Pse po goditet roli dhe vlera e martesës?

0
291

Gëzim Tushi

Sipas të dhënavë të fundit nga INSTAT-i në Shqipëri niveli i divorceve ka arritur në 24%. Ose e përkthyer më qartë për lexuesin në çdo 100 martesa 24 prej tyre pësojnë “abort” dhe shkojnë në divorc. Kjo në interpretimin sociologjik dhe logjik do të thotë se si shoqëri jemi në situatën kur divorci është bërë shqetësim i madh social. Madje me përmasat që ka marrë duhet konsideruar sociologjikisht si një nga problemet sociale që ka ritme të agravuara.  Kjo do të thotë se në se vlerësojmë zhvillimet në “botën e martesës” ato tregojnë se ai mund të jetë në të ardhmen e afërt fenomeni i divorcit, frekuenca sociale dhe statistikore e tij. Ato tani janë shumë të larta. Motivet që bëjnë divorcin shkakun kryesor social dhe degradues të martesës, kohët e fundit janë shtuar. Sa më shumë i studion rastet e veçanta dhe tipologjinë e përgjithshme të martesës dhe lidhjeve martesore, aq më shumë të bindesh se nuk kemi të bëjmë me ndojnë arsye të vetme apo shkak të veçantë. Analiza e realitetit të destruktimit masiv të martesës, tregojnë se shkaqet e divorcit janë bërë të shumta, të përziera dhe gjithnjë e më shumë të shumëllojshme.

Ka prej tyre që janë thelbësore dhe që e justifikojnë divorcin si zgjidhje në rrugë sociale e ligjore të martesës. Por sipas meje në tërë tipologjinë dhe larminë e shkaqeve të divorcit, kohët e fundit duket se po bëhen sunduese ato që janë me natyrë të sipërfaqëshme. Madje, tani në epokën postmoderne më shumë se me konturet e një plage sociale me shkaqe konsistente, divorci po bëhet “modë”. Në vend që të vlerësohet si alternativë shkatërruese e martesës, ka filluar për fat të keq të pëlqehet edhe pranohet, jo vetëm nga partnerët që divorcohen, por dhe nga familjet e tyre, madje edhe nga shoqëria jonë.  Duket se ka një mendjelehtësi sociale në trajtimin e thelbit dhe interpretimin e pasojave të divorcit nëe Shqipëri. Kjo është arsyeja pse janë zmadhuar optikat që e shikojnë dhe vlerësojnë divorcin vetëm “çështje personale” dhe dukuri të izoluar të jetës private, dhe pothuaj e vlereësuar si fenomen që mund të mos përbëjë fare problem për shoqërinë tonë.  Nuk është sasia e divorceve se sa është alarmant këndshikimi dhe interpretimi semplist i tij. Duke e analizuar nga pikëpamja e tipologjisë sociale divorcet e shumta që bëhen gati çdo ditë në Shqipëri, dhe për të qenë analog më të vërtetën e realitetit tonë kontekstual, mund të themi se shkaqet e tij shumë herë janë të vërteta, mbushamendëse, esenciale dhe në mënyrë të padiskutueshme e motivojnë dhe justifikojnë divorcin që të ndodhë.

Por në shumë raste shkaqet e divorcit janë aq shumë sipërfaqësore, madje krejt banale dhe të pajustifikuara moralisht dhe juridikisht. Në shumicën e tyre divorcet që ndodhin në Shqipëri kanë arsye rastësore. Shumica e faktorëve që shkatojnë divorc, që pranohen si argument nga partnerët që divorcohen dhe mbështeten nga gjykatat që bëjnë divorcet, janë të lidhura me prirjet e sotme për dominim në martesë, rritja e nivelit të agresivitetit verbal, fizik e psikologjik, rritja e nivelit të neurotizmi martesor, mungesa e tolerancës në çift, konceptimet arkaike për “moralin seksual”, etj.

