Po ju them një gjë për të cilën nuk di asgjë

0

Dr. Ndriçim Mehmeti

Në vitet e para pas çlirimit komunistët shkonin fshat më fshat me grupet e tyre të agjitacionit për t’u mbushur mendjen fshatarëve se sa i mirë ishte sistemi që ata do të vendosnin. Për të zënë më shumë vend fjala e tyre merrnin me vete më pakun e fshatit ose ai që kishte pak më shumë ndikim ndër bashkëfshatarët e tij. Me të njëjtin skenar kudo, në një fshat të Lumit të Vlorës, thërrasin xha Isufin, që t’i ndihmonte. Ai ju përgjigj se ishte gati t’i ndihmonte, por nuk dinte se çfarë t’u thoshte fshatarëve se ishte i pa shkollë. “E thuaj o xha Isuf- ju përgjigj- ai më i pari i grupit të agjitacionit për të mirat që do të sjellin na pushteti popullor”. Fshati u mblodh dhe u ul këmbëkryq tek sheshi qendror dhe hapën veshët të dëgjonin. Pasi folën një e nga një të gjithë agjitatorët, komisari foli pak më gjatë. Për ta bërë fjalën e tij më bindëse, ai ju drejtua fshatit: “Për të gjitha sa ju thashë, do t’ju flas edhe vetë, xha Isufi, burri më i nderuar i krahinës suaj”. Xha Isufi hodhi një vështrim, ngriti kokën dhe filloi: “Më raftë dambllaja mua që po ju flas e ju raftë pika ju që do më dëgjoni mua. Me pak fjalë o bashkëfshatarët e mi, iku koha kur qeni hante petulla. Me këta nuk bëhet shaka.”

Si mu kujtua kjo histori e viteve 1945-1948?

Nisur nga një intervistë ne ekranin e televizionit ERTV (që konkurron denjësisht CNN, BBC, FOXNEWS, AL-JAZEERA etj.), ku ministri i arsimit, e cila, shndërrinte nën ndriçimin e neoneve dhe dritave që ngjanin me foto-studiot e dikurshme, po na tregonte (mos) arritjet e arsimit. Tha, e ç’nuk tha, e nëse i mbetemi batutave të filmave shqiptar të para viteve 1990, që i ka për shumë zemër madhëria e tij, “u tha ç’u tha unë nuk mora vesh gjë, por jot shoqe i mori vesh të gjitha”.Pra tha se çfarë tha, skenaristi, ideatori, fjalë bërësi, që në këtë rast është edhe “mirëbërësi ynë’, madhëria e tij mund të ketë kuptuar shumëçka, por ne të vafrit asnjë gjë. Me pak fjalë i gjithë parashtrimi mund të përmblidhet në shprehjen “po ju them një gjë për të cilën nuk di asgjë”. Përtej ironisë, sarkazmës dhe humorit që mund të bësh, ka disa të vërteta, që janë kaq të dukshme, saqë ministri i arsimit, kryeministri, çudibërësi konstruktivist i politikës së arsimit, strategu i politikave arsimore tani shef i mjedisit, të ardhurit rishtar nga Kanada, e shumë prurje “të reja”, dikur bythë lëpirës të ministrit që la detyrën më 2013, nuk mund ti fshehin.

Prandaj nuk bëjmë keq t’u kujtojmë disa të tilla, pavarësisht se kambanat bien për ata që kanë vesh e dëgjojnë.

Morën arsimin profesional e shëtitën sa në një ministri e në një tjetër, duke shpikur modele që nuk i gjen askund, e sakatuan gjithandej dhe sot nuk dihet se ku është degdisur. Milionat e partnerëve ndërkombëtarë për projekte të ndryshme, nuk dihet se ku shkojnë, nuk dihet se nga varen shkollat e arsimit profesional, kush përgjigjet për trajnimin e mësuesve, pagat e tyre, infrastrukturën e këtyre shkollave. Dhe për këtë natyrisht që ministri i arsimit  nuk mund të thotë asgjë, sepse nuk di ndonjë gjë dhe nuk ka marrë vesh asgjë për rëndësinë që ka ky k=lloj arsimimi në zhvillimin e vendit.

Në 2013 MAS mori në dorë një armatë mësuesish dhe specialistësh, me paga dinjitoze, të cilët, prej asaj kohe nuk kanë marrë asnjë cent shpërblim të gjithë mësuesit. Tani ata janë pa paga, pa kontratë kolektive, të nëpërkëmbur dhe të dhunuar. U kërkohet 1 mijë lekë për përmbytjet, 1 mijë lek për pemë, u kërkohet libreza  e ujit përndryshe i hedhin në rrugë. Në 2013 kishin një kontratë kolektive të firmosur në 2010 që zgjaste deri në 2014. Tani janë pa kontratë dhe të përbuzur pse kërkojnë të drejtën e tyre.

Shkollat u lanë me linjë interneti dhe pajisje bazike për zhvillimin e lëndës së Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit. Sot nuk dihet as fati i kompjuterave dhe as i linjës së internetit. Prej asaj kohe askush nuk mund të na thotë me saktësi se cilat janë kabinete e reja, në fushën e TIK dhe në lëndët shkencore.

