Jeta private, kufijtë e shoqërisë dhe statusi i qytetarit

0

Gëzim Tushi

Loading...

Ka qënë një nga revolucionet e mëdha në jetën politike e sociale të pas viteve 90-të kur shoqëria shqiptare bëri kalimin “apokaliptik” nga shoqëria totale dhe funksionalisht tërësisht piramidale e hierarkike, në shoqërinë moderne që edhe pse me shumë vështirësi është gjithsesi pa dimensione sociale deterministe, me sens të qaqrtë individualist, tërësisht qytetare dhe pa strukturime klasore.  Kjo do të thotë që në mënyrë të natyrshme nuk ka pse çuditemi që natyra e shoqërisë dhe marrëdhëniet e njeriut me të janë gjithnjë e më shumë heterogjene. Në këtë kontekst thelbi i “revolucionit” në lidhjet dhe marrëdhëniet midis shoqërisë dhe individit në shoqërinë tonë, në mënyrë sintetike mund të shprehet në mënyrë të sintetizuar në faktin se tashmë ka marrë fund përgjithmonë epoka e errët e “njeriut tërësisht të kontrolluar” nga forca e faktorë të jashtëm.

Kjo do të thotë se njeriu tashmë vepron në një terren social, në të cilin jo gjithçka është e koordinuar deri ne fund nga pikëpamja e marrëdhënieve sociale të individit apo të determinimit të dimensioneve të jetës së tij private. Si asnjëherë më parë në jetën e shoqërisë shqiptare, edhe pse me ca anarki e kaotizëm social duket qartë se janë zgjeruar së tepërmi kufitë e privatësisë dhe natyrës së jetës intime të qytetarit që tashmë nuk janë më në nivele totale e totalizuese nën suzerenitetin e shoqërisë apo kontrollin mekanik të bashkësisë.

Megjithatë duket se problemet e përcaktimit të tipologjisë personale të jetës private dhe ndërtimi i natyrshëm i ndjenjës së intimitetit në kohën e lirisë dhe individualizmit nuk janë të lehta. Aq më tepër pastaj për të kombinuar këtë pjesë të jetës intime dhe private me nevojat dimensionit të qytetarit dhe natyrës së njeriut si qytetar dhe qenie publike. Në kohën tonë duket se po ndodh kalimi i njeriut tonë nga përcaktimi i dikurshëm si qënie sociale pa jetë private dhe intimitet personal në një qënie që ka theksuar jetën private, por që gjithnjë e më shumë shfaqet me dimension qytetar të dobësuar  dhe nënvlerësim të jetës publike, parimeve dhe normave të saj.  Nisur nga këto diskordanca midis privates dhe publikes, natyrës individuale të njeriut dhe problemeve të dobësimit të statusit të qytetarit që ka edhe jetë publike të detyruar, të cilat në shoqërinë tonë janë bërë baza ekzistenciale e shumë paqartësive, burim i zgjeruar shfaqjes së problemeve sociale, është e nevojshme që të ndërtohen raporte të reja normale, të ekulibruara midis privates dhe publikes, njeriut si identitet individual dhe statusit qytetar.

Sepse në se “Në se duam të mbetetmi qytetarë të lirë dhe të barabartë, nuk mund t’i lejojmë vetes një tërheqje të përgjithshme në jetën private”. (J Rolls, “Drejtësia si paanshmëri”, f 245)

Nuk është paradoksale që në këto kushte sociale edhe njerezit tanë po bëhen tejet egocentristë, tërësisht i dhënë pas famës, suksesit, parasë, qejfit, konsumit. Kjo është arsye pse njeriu po bëhet qënie e reduktuar sociale, dhe për pasojë ka filluar të kënaqet me tipologjinë e ngushtë e “qenies në vetvete”, madje deri në nivelin e reduktuar të ekzistencës së thjeshtë vegjetative. Kjo është një mënyrë të jetuari në të cilën njeriu është i lidhur dhe i ngërthyer pas vetes, duke u ndarë nga tjetri dhe shoqëria, duke e bërë unin e vet një qënie më vete me natyrë ekzistenciale të izoluar nga jeta qytetare dhe marrëdhëniet e natyrshme me jetën publike. Filozofët e kohës sonë këtë tip njeriu me natyrë sociale të reduktuar, i mbyllur në guackën e vetes dhe nevojave biologjike të tij e karakterizojnë si “…ekzistencë e mbrojtur dhe e veçuar për mrekulli nga çdo marrëdhenie” (E Mounier, “Personalizmi”, f 66)

Në të vërtetë është anomali jo e vogël, në se njeriu për motive të shëndosha apo patologjike tërhiqet nga “lufta personale” që zhvillohet jo vetëm me veten por dhe me të tjerët në shoqëri. Madje po të analizojmë tipologjinë e shfaqjes së “njeriut vegjetativ” që jeton brenda vetes dhe pa marrëdhënie me të tjerët, menjëherë do të kuptojmë se pavarësisht nivelit të plotësimit të nevojave personale biologjike apo materiale, në të gjithë rastet kjo kategori njerëzisht përbën bërthamën kryesore të njerëzve të izoluar dhe të vetëbraktisur.