Shqetësuese sipas meje është fakti që divorcet janë bërë veprime sociale të shpeshta, të dhunshme dhe me pasoja sociale në rritje. Nga ana tjetër është shumë e rëndë situata, që tregon se në mënyrë fatale të gjithë konfliktet e martesës në mënyrë paradoksale dhe absurde, çojnë në pjesën dërmuese të rasteve të konfliktit martesor në divorc. Kultura jonë e martesës ka një difekt të rëndë qytetar dhe ontologjik, që është e trashëguar nga e kaluara jonë.  Në të gjitha rastet konfliktet që mbeten brenda familjes apo që shfaqen publiksht  në gjykatë, kalojnë në divorc. Vetëm në raste shumë të rralla konflikti martesor apo dhe procesi gjyqësor i nisur për divorc mund të kalojë përmes konsensusit të partnerëve dhe aq më shumë të çojë drejt “riparimit të martesës”, gjetjes së gjuhës së përbashkët, kapërximin e konfliktit momental dhe rikrijimin e kushteve të arsyeshme dhe humane për rifillimin e një raporti të normalizuar martesor.  Kjo është e mundur kur partnerët bëhen të arsyeshëm, dhe gjejnë gjuhën e përbashkët pasi ka ndodhur konfliktit paradivorcor. Megjithatë jemi të detyruar që martesën dhe fenomenin e divorcit t’i shikojmë dhe vlerësojmë në kontekstin e kohës postmoderne. “Në këtë mënyrë, çdo individ i zakonshëm, që ka ndërmend të martohet, ka një lloj ideje se si ka ndryshuar institucioni familje, ndryshime që lidhen me pozitën sociale, alternimet në orientimet seksuale etj, ku secila prej tyre përfshihet në proceset e ndryshimit të mëtejshëm, duke pasqyruar këtë ndryshim”. A. Giddens, “Pasojat e modernitetit”, f. 43

Padyshim duke bëtë një vlerësim sociologjik dhe statistikor të rasteve të shumta të divorceve të bëra vitet e fundit në Shqipëri, mund të themi se martesa si institucion i jetës sociale dhe relacion personal, është “rrethuar” dukshëm nga shumë rreziqe. Të brendshme dhe të jashtme. Sepse divorcet jo vetëm po shtohen, por janë bërë epidemi sociale pikërisht nga që martesa si institucion social dhe strukturë bazale e lidhjeve intime, ndodhet parballë rrezikut të trajtimit me “mendjelehtësi sociale” të pajustifikuar nga partnerët martesorë. Kjo ide të krijohet menjëherë deri sa numuri i divorceve në vendin tonë ka kapur shifra shumë të frikshme, që flasin për tronditjen e thellë dhe mungesën e qëndrueshmërinë së martesës. Padyshim, martesa është relacion që ka problemet e veta. Ka konfliktet dhe kontradiktat e natyrshme. Por ai është një relacion që në të njëjtën kohë i ka të “dy shanset” e veta, që mund të forcohet si martesë me kalimin e kohës, ose të deformohet dhe destruktohet nga paqartësitë dhe konfliktet e partnerëve martesorë. Në martesë në të gjitha rastet është mundësia, që njerëzit pasi martohen mund të shpalosin gradualisht natyrën dhe botën e tyre personale. Kjo bën të mundur që partnerët të jenë në gjëndje të komunikojnë, të merren vesh me njëri tjetrin dhe të përballojnë me durim dhe sukses nevojat e tyre individuale në martesë dhe brenda kontureve të saj. Nuk ka martesë që nuk ka probleme, keqkuptime dhe konflikte të çiftit martesor.  Por kjo situatë që pothuaj është e pranishme dhe shfaqet në nivele të ndryshme në çdo lidhje martesore që ka dy rrugë, ose ajo do të bëhet shkak për gjetjen e gjuhës së marrëveshjes martesore dhe  njëherësh bazë për krijimin e një “lidhjeje të re” mbi bazën e dy identiteteve të reja të rikrijuara pas konfliktit martesor, ose ajo për shkak të mos gjetjes së gjuhës dhe thellimit të konfliktit në çift, do të sjellë patjetër divorcin shkatërrimtar.