Në 2005-2013 u ndërtuan dhe rikonstruktuan mbi 1300 shkolla të arsimit parauniversitar në gjithë Shqipërinë. Sot pritet që të  lëvrohet fondi “one bilion dollar”, për të mundësuar ngritjen e 100 a 150 shkollave, por që nuk dihet afati i tyre. Të tjerat do t’i bëjë Lali me koncesion, ndërkaq që taksa e përkohshme për arsimin (që besoj se do të bëhet e përhershme), nuk dihet se ku shkoj.

Do thotë dikush: Dale mor mik se u bënë edhe reforma.

U bënë o posi. Le t’i marrim me radhë edhe të ashtuquajturat reforma e të ngremë pyetjet që nuk kanë marrë e nuk do të marrin përgjigje asnjëherë.

Çfarë u bë me nismën e patronazhit: “Një ministër një shkollë”? Ministrat që ishin dhe ata që mbetën jo vetëm nuk ja kanë haberin se ku janë shkollat që morën nën patronazh. Mbaj mend për shembull që ministrja aktuale e arsimit mori nën patronazh shkollën “Andon Zako Çajupi”.

Si u realizua projekti për mësimin e edukatës fetare në shkolla? Askush nuk ka informacion për të. U ngrit një grup pune (siç u tha) që është paguar për hartimin e një programi, u bë një modul nga ish-këshilltari i ministres së arsimit. Pastaj ç’ndodhi? Kurrgjë. U harrua dhe nuk flet askush.

Po nisma për  klasat inteligjente, që kishin “korrur një sukses të paparë” në 60 shkolla? Mbeti rrugës. Nga epoka digjitale, kaluam në atë të gurit të palatuar. Shkollat u kthyen në magazina qepësh e maternitet për kuajt.

Po projekti i shkollës komunitare ju kujtohet. Dështoi me sukses të plot nga fillimi në fund. Tani ai është zëvendësuar me projektin ta kthejmë shkollën në beton, vend droge, qejfi, ku nuk afrohet nxënësi pale më komuniteti.

Më e famshmja iniciativë e hartimit të kurrikulave të shahut e promovuar prej Kryeministrit Rama, përfundoi në koshin e harresës. Me siguri Kryeministri mendon për ndonjë kurrilulë të re në fushën e mbjelljes-korrjes-shirjes e magazinimit të gjethes së gjelbër dhe boçes së lulëkuqes.

Konkurset e famshme “të hapura” për drejtuesit e shkollave, të DAR/ZA-ve, u shndërruan në emërime të posaçme të militantëve me një detyrë të vetme: Shkatërroni arsimin, depersonalizoni mësuesit dhe përpiquni ta ktheni shkollën në strehën e organizatës bazë të partisë në pushtet.

E ashtuquajtura reformë e teksteve, përfundoi në një shpërndarje fondesh për më të besuarit e oborrit të madhërisë së tij. Përmes eunukut të madhërisë së tij, të instaluar në zyrat plot luks të MAS, u bë e mundur një përzgjedhje e kujdesshme e miqve e dhe armiqve të pushtetit, e atyre që janë gati të bëjnë qoka dhe atyre që nuk pranojnë të paguajnë ose paguajnë pak. Në mes të tyre do të lemë një shteg të ngushtë për ndonjë që vërtet e meriton por sa për sy e faqe.

Reforma e trajnimit të mësuesve të arsimit parauniversitar, përfundoi në një mish mash (MAS). Qendrave serioze të trajnimit mbetën me shumë pak mësues, të tjerët që u preferuan nga oborri shisnin kreditet në kafene për qejf të vet.

Patëm edhe një risi të risive, në gjetjen e risive: Shkolla e drejtorëve. Një institucion krejt i veçantë  “i pavarur” nga politika, por i varur nga Ministria e Arsimit. Drejtues faktik u bë njeriu më i afërt i ministres, lektorë punonjësit e ministrisë dhe institucioneve të varësisë, studentë gjaku i ri i partisë në pushtet. Ideatorët e shkollës së partisë në periudhën e diktaturës do ta kishin zili, këtë shkollë drejtorësh në demokraci.

Qershia mbi tortë nga reforma e mbi reforma: 3 lëndë në 6 orë. E pa aplikuar në asnjë vend, e jashtëligjshme për nga mënyra sesi e vendos, e pa zbatueshme në terren. Më së fundi mund të themi pa frikë se arsimi po ecën në rrugë të pashkelura dhe po çan shtigjet ku dhia nuk kishte kaluar.

Jam i sigurt se çuditë nuk do të kenë të sosur, ndërsa do ta na duhen vite te tëra të kthejmë një situatë normale në arsim. Ndërkaq arsimi do të vijoj të mbetet larg qendrës së vëmendjes së qeverisë dhe shumë larg pritshmërive krahasuar me vendet e rajonit dhe jo të Evropës.

Lini nje pergjigje