Skandali i rradhës në portalin “Mësues për Shqipërinë”, mësueset nxjerrin të palarat

0
2242

Mësueset, të zhgënjyera pas konkurrimit në portalin “Mësues për Shqipërinë”. Nga 30 pikë maksimumi, shumica e mësueseve siguruan mbi 40 pikë, për shkak se janë bërë pjesë e një konference, duke paguar te privati

Ermira Shehaj, mësuesja nga qyteti i Gramshit ka treguar për gazetën “Shekulli”, se ndihet e zhgënjyer nga portali “Mësues për Shqipërinë”, pasi ka verifikuar disa padrejtësi gjatë fazës së parë të aplikimit me dosje. Mësuesja ka treguar se nga 30 pikë që ishin maksimumi, një pjesë e madhe e mësueseve kanë siguruar mbi 40 pikë, për shkak se janë bërë pjesë e një konference lidershipi, në disa fusha edukimi, kundrejt një pagese prej 100 eurosh. E gjitha me qëllimin për të rritur pikët në dosjet e mësuesve që t’i nënshtroheshin këtij projekti.

Ermira, konkurruat këtë vit në provimin e portalit “Mësues për Shqipërinë”?

Jo, sepse mbajta pikët që kisha vitin e kaluar, pasi kam me shumicë.

Ke besim te portal “Mësues për Shqipërinë”?

Jo. Të shikoj se në cilin vend do listohem këtë vit.

Këtë vit konkurrimi do të jetë në sistem dhe më i sigurt, çfarë ju humb besimin?

Epo, në konkurrimin me dosje, zonjat me lekë kanë marr nga 40% e kusur pikë. U futën me 40 pikë në dosje, sado që të dalësh mirë në provim, këta e arrijnë me dosje. Zgjidhja më e mirë është të ikësh nga ky vend!

Çfarë do të thotë kjo, nuk ka pasur kontroll gjatë konkurrimit me dosje?

Të shumtë ishin ata që i blenë letrat dhe shtuan pikët. Morën pjesë në botimet e një konferencë lidershipi, kundrejt një pagesë me 100 euro e ca dhe fitonte pikë në dosje. Nuk kishte kontroll, ishte i padrejtë, sepse unë në 3 DAR që konkurrova me dosje mora vlerësim të ndryshëm. Unë kisha 20 pikë, por mora;18, 19.5 dhe 19.4 në një kohë që vlerësimi është standard. Nga 30 pikë maksimumi ishte hyrja me dosje dhe kolegët kanë hyrë me mbi 40 pikë. Më mirë do të ishte të merreshin për bazë pikët e provimit dhe jo sa letra blejnë “shkrimtarët”. Të kesh botime libri me ISBN merr pikë dhe mësuesit u bënë shkrimtarë brenda një kohë shumë të shkurtër. Shumë mësues botuan dhe morën pikë apo bënë kumtesa të një x trajnimi që kushtonte euro. Po të kisha aq lekë do kisha marr pjesë dhe do e kisha qarë kumtesën. Unë pres të renditem me pikët që kam.

Mesueset nga Devolli

Pavarësisht se këtë vit në provimin e portalit “Mësues për Shqipërinë”, futet sistemi online i aplikimit, duke zbehur disi ndërhyrjen e DAR-ve apo të ZA-ve në punësimin dhe shkarkimin nga puna, mësuesit kanë treguar se ndihen të zhgënjyer nga portali, pasi nuk i ka ndihmuar të punësohen. Përvojat e shumta të tyre tregojnë se ai nuk funksionon sipas ligjit, por sipas dëshirave të drejtorëve të ZA. Mësueset nga Devolli, Jusilda Shkëmbi dhe Brikena Zhuleku, tregojnë arsyet se pse nuk pranuan të konkurrojnë në portal, duke mbajtur rezultatin e vitit të shkuar. Në këtë interviste për “Shekulli”-n, ato theksuan se punësimi i tyre nuk varet nga portali, për aq kohë sa funksionon miku dhe politika.

Jusilda, si është përvoja juaj me provimin e portalit “Mësues për Shqipërinë”?

Unë jam nga këto studentët që kur kanë dalë nga shkolla nuk ju është dhënë mundësia që të punojnë. Vjet konkurrova në portal dhe meqë dola e para pretendoja një vend punë.

Pra, nuk keni punuar asnjë ditë në arsim si mësuese histori-gjeografie?

Jo. Sepse thonë se nuk ka vende punë për degën tuaj, madje për këtë degë preferojnë të vendosin mësues jashtë profilit.

Pse preferojnë të punësojnë mësues jashtë profili, pikërisht për degën tuaj?

Sepse në shkollën e Devollit, në degën time është punësuar një mësues gjuhë-letërsie, që jep njëkohësisht dhe lëndën e fizkulturës. Mësuesja ka mbaruar shkollën part-time dhe jep degën time. Duke qenë se vjet dola e para dhe nuk jam punësuar asnjë ditë si mësuese, u zhgënjeva dhe nuk konkurrova këtë vit, por mbajta pikët që kisha vjet. Kjo nuk do të thotë që nuk duhet të luftoj për këtë padrejtësi që më është bërë. Unë kam bërë një ankesë te Ministria e Arsimit dhe më kanë dhënë të drejtë.

Çfarë prisni të bëjë për ju Ministria e Arsimit, ju kanë dhënë një përgjigje?

