të kapërximit pothuaj vertikal nga shoqëria tradicionale në shoqërinë postmoderne, e cila është krejt tjetër në të gjithë kuptimet, pikëpamjet dhe realitetet.

Padyshim, këto zhvillime kontradiktore e me probleme të postmodernitetit shqiptar mund të kenë shumë arsye historike dhe ontologjike sociale e familjare të cilat nuk janë të lidhura vetëm me rezistencën e natyrës së njeriut tradicional por dhe të funksionimit paternalist të organizimeve kryesore të jetës sociale, të cilat kanë patur dhe akoma në disa aspekte vazhdojnë të kenë modelin e vjetër tradicional dhe paternalist të funksionimit, që është një nga pengesat kryesore të ndërtimit të modelit postmodern të strukturimit dhe funksionimit të tyre në shoqërinë e sotme shqiptare.

Megjithë ndryshimet që kanë ndodhur në këto dy dekada kur u “çel epoka” e aliazhuar në hapësirë dhe kohë e modernitetit të shkurtër drejt orientimit të gjërë nga postmoderniteti shqiptar, ndryshimet janë me shumë pengesa e vështirësi sepse ne trashëguam një strukturë shoqërore tradicionale e cila akoma në thelbin e vet është thellësisht autoritare. Këtë pengesë ndaj modelit postmodern të organizimit të jetës sociale e ndeshim akoma së pari në familjen shqiptare e cila mbetet akoma një “vatër e paternalizmit”, maskilizmit, gerontokracisë sepse është i fortë “sundimi” i burrit mbi gruan dhe fëmijët.

Por kjo tendencë e organizimit autoritarist me gjithë ndryshimet që kanë ndodhur e ndeshim edhe në format e tjera të organizimeve të jetës sociale si në shkollë, në punë, organizimet fetare, politikë etj. Pra postmoderniteti është një lëvizje që ka vënë në krizë ekzistenciale të gjitha strukturat sociale që bazohen akoma në modelin tradicional e paternalist. Ajo ka ndikuar në krisjen e tyre dhe nevojën e përshtatjes me modelet postmoderne të organizimit të këtyre formave bazë të jetës sociale.

Postmoderniteti është kundër çdo tendence të “paternalizmit mëndjemadh” të jetës tradicionale. Kjo do të thotë se është koha kur si shoqëri duhet të ndërgjegjësohemi se “standartet” e jetës postmoderne duhet të bëhen aspiratat më të mëdha të shoqërisë tonë në këtë fazë të ndërlikuar të krisjes totale dhe në të gjitha drejtimet të modelit tradicional. Por kjo është rruga nëpër të cilën duhet të ecim për të qenë në kohë me postmodernitetin dhe bashkëkohor me kërkesat dhe zhvillimet dinamike globale të tij.

Shoqëria postmoderne është shoqëri me organizim, filozofi social, policitet dhe moral tjetërlloj. Mund të duket ca e tepëruar ideja e sociologëve postmodernë, të cilët në përpjekjen për të kornizuar hapësirat, kufijtë dhe tempin e ndryshimeve sociale në këtë shekull postmodern janë të mendimit se “asgjë nuk do të jetë siç ka qënë më parë”. Radikaliteti i problemeve me të cilat po përballemi sot dhe akoma më shumë në të ardhmen, duhet të na bindin se ato nuk mund të shpjegohen me “korpuset doktrinare” të së kaluarës, me ngurtësinë e tezave sociale dogmatike të epokës tradicionale.

Sepse moderniteti është një mënyrë jetese që është kundër çdo tentative ideologjizimi ngado që të vijë dhe i çfardo natyre qoftë. Në fakt kur erdhi në botë epoka moderne filozofët dhe sociologët dhanë alarmin se ishte nevojë imediate që të zgjeroheshin “kufijtë e arsyes” njerëzore për ta kuptuar atë. Sot ky imperativ është akoma më imediat dhe urgjent, ndoshta deri në kufijtë që janë “para dhe përtej arsytimeve” tradicionale e moderne për të kuptuar fshehtësitë dhe enigmat e kohës postmoderne.  Në se nuk ndryshojmë optikën me të cilën duhet të vlerësojmë fenomenet e postmodernitetit, jo vetëm që nuk do jemi në gjëndje t’i kuptojmë dhe shpjegojmë ato por akma më shumë, kjo kohë do të duket “kohë e shkakësive të papritura”. Ndaj duhet të përgatitemi që të përballemi me dinjitet me të…

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here