Speciale/ Zhvendosja e Teatrit dhe ligji i ri – Artistët vazhdojnë protestën, Bujar Asqeriu: Vendin e udhëheqin hajdutët!

0
157

Aktorët vijojnë që të kundërshtojnë projektligjin e ri të Ministrisë së Kulturës për artin dhe të zhvendosen te ‘Turbina’. Projektligji për Artin dhe Kulturën si dhe fati i godinës së teatrit, i ka bërë bashkë artistët e teatrit sërish dje për të protestuar. Ata kishin parashikuar që takimi i tyre i radhës të realizohej tek salla e madhe e Teatrit Kombëtar, por ata janë ndeshur me mbylljen e derës së teatrit. Artistët e Teatrit Kombëtar nuk janë lënë që të hynin dje në ambientet e vendit të tyre të punës dhe me shumë vështirësi kanë mundur të hyjnë deri në hollin e Teatrit Kombëtar. Për shkak se dera për në sallën e Teatrit Kombëtar ishte e mbyllur, pasi fillimisht aktorët e regjisorët e teatrit duhet të pajiseshin me leje nga drejtoria e Teatrit Kombëtar, protesta u mbajt në holl. Ndërtesa që iu përket pikërisht artistëve që punojnë me pasion dhe kontribojnë në teatrin, iu përplaset në fytyrë dera. Protestës së artistëve të teatrit iu janë bashkuar edhe aktorët e rretheve dhe punonjësit nga Cirku kombëtar. Disa nga aktorët që ishin në protestë sot ishin: Arben Derhemi, Neritan Liçaj, Genci Fuga, Stefan Çapaliku, Bujar Asqeriu, Laert Vasili, Romir Zalla, Altin Basha etj. Deklaratat që ata lëshuan dje ishin të rrepta dhe më të vendosura se kurrë. Ata edhe në këtë takim, që erdhi si pasojë e mungesës së reagimit publik të Mirela Kumbaros drejt komunitetit, u theksua mungesa e transparencës. Ata i kërkon transparencë edhe kërkesë për dialog, që sipas tyre kanë munguar me komunitetin artistik. Duke kërkuar transparencë për gjithçka pritet të ndodhë, artistët kërkojnë një takim me ministren Kumbaro. Ata kanë parashtruar datën 14, ditën e mërkurë ora 16:00 në sallën e Teatrit Kombëtar.

Deklaratat e artistëve:

Bujar Asqeriu

Një nga deklaratat më të forta dhe të bujshme ishte ajo e aktorit të njohur Bujar Asqeriu, i cili i revoltuar ka folur me tone shumë të ashpra ndaj Ministrisë së Kulturës. “Si duket refleksionet që vijnë që qeveria dhe ministria e jonë e nderuar janë të pakta dhe të pafuqishme dhe mos të them të ftohta. Këta duket që nuk e din se çfarë është artisti, në thelb nuk e din  se çfarë është artisti. Një artist i joni, më i  mirë i  joni merr rrogën më të ulët se një nëpunëse thjeshtë e Ministrisë së Kulturës. Domethënë ky është vlerësimi që i bën shteti shqiptar, që u bënë gjithë këtyre artistëve që luftojmë me mund dhe me djersë. Jo me kot kolegët tanë të nderuar ikën nga kjo botë në moshën më të re dhe askush nuk pyeti për ta, askush nuk u kujdes për ta, askush nuk e çau trapin për ta. Dhe ata ikën me një barrë pengjesh në shpirt dhe ne  duhet t’i ngremë me të madhe. Mos të them që Bujar Lako jetonte në një shteti 50 metra katror, artisti ynë i madh, kurse qeveritarët tanë kanë vila nga 5 milionë. Kjo është drama e madhe pasi vendin e udhëheqin hajdutët, këtë vend e drejtojnë hajdutët, prandaj nuk ka lekë për artistët, nuk ka lekë për teatrin dhe ne na fusin në vrimën e miut atje tek hidrocentrali. Edhe lekët për një dosje i marrin, edhe 100 lekë për një dosje e marrin e fusin në llogari. Nuk lenë lekë në këmbë, këta janë qeveritarët tanë. Nga njëherë them pse po flas, a më dëgjon njeri. Nuk na dëgjon askush, them a përmbyset kjo hajdutëri? Ne kemi të drejtën legjitime të zotit dhe zoti i paftë ata dhe zoti i paftë ata dhe fëmijët e tyre. E kuptoj që ata e do të tallen me, që do të nxjerrin gjuhën me ne. Ata mendojnë se sa do të fitojnë sot. Ku do hanë drekën dhe darkën dhe me kë do bëjnë qejf sot. Nuk mendojnë asgjë tjetër. Këto ishin ndjesitë e mia. Ne me aq sa kemi fuqi, ta mbrojmë punën tonë.”

