Afrohet “gremina” e investimeve të huaja, kush i largon nga Shqipëria?

0
240

Me përfundimin gradual të ndërtimit të gazsjellësit TAP dhe të Hidrocentralit të Devollit, gremina e rënies së ndjeshme të investimeve të huaja të drejtpërdrejta tek ne, të parashikuara nga Banka Botërore me ulje deri në 22 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit (me rreth 200 milionë euro më pak çdo vit nga ky vit 2018 deri më 2019-ën), po afrohet e frikshme. Së bashku me dërgesat e emigrantëve (remitancat), paratë nga investimet e huaja na garantonin shëndetin e lekut, mbajtjen e vendeve të punes dhe hapjen e atyre të reja. Mungesa e këtyre 200 milionë eurove çdo vit, ky hon i frikshëm mund të sjellë uljen e vlerës së këmbimit të lekut, me mijëra vende pune të humbura dhe përkeqësimin e treguesve financiarë publikë. Niveli i investimeve publike ka pasur luhatje të mëdha gjatë këtyre viteve, por rritja më e madhe me bazë vjetore është shënuar në vitin 2008, gjatë qeverisë Berisha. Në këtë vit, investimet publike u rriten me 65% krahasuar me një vit më parë. Tendenca në rritje vijoi edhe për vitin 2009, kur qeveria ishte Berisha-Meta. Në vlerë absolute niveli më i lartë i investimeve publike është shënuar në vitin 2009 me 95.9 miliard lek.

Përgjatë viteve 2004-2018 mesatarisht 64% e investimeve publike është financuar nga burime të brendshme, ndërsa 36% nga burime të jashtme. Çdo vit investimet publike janë dominuar nga nivele të larta të financimit të brendshëm, me përjashtim të vitit 2012 ku vetëm 44.5% e investimeve publike janë financuar nga burime të brendshme. Viti 2007 përfaqëson vitin ku investimet publike janë financuar më shumë nga burime të brendshme, me rreth 85% te tyre. Në dy vitet e fundit raporti financim i brendshëm dhe financim i jashtëm ka mbetur pandryshuar, ku 64% e investimeve publike janë financim i brendshëm dhe 36% janë financim i jashtëm.  Një raport interesant për tu shqyrtuar është dhe niveli investimeve publike për banor. Raporti investime publike për banor ka ardhur në rritje të vazhdueshme nga viti 2004 e deri në 2009, ku viti 2009 shënon edhe vitin me vlerën më të lartë të këtij raporti prej 32,752 lek investime për çdo banor. Ky raport ka qenë në nivele rënëse pas vitit 2009, por në dy vitet e fundit, 2017-2018 ky raport është përmirësuar ndjeshëm duke arritur në nivelin e 29,788 lek investime për çdo banor në vitin 2018.

Po si qendron puna me burimet e investimeve?

Ndoshta i vetmi lajm i mirë aktualisht mund të quhej mundësia e futjes së 97 milionë eurove investim në 3.5 vjet për ndërtimin e aeroportit ndërkombëtar të Vlorës. Por kjo është një shifër gati qesharake. Kaq nuk mjafton. Me një dallëndyshe nuk vjen pranvera. Programi i 1 miliardë dollarëve investimeve publike, të menduar nga qeveria se do të realizohen duke mobilizuar kapital të huaj nëpërmjet formulës së partneriteteve publik-privat (PPP), duhet të ri-orientohet për nga programe buxhetore për të ndihmuar dhe garantuar kreditë e bankave të nivelit të dytë në sektorë si prodhimi dhe përpunimi i produkteve bujqësore, eksportet bujqësore, turizmi rural dhe ai malor, pasi kanë treg të garantuar. Investime në rrugë dhe ndërtime shkollash nuk janë të frytshme nëpërmjet formulës PPP, pasi ngarkojnë në një periudhë afatmesme dhe afatgjate buxhetin e Shtetit dhe paratë e të gjithë ne, taksapaguesve.

