Vrasja e Ivanoviçit, policët serbë lihen të lirë

0
114

Dy policët e Kosovës, të arrestuar tri ditë më parë nën dyshimin e manipulimit të provave në procesin hetimor të vdekjes së Oliver Ivanoviçit, janë lënë të lirë.

Gjykata Themelore në Mitrovicë ka dalë në përfundimin se nuk kishte bazë të mjaftueshme për t`i dërguar në burg efektivët e komunitetit serb, Zharko Jankoviç dhe Dragisha Markoviç. Ata dyshohet se kanë larguar nga vendi i ngjarjes një gëzhojë plumbi dhe nuk e kanë dorëzuar bashkë me provat e tjera.

Siç theksohet në dosjen e Prokurorisë, kur hetuesit panë filmimet e kamerave të sigurisë, vunë re se Jankoviç e kishte marrë gëzhojën dhe e kishte futur në xhep, ndërsa Markoviç, edhe pse dëshmitar i veprimit të kolegut të tij, nuk ka reaguar. Akuza thekson po ashtu se të dy policët kanë lejuar kalimtarët të hyjnë në vendin e krimit. Ajo nuk e ka pritur mirë vendimin e gjykatës, të cilin thotë se do ta apelojë.

Ivanoviç ishte kreu i Nismës së Lirisë, Demokracisë dhe Drejtësisë, kundërshtare e partisë kryesore serbe të mbështetur nga Beogradi, Lista Srpska, e cila është pjesë e qeverisë së Kosovës. Politikani i njohur u qëllua për vdekje para zyrave të partisë së vet në Mitrovicën veriore, më 16 janar. Vrasja e tij u dënua gjerësisht nga zyrtarë të BE-së, Serbisë dhe Kosovës.

Ivanoviç vazhdimisht e kishte përsëritur se ai dhe familja e tij kishte marrë kërcënime dhe kishte kërkuar ndihmë nga Kosova, Serbia dhe të tjerët, por pa asnjë rezultat. Beogradi e shpalli vrasjen një akt terrorizmi dhe kërkoi që të lejohej të merrte pjesë në nxjerrjen e fajtorëve para drejtësisë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here