Stefan Çapaliku: Duhet ti themi stop

Dramaturgu Stefan Çapaliku tha se “Ministritë e kulturës në gjithë Europën përpiqen të heqin kompetencat ndaj vetes. Në Shqipëri po ndodh e kundërta. Ky është një moment shumë i rrezikshëm që ne duhet ti themi stop” thotë ai. Sipas dramaturgut Çapaliku “Pjesa më aksidentale mendoj se është zgjedhja e lidershipit të institucioneve kombëtare të tatrit. Drejtori i Teatri Kombëtar dhe i shumë teatrove të tjera. Kombëtarët duhet të zgjidhet nga njerëzit, të cilët e bëjnë teatrin, duhet të votojnë dhe ta zgjedhin. Politika nuk ka kontroll mbi universitetet, paska kontroll mbi teatrin. Ky është absurd i madh”

Altin Basha: E presim ministren këtu, jo te zyra e saj

Pas reagimeve të ministres artistët thonë që takimi konsultues duhet të mbahet në Teatrin Kombëtar dhe jo në zyrat e ministrisë. “Nuk mund të bëjmë të paditurin, nuk mund të bëjmë që jemi keqkuptuar, nuk mund të bëjmë që e kemi çuar në 500 adresa, se nga këta njerëz që janë këtu dhe ata që kam kontaktuar, asnjë nuk ka marrë e-mail nga ministria e kulturës për ndryshimet që duhen bërë në ligj. Ministria e Kulturës nuk tregon të vërtetën për çështjen e dialogut. Ditën e mërkurë në ora katër e presim ministren këtu. Do ta presim të gjithë këtu, jo në zyrën e saj, por këtu në këtë sallë” tha Altin Basha, regjisor.

Neritan Liçaj: Këtu udhëheqin hajdutët

Përtej qëndrimeve emocionale artistët kërkojnë transparencë pasi sipas tyre po luhet një komedi e fshehtë në kurriz të artit në të gjithë vendit. “Do të detyrohen të na i plotësojnë të gjitha kërkesat tona, sepse për këtë paguhen nga taksat tona” tha aktori Neritan Liçaj. “I them ministres Kumbaro se përkthimi i parë i fjalës ministre, kuptimi i parë i fjalës është shërbëtore” tha ai. “Kjo është drama që këtu udhëheqin hajdutët, prandaj nuk mbetet lek për artistët, prandaj nuk ka lekë për theatër, prandaj ne na futin në vërrën e miut” ngriti zërin aktori Bujar Asqeriu.