 

Nëse qeveria nuk vendos shpejt, brenda një periudhë ndoshta edhe më pak se një vit e gjysmë, në mes të vitit 2019, do të ndodhet në ujëra të thella. Me një inflacion të rritur, lek që shvlerësohet dhe rënie të besimit të prodhuesve dhe atij konsumator, do ta ketë shumë më të vështirë se sot. Programi i investimeve publike duhet të ri-lansohet në publik, me këto ndryshime thelbësore, për të ngjallur shpresë e besim mes sipërmarrësve më aktivë, edhe të vegjël e të mesëm të vendit, jo vetëm mes 6-7 kompanive kryesore. Këto të fundit nuk kanë pre presin si peshkaqenë të uritur, për ndonjë llokmë të majme të buxhetit të shtetit, nëpërmjet peshkimit të ndonjë investimi”PPP, duke gjuajtur ndonjë kompani të huaj fantazëm apo gjysmë fantazme, për të maskuar makutërinë e tyre me gjoja “investim i huaj strategjik e serioz”. Ndërkohë, Banka Botërore ka kritikuar menaxhimin e investimeve publike nga qeveria Rama. “Menaxhimi i borxhit është një fushë me performancë të fortë. Në kontrast, menaxhimi i investimeve publike mbetet një sfidë”, thuhet në raportin e BB. Në raportin e posaçëm ku skanon shpenzimet buxhetore dhe menaxhimin e financave publike në Shqipëri, banka shpjegon dhe arsyet se pse menaxhimi i investimeve është problematik. “Të dhënat jo komplete, sistemet e dobëta të mbikëqyrjes të shoqëruara me ndërhyrjet politike cenojnë efektivitetin dhe efiçencën e vendimeve për menaxhimin e investimeve publike”, thuhet më tej. Shqipëria investon mesatarisht 600 milionë euro në vit në projekte publike si rrugë, shkolla apo vepra të tjera. Por veçanërisht veprat madhore, zgjaten me disa vite përtej afateve, siç është rasti i rrugës Elbasan-Tiranë por edhe by pass-et e Fierit dhe Vlorës.

Zgjatja e afateve përveçse rrit koston për qytetarët dhe ul efektivitetin e tyre ka dhe kosto sociale.

“Dobësitë në menaxhimin e investimeve publike, reduktojnë rolin e tyre në mbështetjen e objektivave të qeverisë për zhvillimin ekonomik dhe social”, vijon raporti.

Sipas Bankës këto probleme kërkojnë vëmendje të shtuar, duke përfshirë mungesën e vlerësimeve gjithëpërfshirëse për projektet publike, si dhe mbikëqyrjen e tyre. Ndërkohë, edhe kryetari i Dhomës Britanike në Tiranë, Zenel Hoxha ka deklaruar se investitorët britanikë konsiderohen ndër më seriozët, jo vetëm në Europë, por edhe gjerë. Së fundmi, për shkak edhe të problemeve që po kalon ekonomia e tyre nga Brexit, ata i kanë ktheyr sytë nga rajoni i Ballkanit dhe Shqipëria, si pjesë e tij. Por klima që gjejnë tek ne, nuk është nga më miqësoret. Mungojnë rregullat, ato me të cilat funksionon një treg i lirë. Sipas tij, qeveria shqiptare duhet jo të ulë, por të zhdukë “the red tape”, korrupsionin, i cili fillon me kërkesa 10-50% ryshfet, përkundrejt vlerës të investimit nga zyrtarë të papërgjegjshëm, duke bllokuar kështu investime jetike për vendin dhe të ardhmen e tij. Statusi i investitorit të favorizuar nuk duhet të jetë vetëm për ata që investojnë në shifra mbi 100 milonë euro, por të përfshijë mundësisht të gjithë ata që investojnë, pavarësisht nga shifrat.

Paketa fiskale të jetë sa më konkuruese në raport me vendet e rajonit sepse kjo e sotmja vazhdon t’iu sherbejë vendeve fqinjë, si Maqedonia sepse në vitet e fundit, jo pak investitorë të huaj kanë ardhur në Shqipëri, ku pas një xhiroje boshe (për shkak të klimës së biznesit të acaruar) kane pushuar (investuar) në Maqedoni etj.

Shqipëria ka nevojë të domosdoshme thithjen e investimeve të huaja direkte, sidomos në kushtet, kur dy projektet e medha, si TAP-i dhe HEC Devolli janë drejt përfundimit. Për vitin 2018-2019, Shqipëria do të ketë një ulje të investimeve të huaja në masën 44 për qind në raport me Produktin e Përgjithshëm Bruto (GDP-së). Opsioni i propozuar nga qeveria shqiptare, siç është ai Partnerit Publik Privat, në masë të gjerë nuk është zgjidhje afatgjatë për stabilizimin e buxhetit të shtetit me të gjithë aksesorët e tij, deficiti, inflacioni, papunësia etj, sipas tij.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here