Vjedhje 825 mln €/vit nga administrata “rilindase”, ja pse dështojnë investimet!

0

Nuk ka dyshim tashmë mbi atë se pse investimet publike në vendin tonë po dështojnë “me sukses”, borxhi publik rritet ndërkohë që rrugët po shkatërrohen, energji nuk ka, urat po shemben, shtëpitë po i merr lumi në kuptimin e plotë të kësaj fjale. Taksat janë rritur, po ku shkojnë ato? Insitucionet publike kanë shkaktuar një dëm prej 825 milionë euro. Kjo lidhet qoftë me pjesën e shpenzimeve ashtu edhe me mungesën e të ardhurave që duhet të ishin arkëtuar. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka mbyllur bilancin e punës për vitin 2017 ku jep edhe detajet për fushat ku ka hasen edhe më shumë probleme ku rekordin e mban qiradhenia shteterore. Këto shkelje financiare përgjithësisht i përkasin veprimtarisë ekonomiko-financiare për periudhënkohore 2014-2016, përcaktuar për çdo subjekt të audituar në programet e auditimit.

KLSH e ndan dëmin total në tre grupe ku në të parin përfshihen parregullsi dhe shkelje financiare, në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera, me dëm ekonomik në shumën totale prej 11.5 miliard lekë ose 85.8 milionë euro. Tek grupi i dytë kategorizohet shkelja e disiplinës financiare me ndikim negativ në perfomancën e subjekteve të audituara, në shumën totale prej 99.05 miliard lekë, afërsisht 739.7 milionë euro nga e cila: 92.7 miliard lekë në fushën e të ardhurave, afërsisht 692.1 milionë euro dhe 6.3 miliard lekë afërsisht 47.8 milionë euro, në fushën e shpenzimeve jo me eficiencë dhe efektivitet të fondeve. Në total janë konstatuar shkelje në shumën 110.5 miliard lekë ose afërsisht 825,6 milionë euro.

Së treti KLSH ka bërë një vlerësim lidhur me detyrimet tatimore dhe doganore. “ Për vitin 2016 rritja e detyrimeve ndaj tatimeve dhe doganave (borxhi tatimor dhe doganor) si dhe skemës së sigurimeve shoqërore është në vlerën 51.17 miliard ose 41% më e lartë se viti 2015” vlerëson KLSH.

Rekordin për dëmet më të larta sipas fushës e mban pjesa e shitjes dhe dhënies me qira të pasurisë shtetërore që rezulton me një vlerë 4.1 miliardë lekë. Më pas në vendin e dytë është pjesa e riblerjes së pasurisë shtetërore me 2.89 miliardë lekë. Doganat janë të renditura  sit ë tretat me një vlerë dëmi të konstatuar prej 1.9 miliardë lekë kurse prokurimet në vendin e katërt me 1.58 miliardë lekë. Grupi i tatimtaksave rezulton me një dëm prej 370 milionë lekë për t’u pasuar nga shpenzimet operative me 251 milionë lekë. Në fund dëmi më I vogël është konstatuar në fushën e pagave shpërblimeve dhe sigurimeve shoqërore me 91 milionë lekë dhe në fund urbanistika me 8.8 milionë lekë. Pjesa e mbetur e sektorëve të audituar por që nuk klasifikohet në asnjë nga fushat e mësipërme është grupuar nën emërtimin “Të tjera” me një vlerë 503 milionë lekë.

Projekte të dështuara që në letër

Përdorimi me efikasitet i buxhetit të shtetit tashmë është parashikuar në ligj, ku është e përcaktuar qartë se investimet do të jenë të mirëprogramuara. Por në një kohë kur qeveria ka “trumbetuar” projektin e madh “1 miliard”, sipas kuadrit makro-ekonomik dhe fiskal i miratuar tashmë për tre vitet e ardhshme, ai nuk pritet të sjellë ndryshime të mëdha në financime kapitale. Kështu referuar këtij dokumenti, investimet publike janë programuar të mbahen në një nivel mesatarisht prej rreth 5 për qind të PBB në çdo vit. Këto konsiderohen nivele optimale për mbështetjen e një rritje ekonomike të lartë e të qëndrueshme. Po t’u referohemi në vlera reale të parashikuara, rezulton se për vitin e ardhshëm vlera e investimeve publike do të jetë 87.8 miliardë lekë, për vitin 2020, 92.2 miliardë lekë dhe për vitin 2021, 95.2 miliardë lekë. “Megjithëse politika fiskale do të vazhdojë të jetë e orientuar drejt konsolidimit në periudhën afatmesme dhe afatgjatë, politika buxhetore e qeverisë për të ruajtur një nivel të investimeve publike në rreth 5% të PBB në vitet 2019-2021 do të stimulojë formimin e kapitalit fiks bruto në ekonomi, esenciale kjo për të mbështetur nivele relativisht të larta rritje në periudhën afatmesme dhe afatgjatë”, thuhet në dokumentin e Kuadrit Makroekomik dhe Fiskal.