Rita Gjeka: Larg duart nga Teatri Migjeni, nuk mund ta bëni pis dhe atë vend

Në protestën që u zhvillua dje tek holli i Teatrit Kombëtar, mori pjesë edhe aktorja shkodrane, Rita Gjeka, e cila ndau me të gjithë rezervat që kishte ndaj ministres Mirela Kumbaro. “Po, duam të rrëzojmë qeverinë e cila nuk na do. Në fund të fundit, detyrë e teatrit është të jetë në opozitë me gjithë qeveritë. Kjo i dhemb më shumë se gjithçka tjetër. Në Ministrinë e Kulturës, shumë shpesh kemi bërë projekte për të marrë ndonjë koc komplet të vogël. Nuk kemi marrë asnjëherë sepse në ligjin e Ministrisë thuhet se teatrot vendore nuk mund të marrin. Unë nuk e di ku po i  gjejnë lekët për të na urdhëruar se çfarë të bëjmë në teatër, të jemi në varësi të Ministrisë së Kulturës. Nuk e di ku i gjejnë se me qenë në varësi të Ministrisë së Kulturës, duhet te kenë lekë. Këtej nuk kanë dy lekë. Për ne nuk patën lekë për të bërë rikonstruksionin e teatrit, i cili mendoj se është më i bukri në Shqipëri dhe këtë e dini se të gjithë ju artistët keni ardhur në Shkodër. Dhe unë e ndjej kënaqësinë që ju keni kur vini në Shkodër. Kanë bërë me demek se po bëjmë një rikonstruksion dhe kanë kurajon të thonë se kemi bërë rikonstruksionin e teatrit. Jo, ne kemi shpëtuar thjesht nga vdekja. Janë futur telat e elektrikut, të cilat i kemi pasur nëpër këmbë në tuba kallcuku. Nuk kemi foni, nuk kemi ndriçim, nuk kemi karrige, nuk kemi ngrohje, nuk kemi ftohje, e megjithatë bëjmë teatër. Shifrat e faktet se çfarë bën Teatri Migjeni flasin vetë, kemi patur 41 mijë spektatorë, në 27 vite nuk kanë qenë aq në një vit.  Spektatorët e sidomos shkodranët nuk vijnë kot në teatër në qoftë se nuk janë të bindur për atë që shohin. Unë sigurisht jam solidare me kolegët e mi, por i them ministres: “Larg duart nga Teatri Migjeni, nuk mund ta bëni pis dhe atë vend. Nuk mundeni, gjithsesi”, është shprehur Rita.

Robert Ndrenika i përgjigjet Kumbaros: E vërteta e bingos!

“Ne nuk do të lejojmë që të prishet teatri, ndërsa për TOB-in të mos guxohet t’i qaset”