Ata thonë se do ecim në bazë të ligjit. Nuk kam besim as te portal “Mësues për Shqipërinë”, pasi në Zyrën Arsimore të Devollit shkelin rregullat, veprojnë kundër ligjit, konkurrentin e fundit e punësojnë pa marrë në konsideratë fituesin e parë.  Fituesja e tretë në portal, ishte një mësuese me 29 pikë dhe e kanë punësuar, por jo në lëndën histori-gjeografi. Justifikohen duke thënë se ajo punon jashtë profili si mësuese ndihmëse për fëmijët me aftësi të veçantë, por duhej të më pyesnin mua që kam dalë e para në portal edhe pse nuk do pranoja, sepse këta fëmijë kanë nevojë për mësues të specializuar për një trajtim të veçantë të tyre.

Brikena, konkurruat këtë vit në portalin “Mësues për Shqipërinë”?

Unë kam dalë e dyta vjet në portal dhe sipas ligjit duhet të ishin punësuar 3 të parat. Para se të konkurroja në portal na thonin, se ka vend për degën tuaj, por nuk ka mësues të kualifikuar, ndërsa kur konkurruam në portal, thonë se nuk ka vende punë. Këtë vit thjesht dorëzova pikët, sepse duke qenë se vjet vendi i parë dhe i dytë nuk u punësuan, këtë vit s’kemi shpresa.

Pse mendoni se nuk po zbatohet portali “Mësues për Shqipërinë”?

Në Devoll nuk është zbatuar asnjëherë punësimi në degën time për histori-gjeografi, prandaj nuk kam besim se portali ndihmon për t’a zgjidhur këtë problem. Arsyet mund të jenë politike ose njohjet miqësore që kanë njerëzit në këtë vend.

Drejtoresha e DAR Tiranë

Drejtoresha e DAR Tiranë, Arjola Byzyka në një intervistë për gazetën “Shekulli”, ka bërë me dije disa nga risitë që do ketë konkurrimi këtë vit për aplikuesit, ndërsa thekson se me sistemin online, DAR nuk ka asnjë lidhje me rezultatet e provimit, pasi gjithçka do të komandohet nga konkurruesit. Ata kanë mundësi të marrin përgjigjen e provimit direkt, si dhe të njoftohen për punë nga sistemi.

Znj.Arjola, si do të jetë faza e dytë e konkurrimit për aplikantët?

Këtë vit ka ndryshuar tërësisht mënyra e aplikimit. Në fillim bëhet aplikimi me dosje, pastaj testimi në sistem, i cili do bëhet te QSHA, nuk bëhet më i organizuar nga drejtoritë arsimore. Kandidatët do të renditen sipas pikëve që marrin. Ata kanë llogarinë te sistemi i portalit “Mësues për Shqipërinë”, secili kandidat aplikon vetë. Aty do të shikojë gjithmonë se ku është renditur dhe ofertat e punës do vihen online. Ofertat e punës do të hidhen vazhdimisht sipas mundësive që sjellin shkollat.

Vjet ka pasur shumë mësues që kanë dalë të parët në provimin “Mësues për Shqipërinë”, mund të ketë dhe këtë vit. Do të punësohen të gjithë?

Varet nga profili, pasi nuk do të thotë që të konkurrosh në portal të pret vendi i punës. Vendet e punës krijohen nga pensionet, del njëri në pension dhe zëvendësohet nga tjetri. DAR-et nuk kanë asnjë lidhje me sistemet, kandidati e shikon vetë se ku është radhitur, nëse është pranuar apo refuzuar. Vetëm ai ka akses në sajë të pasëordit. Janë 1230 mijë kandidatë që po presin të bëhet testimi online dhe të radhiten, ndërsa 770 nuk e bëjnë testimin, pasi kanë pranuar të futen në sistem me rezultatet e provimit të vitit të kaluar.

Kur do bëhet testimi online për kandidatët që kanë kaluar fazën e parë?

Tani pritet të dalë një datë zyrtare me vendim ministri. Do të mbyllet sistemi, të gjenerohet lista e gjithë Shqipërisë, pastaj do të përcaktohen hapat kur të hapet testimi online, rezultati i të cilit del direkt.

Eglantina Metani

Ndërsa Drejtoresha e DAR për shkollat e qarkut, tha për “Shekullin”, se mësuesit që kanë dorëzuar vetëm pikët dhe kanë qenë të parët në portal, do t’i bashkohen atyre që do dalin nga testimi e këtij viti, por do të ndryshojnë në renditje. Eglantina foli dhe për një projekt të ri që ka qëllim të eliminojë klasat kolektive, aty ku është i mundur transporti.

“Mësuesit që kanë dorëzuar vetëm pikët, do t’i bashkëngjiten atyre që do dalin nga testimi i këtij viti vetëm me numrin e pikëve, por mund të ndryshojnë në renditje, sepse mund të dalë një tjetër para tij nga ata që testohen këtë vit. Mësuesit jashtë profil ne parim nuk ekzistojnë. Te gjithë janë në profilin e tyre, por qëllon që 80% e normës mësimore e ka në profilin e tij, ndërsa në 20% që ngelet ai mund të mbajë për shumë pak kohë në orë të profilit të përafërt. Për klasat kolektive është bërë një studim që do marr rrugë. Do të hiqen klasat kolektive në disa zona ku është i mundur transporti. Studimi është miratuar dhe jemi drejt fundit”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here