Po çfarë pritet të arrihet me programet, që vetëm 5% të PBB-së mendohet të adresojnë në investime të reja?

Për herë të parë, vetë qeveria ka pranuar së fundmi se përfundimi i dy projekteve madhore të investimeve të huaja, gazjsllësi TAP dhe hidrocentrali i Devollit do të kenë ndikim negativ në ekonomi. Në programin e Reformave Ekonomike 2018-2020, analizohen pasojat që përfundimi i këtyre dy veprave do të ketë në të paktën dy drejtime kryesore: tek fluksi i investimeve dhe importet. “Në projeksionet afatmesme të dinamikës së investimeve është faktorizuar edhe pritshmëria për ngadalësimin e ndjeshëm të fazës së ndërtimit të dy projekteve të mëdha, atë të hidrocentralit të Devollit dhe atë të gazsjellësit TAP krahasuar me pikun e kësaj faze që ishte gjatë viteve 2016-2017. Ky është faktori kryesor që investimet nga një rritje e fortë e parashikuar prej 10.3% në 2017 pritet që ta ngadalësojnë ndjeshëm ritmin e rritjes në rreth 4.8% në 2018. Megjithatë në të njëjtën kohë ngadalësimi i fazës zbatuese të këtyre dy projekteve pritet të ketë një efekt negativ shumë më të zbutur në rrtjen totale të ekonomisë përfshi edhe vitin 2018, ku fillon thyerja. Kjo pasi një pjesë e konsiderueshme e inputeve të këtyre dy investimeve ishte e importuar dhe jo e prodhuar në vend. Rrjedhimisht, kjo reflektohet edhe në ngadalësimin e rritjes së parashikuar të importeve të mallrave në vitin 2018 në rreth 2.5% nga 5.1% në 2017, në terma vjetorë realë”, theksohet në dokumentin e qeverisë, të publikuar në Fletoren Zyrtare.

Ekspertët kanë apeluar vazhdimisht nevojën për gjetjen e burimeve të reja të investimit për zëvendësimin e këtyre dy veprave që përfudnojnë, duke theksuar pasojat që do të kishte ekonomia. Por deri më tani, qeveria kishte mbajtur një qëndrim deri diku indiferent ndaj një impakti të tillë të mundshëm. Aeroporti i Vlorës dhe oferta 100 milionë euro e konsorciumit turk është “asi nën mëngë” i ekzekutivit për të zëvendësuar dy projektet e TAP dhe HEC-it të Devollit, por edhe për të mbështetur rritjen ekonomike, të parashikuar këtë vit në 4%, më poshtë sesa pritshmëritë e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore.

Por nuk janë vlerësuar mirë nga ndërkombëtarët as koncesionet aktuale. Fondi Monetar Ndërkombëtar thotë se, koncesioni i aeroportit Nënë Tereza, rrjedhojë e marrëveshjes së vitit 2005 mes qeverisë shqiptare dhe TIA-s, nuk është një histori suksesi, por një rast nga i cili mund të nxirren shumë mësime. Këto përfundime nënvizohen në raportin e sapopublikuar të Fondit Monetar Ndërkombëtar, me titull; infrastruktura publike në Ballkanin Perëndimor, mundësitë dhe sfidat. “Ky Partneritet Publik Privat arriti disa objektiva kryesorë, por mësime mjaft të rëndësishme duhen marrë. Shqipëria siguroi ndërtimin dhe funksionimin e një aeroporti modern me standarde të larta, dhe kjo u arrit me rreziqe mjaft të ulta fiskale. Gjithsesi, investimi, mund të ishte bërë ndryshe, duke lehtësuar rritjen e trafikut ajror, rritjen e të ardhurave që lidhen me tarifat më të larta të rritjes së aktivitetit dhe vendosjen e Shqipërisë në pozita më konkurruese në tregun rajonal të fluturimeve ajrore”, thotë në këtë raport unik në llojin e tij Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Madje, FMN thotë se, shumë shqiptarë janë detyruar ndër vite të udhëtojnë drejt aeroporteve të vendeve fqinje me autobus për të marrë fluturimin e tyre, për shkak të tarifave disa herë më të ulta. “Kostot e fluturimeve relativisht mjaft të larta drejt Shqipërisë mund të kenë ndikuar në ardhjen e turistëve në vend”, nuk ngurron të nënvizojë Fondi Monetar Ndërkombëtar. Për këtë arsye, thotë institucioni, “TIA” nuk i ka shërbyer sa duhet zhvillimit të tregut të fluturimeve ajrore në vend. Gjithsesi, FMN nuk harron të përmendë edhe rinegocimin e kontratës në vitin 2016, që çoi në shtyrjen e kontratës koncesionare me 7 vite, si dhe heqjen e monopolit. Të gjitha këto kanë ndikuar që Shqipëria të ketë një hendek prej thuajse 80% me mesataren e Bashkimit Europian sa i përket transportit ajror. Këto e thotë vetë Fondi që ka përpiluar edhe indeksin e hendekut në infrastrukturë.

Lini nje pergjigje