Një nga zërat kritikues nga Ministrisë së Kulturës ka qenë edhe aktori i mirënjohur, ikona e kinematografisë dhe teatrit shqiptar Robert Ndrenika. Ai kundërshtoi në mënyrë kategorike të cilësuarin prej tyre “planin e vjetër për ta zhdukur Teatrin Kombëtar” dhe “rolin e skllavit” në të cilin, thanë ata ky projektligj i detyron artistët. “Plot shumë vite më parë edhe PPSH thoshte do bëjmë një teatër, por ky teatër nuk u bë. Edhe këto 27 vjet është folur se do të bëhet një teatër, por nuk ka patur pikë transparencë. Tani kërkohet që këta privat të bëjnë kulla dhe në këto kulla aneks të jetë teatri. Pra vazhdon një vjedhje, sheshit… e hapur. E kam thënë edhe e them që të gjithë kryeqytetet e Ballkanit kanë Teatro Kombëtare dhe teatri bëhet njëherë në 500 vjet. Sot mund të ketë nga ata që thonë: e mo, ç’janë këto, këta s’dimë të aktrojmë, por nuk mendohet se Shqipëria do mbetet pa aktorë. Këtu po bëhen kisha dhe xhamia dhe nuk bëhet një Teatër. I thashë dikujt shiko çfarë xhamie është bërë, dhe më tha se atë po e bën Erdogani. Shumë mirë, sepse teatri duhet ta bëjë shteti shqiptar, sepse teatri është kisha dhe xhamia e shqiptarëve. Vajtëm dhe pamë atë godinën te Turbina. Ajo godinë është vetëm për fushatë elektorale, por jo për teatër. Ajo fjala që i kam thënë ministreshës se unë do shtrihem te turbina dhe ajo që e ktheu me ironi po le të vijë të aktrojë në skenë, duket se ka qenë një fjalë me mend. Ne nuk do të lejojmë që të prishet teatri, ndërsa për TOB-in të mos guxohet t’i qaset. Dhe një gjë, mos kini shumë shpresë te këto analistët e mëdhenj që dalin në televizione, sepse para 20 vitesh ato u bënë me atë ministren e asaj kohe. Kur i kërkova ministreshës të na jepte ca para për lapidarin e Spahivoglit, nuk më dha as 5 lekë për këtë lapidar. Kam edhe të tjera për të thënë, por tani nuk më kujtohen, pasi më vijnë kur jam në krevat, në ëndërr. Edhe një gjë! Kemi aktorë të mrekullueshëm dhe paguhen për një kafshatë bukë. Kur të vënë litarin e bukës, ai është më i tmerrshmi nga të gjitha. Është folur që do të ketë një godinë të re për teatrin dhe prapë nuk ka pasur transparencë, godina e Beogradit, e Bukureshtit, është 600 vjeçare, është monument kulture, këtu po bëhen xhamira, po bëhen kisha dhe spo bëhet një teatër. Xhamia apo kisha e shqiptarëve është teatri pra i takon shtetit shqiptar të ndërtojë një teatër. Ajo Trubina është qesharake, për teatër nuk bën, ajo është vetëm për ndonjë fushatë elektorale. Ajo fjala që unë i thashë asaj ministreshës së do shkoj të shtrihem tek ajo Turbina, dhe ajo tha të vijë të shtrihet dhe të interpretojë paska qenë me vend. Ne nuk duhet të lejojmë që të prishet ai teatër, pa u marrë vesh çfarë do bëhet me të”, u shprehur i indinjuar ikona e teatrit Robert Ndrenika.

Artistët i kërkojnë dialog në Teatër, Ministria e Kulturës i pret në zyrë!

Ndërkaq zëri është ngritur edhe nga përfaqësues të Cirkut Kombëtar, të cilët pretendojnë se pr.ligji thjesht fshin ekzistencën e tyre me një të rënë të lapsit. “Të marrin një cirk privat, ta paguajnë me projekte dhe cdo gjë është më e zgjidhshme. Nuk i intereson statusi i këtyre artistëve, të cilët kanë vështirësi minatori.” Gjithë komuniteti teatror pret një dialog të hapur dhe transparent për fatin e Teatrin Kombëtar, statusin e artistit, kontratat dhe gjithçka ka lidhje me dinjitetin e artit dhe artistëve. Artistët i kanë kërkuar Ministrisë së Kulturës takim me komunitetin artistik ditën e mërkurë ora 16:00 tek salla e Teatrit Kombëtar për të diskutuar të gjitha rezervat që ata kanë për godinënë e teatrit dhe Projektligjit për Artin dhe Kulturë. Ndërkohë që Ministria e Kulturës ka konfirmuar takimin me artistët, por jo tek salla e Teatrit Kombëtar siç aktorët kërkuan, por tek zyrat në Ministrinë e Kulturës. Burimet kanë pohuar që Kumbaro nuk do të shkojë në teatër për t’i takuar, por tek zyra në Minsitrinë e Kulturës, siç ka pritur dje Skënën e Pavarur Kulturore. Ndërkohë nga ana tjetër aktorët vazhdojnë me qëndrimin e tyre duke mos ndërruar pikëtakimin që ata sugjeruan dje gjatë protestës. Ata do të mblidhen të mërkurën në sallën e teatrit Kombëtar, duke i lënë një vend të lirë Minsitrisë së Kulturës Mirela Kumbaro, por se çfarë do të bëjë kjo e fundit, mbetet për t’u parë atë ditë. Por ajo që është për t’u duartrokitur është qëndresa dhe bashkimi për herë të parë i aktorëve të teatrit për të kërkuar të drejtat që ju takojnë në lidhje me institucionit si vlerë kombëtare.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here