Për shoqërinë tonë numuri në rritje i divorceve dhe mungesa e luftës për “ringritjen e martesës” pas konfliktit, përbën shqetësim social. Fakti që konfliket dhe keqkuptimet e natyrshme të martesës në raste shumë të rralla çojnë në rimarrje të konsolidimit të lidhjes martesore, në zbutjen e nivelit të problemeve patologjike të martesës dhe rikrijimin e një raporti të ri martesor, tregon shumë për të sotmen dhe të ardhmen e saj. Kjo është arsyeja pse si rregull, martesat në Shqipëri në çdo nivel qoftë konflikti patologjik, më së shumti kalojnë drejt divorcit se sa drejt një rrimarje të zhvillimit të martesës në një nivel të ri mirëkuptimi reciprok të çiftit martesor. Por me këtë nivel kaq të lartë të divorcit në Shqipëri dhe këtë tipologji absurde të shkaqeve fatale të realizimit të prishjes së martesave, kam frikë se jemi në një situatë kur sociologjikisht nuk besoj se është e lehtë, të parashikosh drejtimin e lëvizjes që do të marrë martesa në të ardhmen. Nga mënyra si zhvillohet dhe sasia ststistikisht e frikshme e divorceve që realizohen në vit (24 në 100 martesa), martesa më shumë është bërë institucion që më shumë “ikën” se sa një institucion që “po vjen”. Duke parë difektet aktuale të martesës, në shoqërinë tonë (sidomos tek të rinjtë) po krijohet idea sociale dhe kultura e kundërmartesës. Nga që martesa masivisht po brehet nga divorci është krijuar idea tek shumë të rinj, se martesa po del jashtë mode dhe është bërë institucion social kundër qëllimeve dhe destinacionit të vet. Akoma më keq dhe fare i gabuar është idea e disa të rinjve eksentrikë të cilëve u duket sikur vetë martesa është bërë institucion social ngatërrues, shqetësues dhe disfunksional.  Në se me këtë situatë të divorcit përballemi jo duke u nisur nga fati individual i martesës personale, por nga roli social i martesës dhe divorcit në shoqëri, atëherë do të ishte e udhës të mendojmë pozitivisht për të. Duke parë tipologjinë e martesave dhe diagramat e divorcit në kohën e sotme, duket se ka një tendencë që po përforcohet së tepërmi në shoqërinë shqiptare. Njerëzit martohen akoma në moshë të re përgjithësisht, por në të njëjtën kohë ata ndahen shumë shpejt, nga që martesa është ngritur shpejt dhe pa bazament të qëndrueshëm.

Natyrisht që në jetë nuk ka martesa të përkryera. Vetëm për gënjeshtarët dhe hipokritët mund të ketë të tilla. Në këtë botë nuk ka martesa tërësisht të lumtura, të përkryera dhe pa difekte. Martesa është një marrëdhënie që ka dialektikën, problemet, telashet dhe të mirat e saj. Secili në martesën e vet ka problemet e individualizuara të saj. Niveli i tyre është i ndryshëm dhe kjo varet nga mënyra si njeriut e ndërton, menaxhon dhe konsumon martesën, bashkë me të mirat e shumta dhe të metat jo të pakta të saj. Koha po tergon se martesat kanë nevojë të mirëmbahen që të funksionojnë.  Mungesa e kujdesit bën që ato të ndryshken, të oksidohen apo të shndërrohen në lidhje të sforcuara problematike të çifitit, që e bëjnë martesën të lodhshme, të mërzitshme, që lodh bashkëshortësinë dhe për pasojë sjell divorcin, prishjen e maartesës dhe ndarjen e bashkëshortëve. Njerëzit që e motivojnë martesën, që përpiqen të gjejnë anët e mira të saj, kanë më shumë shanse të flasin dhe të gjejnë oazet e shumta të lumturisë së martesës dhe jetës bashkëshortore. Në këto kushte janë të gjitha mundësitë dhe janë në dorën e bashkëshortëve, që jetën martesore ta bëjnë më të gjatë dhe më të lehtë për veten e tyre, për familjen dhe indirekt edhe për shëndetin social të shoqërisë tonë. Në martesë nuk hyhet as me ëndrra të tepërta e utopi seksuale, por as me paragjykime për vështirësistë e ekzistencës dhe problemet shqetësuese të funksionimit të saj.  Idolatritë dhe paranojat janë shkaqet psikologjike të zgjeruara që janë bërë destruktive për ekzistencën dhe funksionimin e martesave. Në martesë ka dy rrugë, ose të bëhesh vesveseli, duke gjetur shkaqe të lidhjes martesore për të vërtetuar difektet e saj, pamundësinë e funksionimit për një kohë të gjatë, ose me ndjenjë realizmi do të duhet të përpiqemi dhe të merremi me martesën dhe problemet e saj. Me të mirat dhe hallet e pashmnagshme, duke bërë të mundur ta shijojmë atë ashtu sic është ajo në kufijtë dhe destinancionin e saj.  Rrugë tjetër për të rregulluar martesën apo për të mos e shkatërruar atë nuk ka. Në vend që të merremi me lente në dorë, për të gjetur difektet dhe mangësitë bashëshortore të njëri tjetrit, duke e bërë martesën problematike dhe të paqëndrueshme, do të ishte më mirë që atë ta shikojmë nga ana e mirë e saj, të përqëndrohemi në shumë aspekte të mrekullueshme të martesës. Në vend që t’i mëshojmë gjetjes së difekteve si rrugë për të “thyer martesën”, është më mirë ta mirëmbajmë ose të përpiqemi në çdo rast që me shpirt konstruktiv të rregullojmë “veglat e martesës” të cilat në kohën tonë thyehen shpesh dhe duhen mirëmbajtur.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here