Spahiu: Nisma për statusin e minatorëve jo për mua, por për njerëzit që kanë punuar me dekada nëntokë

0

Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim Përparim Spahiu ka reaguar ashpër ndaj qeverisë për situatën e minatorëve. Spahiu në fjalën e tij në Kuvend tha se këta minatorë ju kanë votuar edhe ju i shpërfillni.

Sot flas në emër të minatorëve që vdiqën në krye të detyrës, dhe në emër të atyrë minatorëve në pension që qeveria i ka harruar.

Ja fjala  e plotë e Spahiut në Kuvend:

Të nderuar kolegë
Sot flas në emër të:
Kujtim Licit, 42 vjeç, që ka humbur jetën më 24 janar 2014, në galeritë e minierës së Matit;
Shkëlqim Pislit, 40 vjeç, humbur jetën me 29 maj 2014, në galeritë e Cërrujës në minierën e Matit;
Xhemal Selës, 50 vjeç, dhe Denald Baçit 35 vjeç, humbur jetën me 19 gusht 2014 në galeritë e Martaneshit;
Jonuz Nelajt,50 vjeç, humbur jetën më 2 nëntor 2014, në galeritë e minierës së Bulqizës;
Tasim Dodës, 65 vjeç, humbur jetën me 20 janar 2015, në galeritë e Hasit;
Skender Tafës, 58 vjeç, humbur jetën më 16 mars 2015, në galeritë e minierës së Matit;
Azgan Kurtpalajt, 40 vjeç, humbur jetën me 27 janar 2017, në galeritë e Tropojës;
Liman Ketës, 30 vjeç, humbur jetën më 25 tetor 2017, në galeritë e minierës së Bulqizës;
Dhe të Eduard Damës, 27 vjeç, humbur jetën më 15 nëntor 2017, në galeritë e minierës së Bulqizës.

Këta janë minatorët që kanë humbur jetën, përgjatë qeverisjes suaj, që nga viti 2013.
Por, sot flas dhe në emrin e mbi 300 minatorëve që kanë humbur jetën në dhjetë vitet e fundit.

Sot flas në emrin e qindra pensionistëve, ish-minatorë, që marrin një pension qesharak për kontributin që i kanë dhënë këtij vendi.

Sot flas edhe për ata qindra të tjerë, që punojnë sot në të gjitha minierat e vendit, në punën më të vështirë që mund të bëjë një qenie njerëzore, pa asnjë siguri për shëndetin, pa asnjë siguri për jetën, shumica e të cilëve me paga qesharake për punën mjaft të rëndë që bëjnë.

Por çfarë kërkoj unë me Statusin e minatorit?

Asgjë më shumë se sa Statusi i naftëtarëve, miratuar një vit më parë nga kjo qeveri.
Asgjë më shumë se një pagë minimale, jo më e vogël se 200% e pagës minimale në shkallë vendi.

Kjo rrogë për minatorët që punojnë 1800 metra nën tokë, është e barasvlershme me rrogat që disa prej jush paguajnë për punën e një sekretareje.
Asgjë më shumë se një trajtim mjekësor dy herë në vit, qoftë në institucionet shtetërore (ku qendra shëndetësore duhet të ndërtohet pranë minierës), por dhe ato private. Ilaçet të jenë 100% të rimbursuara për minatorët.

Kemi kërkuar pension minimal, jo më pak se 131% të pagës minimale në shkallë vendi. Sot një arsimtar, një efektiv policie ose një ushtarak, të gjitha profesione të nderuara, marrin pensione 2-fish më të larta se një minator, me kushte pune, jo të barabarta.

Ky status është i hartuar dhe i mbështetur nga tri sindikatat kryesore të vendit, është i ngjashëm me Statusin e Naftëtarit, i cili, siç e thashë, është votuar një vit më parë.
Ne vendosëm ta huazojmë atë, me ndryshime të vogla, jo ligjore, por financiare, ku këto të fundit kanë një qasje më racionale, me kushte më të favorshme për Buxhetin e Shtetit.

Është e vërtetë që ka disa sindikata që kanë përplasje idesh për Statusin e Minatorit. Këto përplasje dhe debate shpesh janë të nxitura nga qeveria ose segmente të caktuara të pushtetit. Por kurrsesi këto përplasje nuk duhet të jenë justifikim për qeverinë që të mos votojë më tej Statusin që vendos fatin e 21 mijë minatorëve.

Sindikatat në Shqipëri përgjithësisht nuk kanë funksionuar, dhe për këtë, fajtor absolutisht është pushteti që ju keni krijuar. Besoj e mbani mend kryeministrin tonë, i cili me deklaratat e tij unike, fton investitorët e huaj dhe u thotë hajdeni në Shqipëri, se këtu nuk ka sindikata dhe punohet pa pengesa.

Dhe këtë e thotë me krenari, sepse ka arritur deri në atë pikë sa të ndrydhë sindikatat, shoqërinë civile e shumë faktorë që ndikojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve përballë pushtetit që mbështet vetëm të pasurit. Ne nuk kemi bërë diçka të paligjshme, pasi në të kundërt ju duhet të votonit edhe kundër “Statusit të Naftëtarëve”.