Në shoqërinë tonë po shtohen nerëzit që ngatërrojnë përmasat e hapësirës së jetës private dhe kufijve në të cilat ajo është e interferuar me jetën publike. Marrdhëniet e jetës private me atë publike nuk kanë kufij të prerë apo zona dhe territore ku ndahet jeta e fshehtë intime e njeriut nga ajo publike. Kjo pikë sot konsiderohet e vështirë për t’u gjetur dhe e paqartë për t’u përcaktuar qartë. Jeta private dhe pavarësia e saj relative nga natyra e jetës publike, është kusht i domosdoshëm për zhvillimin e natyrshëm dhe modern të njeriut. Hapësirat e jetës private janë kusht për ekzistencën e natyrave dhe dallimin e personaliteteve të njeriut.

Në jetën e thellë private ndërtohet privacia dhe intimiteti. Ajo është zona e papërsëritshme në të cilën njeriu duke qenë qënie shoqërore dhe qytetar kërkon të ndërojë zonën e qetësisë personale, të plotësimit të natyrshëm të nevpjave biologjike. Padyshim në jetën private njeriu ka të pacënuara liritë vetjake, por ato nuk mund të jenë paradoksale dhe të pakufizuara nga rregullat qytetare dhe normat sociale të jetës publike. Edhe këto liri duan kontrolluar me anën e “frerit social”. Kjo do të thotë se njeriu jetën private dhe natyrën e papërsëritshme të intimitetit nuk mund ta ndërtojë duke anashkaluar synimet sociale që janë qytetarisht të përligjura.

Kjo është arsyeja pse duhet të mësohemi me të vërtetën komplementare të qytetërimit modern që në ndërtimin e jetës private dhe tipologjisë së intimitetit duhet të llogaritim edhe të drejtën e shoqërisë për të kufizusr në një farë mase të drejtën e asaj që mendon se mund të bëjë gjithkush. Liria individuale në çdo kohë do barazpeshohet edhe me vlkerat e tjera me natyrë sociale. Filozofët e personalizmit janë të mendimit se”…ajo çka nevojitet, është që ne ta çlirojmë jetën private nga mistifikimet, duke mos lejuar që ajo të bëhet një privilegj apo një mbrojtje kundër jetës shoqërore””. (E Mounier, po aty f 68)

Problemi i ndërtimit të marrëdhënieve midis natyrës së jetës private të veçantë dhe të papërsëritshme dhe statusit publik të qytetarit është një nga cështjet që akoma nuk është zgjidhur si duhet në shoqërinë tonë. Sepse tranzicioni solli kalimin e skajshëm, nga njeriu i përfshirë me zor në turmën sociale të qytetarëve pa identitet, në një shoqëri të njerëzve me jetë private në zgjerim por duke reduktuar staturën dhe nivelin publik të statusit të qytetarit. Kjo anomali sociale ka pasojat e veta.  Liritë themelorë dhe të drejtat e njeriut nuk mund të realizohen përmes idolatrizimit të jetës private dhe plotësimit të kushteve vegjetative të jetës personale. Të gjitha ato nuk kanë vlerën e duhur pa kuptuar njeriu nevojën ekzistenciale të përcaktimit të statusit publik të qytetarit. Liritë themelore nuk sigurohen pa pjesëmarrjen e të gjithëve me statusin e qytetarit, pa u përfshirë në sistemet e kooperimit qytetar. Padyshim është arritje e madhe fakti që tashmë në shoqërinë shqiptare ka më shumë mundësi për të ndërtuar raporte dhe marrëdhënie të jetës private me atë publike sepse në thelbin e vet demokracia si hapësirë për mënyra të ndryshme jetese.

Midis njeriut dhe botës, ajo që siguron lidhjet midis tyre është një forcë e tretë. Kjo është shoqëria thotë Ralf Dahrendorf. Në fund të fundit edhe pse shoqëria shqiptare ecën në rrugën liberale dhe individualiste, që në mënyrë të natyrshme ushqen “mentalitetin e të përveçmes”, kjo nuk do të thotëse njeriu mund tu shmanget përgjegjësive subjective.

Ato janë të pashmangshme. Ndryshe për fat të keq mund të ecim qorazi drejt një lloj “individualizmi të vrazhdë”. Jeta qytetare dhe rregullat e bashkëjetesës sociale e urbane nuk mund të funksionojnë vetëm mbi bazën e trilleve të pakontrolluara të njeriut superindividualist. Sepse në fund të fundit njeriu individualisht e ka të detyruar përderisa jeton në shoqëri të jetë doemos qënie sociale.  Ajo që shqetëson së tepërmi sot shoqërinë shqiptare është fakti që duhen përpunuar rregulla që sigurojnë kohezion midis dëshirës absolute dhe plotësisht të drejtë të njëriut për “autonomi sociale”, nga njëra anë por dhe kultivim të ndjenjës së bashkësisë sociale. Beteja është për të filluar një process të përgjithshëm social të “humanizimit të emocioneve” të njeriut në shoqërinë tonë. Pa këtë humanizim ndjenjash Brenda vetes njeriu do ta ketë të vështirë të ndërtojë lidhjet e duhura me tjetrin dhe marrëdhëniet me shoqërinë në tërësi. Sepse në fund të fundit kur flasim për Njeriun Individualist  domethënë kemi parasysh Njeriun Njerëzor…

Loading...

Lini nje pergjigje