“Bastard, nuk më bëre dot asgjë”, Ermal Meta kujton dhunën e të atit dhe fëmijërinë e vrarë

0

“Vietato morire”, kënga përfaqësuese e vitit të kaluar në Sanremo ishte ndër më të preferuarat e këtij festivali, madje edhe pretendente për të fituar çmimin e parë. Edhe pse nuk triumfoi, ajo mbeti një ndër këngët më të bukura për mesazhin që u dha të gjithëve. Ermali ia dedikoi së ëmës dhe së shkuarës së dhunshme në familjen e tij. Pas çmimit të tretë të vitit të kaluar, kënga e këtij viti ishte edhe më e fuqishme. Edhe ajo, më shumë se për të gjithë elementët në kompleks, ishte e fuqishme për mesazhin e madh që mbart në fjalët e shkruara nga Ermali.

Polemikat nuk kanë munguar as këtë herë, si çdo herë. Por pas këtij triumfi, kush më shumë se Ermal Meta është i lumtur?

“Non mi avete fatto niente”, kënga në bashkëpunim me Fabrizio Moro-n ishte më e votuara e publikut, ndaj u kurorëzua me çmimin e parë të festivalit më të rëndësishëm të këngës italiane. Në thelb, ka një mesazh të madh për terrorizmin, por brenda vargjeve të saj, Ermali s’mund të lërë pa hedhur ndjesitë dhe dhimbjen e tij.

Në një intervistë të pak ditëve më parë për mediat italiane, kantautori shqiptar është shprehur se kur e ka kënduar, ka menduar edhe për fëmijërinë e tij të vështirë dhe të atin e dhunshëm. Mesazhin e këngës, Ermali ia ka përcjellë edhe të atit duke i thënë se nuk i ka bërë dot asgjë dhe nuk e ka penguar dot për të arritur atë që ka dashur të bëjë në jetë.

“Kur e kam kënduar për herë të parë, më erdhi në mend fëmijëria ime. Doja të këndoja me forcë: Bastard, nuk me bëre dot asgjë”, – tha Ermali pas pyetjes nëse kënga i kujtonte momente nga jeta e tij private.

Ai që i shkatërroi fëmijërinë nuk mundi dot t’i shkatërrojë jetën, përkundrazi, i dha forcë dhe vullnet për të vazhduar përpara.

“Është një emocion i papërshkrueshëm. Këtë çmim ia kushtoj shtëpisë sime diskografike, që ka besuar tek unë atëherë kur askush tjetër nuk e bëri”,- tha Meta pasi fitoi çmimin e madh të Sanremos dhe pas kësaj deklarate, publiku në sallë shpërtheu në duatrokitje.

“Nuk më keni bërë asgjë”, një këngë për të fortët, një këngë për ata që nuk dinë të dorëzohen.

Lini nje pergjigje