Me këto propozime të thjeshta, e kam depozituar projektligjin fillimisht në Kuvend, në muajin mars 2017. Kodi i Procedurës Administrative e qartëson se kthimi i përgjigjes nga qeveria për këtë projektligj duhet të ishte brenda 3 muajve. Por për muaj të tërë nuk u kthye kjo përgjigje, aq sa u detyrova ta ridepozitoj sërish në muajin shtator. Dhe çfarë ndodhi, përgjigja më erdhi pas 5 muajsh, në janar, sërish në shkelje të afateve ligjore.

Por Ju nuk pyesni për ligje, kur i shkelni vetë…

Kjo është vetëm maja e ajsbergut, pasi përgjigja e qeverisë ishte vërtet cinike dhe qesharake. Qeveria thotë se projektligji nuk shoqërohet me një relacion të detajuar për përfituesit dhe kostot financiare, ndërkohë që është detyra e ministrisë së Financave që përllogarit kostot, ndërsa Instituti i Sigurimeve Shoqërore merret me skemën e përfituesve.
Qeveria shprehet me rezervë për këtë nismë ligjore, pasi ndërhyrja në skemë mund të shkaktojë efekte negative.

Si mundet që qeveria të dalë në një përfundim të tillë, në një kohë që nuk ka përllogaritur as kostot dhe as pasojat e këtij projektligji?!

Pra, me pak fjalë, një përgjigje evazive.

Qeveria thotë se nuk mund ta ndryshojë pagën minimale pasi bie ndesh me Kodin e Punës së Republikës së Shqipërisë. Madje jep disa shembuj të shteteve europiane, si Gjermania a Holanda, që pagën minimale e kanë njësoj për të gjitha kategoritë e punës.
Kjo është krejtësisht e pavërtetë! E para, sepse e njëjta metodologji është ndjekur edhe me “statusin e naftëtarit”, ku paga e tyre është jo më pak se 150 % e pagës minimale në shkallë vendi. Dhe e dyta, Gjermania, që prej prillit 2014, ka krijuar kuadrin ligjor të pagës minimale për së paku 13 kategori pune, ku në krye të tyre është puna nën tokë. Raporti pagë minimale e përgjithshme me pagë minimale nëntokë, në Gjermani është nga 1 me 2 deri në 1 me 2.5.

Por jo vetëm kaq. Në Gjermani paga minimale në përgjithësi në raport me pagën totale bruto të deputetit atje është 1 me 6, ndërsa tek ne 1 me 9. Pra, ju keni krijuar një hendek ekonomik mes politikanëve dhe qytetarëve mjaft më të madh se Gjermania.

Në fund, qeveria thotë që brenda këtij viti do të marrë një nismë për hartimin e një projektligji për të gjithë ata që punojnë në profesione të vështira. Pra, me sa duket, qeveria jo vetëm që nuk ka ndërmend të bëjë një status të vakantë për minatorët, por kjo klikë e pushtetit e ka hallin te beneficet politike, që të shfaqet para publikut se ata janë të vetmit që bëjnë reforma në këtë vend.

Por kjo nuk duhet e nuk mund të funksionojë kështu me jetën e minatorëve.
Ky status, nuk është imi, por i minatorëve, nuk është benefit politik, por social, nuk është i LSI-së a i PD-së, por i njerëzve që kanë punuar për dekada nën tokë.

Të nderuar kolegë deputetë, ju sot po vendosni për fatin e minatorëve.
Ju bëj një thirrje të sinqertë, dilni përtej siglave partiake dhe votoni në parim këtë status. Nëse ka probleme si status, hajde ta diskutojmë nen për nen, dhe të korrigjojmë çdo gjë që ju kërkoni.
Por ne nuk mund të fshihemi pas gishtit me pseudoargumente duke shtyrë me vite statusin vizjese minatorëve.
Sot, minatorët ju prisnin jashtë dyerve të parlamentit… Ata kishin udhëtuar me orë të tëra për të mbërritur këtu, për t’ju dëgjuar se çfarë do të thoni dhe për t’ju parë në sy kur hytë brenda parlamentit.

Ata ju kanë votuar, dhe falë atyre votave, disa prej jush janë në parlament. Sot, ju do të tregoni sesi po i përfaqësoni, a po mbroni interesin e tyre?!
Unë e di, që asnjë prej jush nuk është i lirë të veprojë pa një urdhër nga lart.

Jam shumë i vetëdijshëm që interesin personal ju e keni vendosur mbi interesin publik.
E kam parë në këtë parlament, që ju keni votuar me shpejtësinë e erës projektligje që mbrojnë të pasurit, ndërsa i keni shtyrë me vite për të varfrit.

Por kësaj here nuk ka kthim pas. Djersën dhe mundin e minatorëve nuk do ta lëmë vetëm në duart tuaja. Nëse votoni kundër, ju do të përballeni me revoltën më të fortë të minatorëve, dhe jua siguroj që protestat e tyre nuk do të jenë sa për të kaluar radhën.

Lini nje pergjigje