Banka e Shqipërisë: Rritja e borxheve uli ritmin e ekonomisë

0
175

Banka e Shqipërisë paralajmëron se rritja ekonomike mund të jetë ngadalësuar më tej në tremujorin e katërt të vitit. Në raportin e fundit të politikës monetare, Banka vëren se të dhënat e disponueshme tregojnë se rritja e prodhimit kombëtarë për fundit mund të ketë zbritur poshtë nivelit 3.55 për qind që shënoi në tremujorin e tretë. Banka e bazon këtë vlerësim në dy tregues. I pari është rritja më e ulët e investimeve. Sipas INSTAT, ritmi i investimeve nisi të ngadalësohet që në tremujorin e tretë të 2017-ës, kur rritja e tyre zbriti në 3.8 për qind nga 13 për qind që ishte në gjysmën e parë të vitit. Banka vlerëson se kjo tendencë ka vazhduar edhe në tremujorin e katërt të vitit të kaluar, ku edhe investimet e Qeverisë kanë qenë më të ulëta se e njëjta periudhë e 2016-ës duke dhënë kështu një efekt më të ulët në rritjen e prodhimit kombëtar. Treguesi i dytë, që sipas bankës sugjeron ngadalësimin e rritjes ekonomike, është thellimi i deficitit tregtar, pasi importet që Shqipëria blen jashtë janë rritur më shumë se eksportet që i shet botës. Sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT, në tremujorin e fundit të vitit të kaluar deficiti tregtar u thellua me 90 milionë euro krahasuar me të njëjtën periudhë të 2016-ës duke rënduar më shumë mbi prodhimin e brendshëm bruto.

Rezultati

Në 20 vitet e fundit, në ekonominë shqiptare janë investuar mbi 9 miliardë euro nga buxheti i shtetit në rrugë, shkolla, spitale etj, në ato që njihen ndryshe si vepra publike. Në logjikë ekonomike, këto investime duhet të shoqëroheshin me mirëqënie për qytetarët, me më shumë shërbime, por edhe me rritje të konkurrueshmërisë së ekonomisë sonë. Por duket se kjo nuk ka ndodhur. Qendra studimore Altax ka publikuar raportin “Performanca e buxhetit shqiptar 1996 – 2016, në të cilin vlerëson ecurinë e treguesve kryesorë për këtë periudhë. Raporti evidenton se investimet publike për periudhën 1996-2016 janë rritur me 3.6 herë. Vitet më të mira të realizimit të shpenzimeve kapitale, të cilat kanë edhe rritje kanë qenë në 1998-1999, 2001, 2004 dhe 2006. Në rritjet e investimeve për vitet 1998-1999 ka ndikuar ulja e investimeve me 17% në 1997; në vitin 2001 ka vijuar përmbushja e programit të investimeve të filluara pas vitit 1997; në vitin 2004 investimet publike janë më së shumti plotësim i investimeve të pakësuara me 12.6% dhe 17% në dy vitet respektive të mëparshëm, 2002 dhe 2003; në vitin 2006 investimet publike vijnë pas fillimit të hapjes së kantiereve për infrastrukturën.

Ekspertët e raportit vlerësojnë se investimet publike në Shqipëri kanë qenë të ndikuara politikisht. E thënë ndryshe, janë bërë për qëllime elektorale, gjë që ka ndikuar negativisht në cilësinë dhe efektshmërinë e tyre për ekonominë. “Një faktor që ka ndikuar në vendimmarrjen politike për investimet publike është politika elektorale që ka dominuar përdorimin efikas të burimeve financuese nga buxheti. Nëpërmjet kësaj politike afatshkurtër investimet publike janë kryer mjaft të segmentuara, pa lidhje me qëllimin për përmirësimin e cilësisë së infrastrukturës në mënyrë të integruar, por edhe duke frenuar cilësinë në perspektivën afatgjatë për rritjen e ekonomisë dhe mirëqenies së qytetarëve. Investimet publike nuk kanë mundësuar rritjen e produktivitetit ekonomik të vendit edhe pse për 20 vite janë investuar 9.07 miliardë euro”, theksohet në raport. Sipas modelit Kejnsian, “ndërkohë që ekonomia operon nën potencialin e saj, duhet të bazohet te investimet publike të financuara nga rritja e borxhit për të maksimizuar krijimin e vendeve të punës”. Ndërkohë që aktualisht, qeveria është e fokusuar te konsolidimi fiskal. E thënë ndryshe ulja e borxhit nëpërmjet tkurrjes së shpenzimeve. Një politikë që sipas ekspertëve të Altax është e gabuar. “Duke pasur parasysh faktin, se ekonomia shqiptare po operon ende nën potencialin e saj dhe ka të ngjarë të vijojë kështu edhe për vitet që vijnë, si dhe nisur nga mungesa e politikave agresive për ta nxitur atë, është e pavend politika e konsolidimit fiskal afatshkurtër”, vlerësojnë ekspertët.

Sektorët

Banka e Shqipërisë vlerëson se rritja ekonomike në tremujorin e tretë të vitit 2017 u mbështet në masën më të madhe nga sektori i shërbimeve. Përshpejtimi i aktivitetit në këtë sektor pasqyroi kryesisht rritjen e vlerës së shtuar të degëve të “Tregtisë, hoteleve e restoranteve dhe transportit” dhe “Administratës publike, arsimit dhe shëndetësisë”. Me gjithë performancën e përmirësuar të sektorit të shërbimeve, ngadalësimi i rritjes ekonomike në tremujorin e tretë i atribuohet rritjes më të ngadaltë të sektorit prodhues. Ky ngadalësim erdhi si rezultat i kontributeve më të ulëta të “Ndërtimit” dhe të “Bujqësisë”, ndërkohë që “Industria” dha një kontribut negativ.

Parashikimet

Qeveria ka parashikuar që këtë vit rritja ekonomike të jetë 4%, i bazuar tek investimet e huaja dhe rritja e konsumit. Një objektiv më i lartë se parahsikimi që bën Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe banka Botërore, që shprehen për rritje 3.7% dhe 3.8%. Kjo për shkak të rezervave të ndikimit që mund të kenë invetsimet e huaja, në kushtet kur dy projektet madhore, gazsjellësi TAP dhe hidrocentralet e Devollit janë drejt përfundimit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here