Dëborë shi dhe erëra të forta/ Moti i keq bllokon Veriun, Jugu rrezikohet nga përmbytjet

0
190

Moti i keq ka sjellë probleme në disa zona të vendit. Në Veri ka zona të bllokuara nga bora, ndërsa në porte janë krijuar probleme me daljen në det të mjeteve lundruese si dhe përpunimin e anijeve e anijeve të mallrave.

DIBER-Në të gjithë qarkun vijon përkeqësimi i motit, pasi reshjet e borës vazhdojnë me intensitet të lartë. Gjatë gjithë natës kanë vijuar reshjet e dendura të dëborës, ndërsa janë disa zona të izoluara. Vijojnë që të jenë izoluara zonat si Trebisht, Lurë, Kala e Dodës, Ostren dhe Selishtë, ndërsa trashësia e dëborës ka arritur në 70 centimetra.

Përpos këtyre zonave, është bllokuar edhe dogana e Trebishtit nga rrëshqitja e dherave në rrugë. Kjo doganë lidh zonën e Gollobordës me Maqedoninë. Por jo vetëm në Dibër, edhe në Theth dhe zona të tjera të thella në Dukagjin ka probleme me qarkullimin nga dëbora.

Aksi Librazhd-Bulqizë i pakalueshëm

Aksi Librazhd-Bulqizë është i pakalueshëm, segmenti Shkalka e Lunikut-Steblevë i bllokuar nga reshjet e shumta të dëborës. Trashësia në Steblevë ka arritur rreth 50 cm, ndërsa po punohet për hapjen e rrugës.

Në Pukë si pasojë e reshjeve të dëborës është bllokuar rruga në fshatin Iballë. Ka probleme në aksin rrugor Pukë – Fushë Arrëz. Banorët kërkojnë ndërhyrjen e mjeteve te ARRSH për zhbllokimin e rrugës ku në segmente te caktuara trashësia i kalon 40 cm.

Rrezik përmbytjesh në Jug

E ndërsa në veri vijojnë reshjet e dëborës, në jug të vendit sot priten reshje intensive shiu dhe përmbytje. Në jug në disa qarqe reshjet do të shoqërohen edhe me shtrëngata të forta. Në zonat malore priten reshje dëbore në 400m mbi nivelin e detit (në zona të kufizuara edhe më poshtë se ky nivel), ndërsa era pritet që të jetë e fortë.

Por problemi më i madh pritet nga përmbytjet. Nga llogaritjet hidrologjike të IGJEUM, (Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit) rezulton se sot dhe nesër në basenin e lumit Vjosa do të ketë rritje të prurjeve.

Prurjet më të larta nga drejtimi i lumenjve Drinos dhe Shushica do të jenë përgjatë ditës së sotme, ndërsa në pjesën e poshtme fushore të lumit Vjosa, prurjet dhe nivelet më të larta do të vërehen përgjatë të ditës së nesërme.

Nga llogaritjet paraprake të IGJEUM rezulton se nivelet e ujit do të jenë brenda kuotave të argjinaturave. Lumenjtë e tjerë në të gjithë territorin do të kenë rritje të prurjeve dhe niveleve, por nuk paraqesin rrezik.

Pezullohen lundrimet në Vlorë

Erërat e forta dhe moti i keq kanë bërë që deti te ketë dallgë të mëdha në Vlorë, duke bërë që ato të arrijnë deri në 9 ballë.

Duke parë dallgët dhe motin e keq, mësohet se është marrë vendimi që të pezullohet lundrimi për anijet e peshkimit dhe anijet tregtare në Vlorë.

Durrës, pengohet përpunimi i anijeve

Moti i keq me reshje të dendura ka bllokuar sot paradite përpunimin e dy anijeve me mallra në portin e Durrësit.

Nga Qendra e Informacionit në APD, mësohet se anija “NS Angela” me 4287 tonë çimento dhe “Sveti Duje” me 3400 tonë blloqe graniti, sot paradite nuk e kanë filluar procesin e shkarkimit të mallrave për shkak të reshjeve të pandërprera. Ka vijuar pa probleme vetëm ngarkimi me 7 mijë tonë çimento në anijen “Seaven Luck” në Terminalin Lindor.

Mësohet gjithashtu se dy tragetet e linjës Bari – Durrës, përkatësisht “AF Marina” dhe “Rigel II” kanë mbërritur në port sipas grafikut të parashikuar, rreth orës 7:30 të mëngjesit.

Nga Qendra e Informacionit, mësohet se në radhën portuale ndodhet anija “Golden Bay” që pret të ngarkohet me 4100 tonë çimento, ndërsa priten sot në port edhe anijet tregtare “Nevado 32” me 2894 tonë xhama dhe “Konosha” me 5251 tonë grurë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here