Ku na çuan pseudo-reformat e koncesioneve?!

0

Gjatë dy dekadave të fundit, të gjitha qeveritë kanë nënshkruar kontrata koncensionare me kompanitë private për delegimin e shumë shërbimeve. Me argumentin se privati menaxhon më mirë, koncensionet kanë qenë të formave nga më të ndryshmet. Qeveria Rama në mandatin e parë dhe atë të dytë po preferon një tjetër lloj koncensioni, atë të Partneritetit Publik Privat. Në thelb, para që jepen nga xhepat e taksapaguesve, por edhe buxheti i shtetit për kontraktuesit privatë. Pesha e koncensioneve pritet të rritet gjatë viteve të ardhshme. Kjo pasi qeveria ka shpallur dhe ka nisur ta bëjë realitet programin e saj 1 miliard euro të PPP-ve për infrastrukturën.

Por sa na kushtojnë koncensionet? Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave tregojnë se pesha e tyre gjatë viteve të fundit është rritur. E thënë ndryshe, ne po paguajmë gjithmonë e më shumë para nga buxheti i shtetit për t’i shërbyer. Sipas përllogaritjeve të buxhetit, në vitin 2016 pesha e koncensioneve llogaritej nga 7% e Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar. Një vit më vonë, ky nivel u rrit në 10% dhe parashikohet të kapë 20% në vitin 2018. Bëhet fjalë për totalin e koncensioneve të nënshkruara deri më tani, në rast se ato do të shlyheshin sot. Në rritje janë edhe kostot që paguajmë çdo vit nga buxheti i shtetit për këto kontrata. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, kostoja vjetore e koncensioneve në buxhet në vitin 2017 ishte 54 milionë euro. Ndërsa këtë vit, pritet të arrijë në 72 milionë euro ose 18 milionë euro më shumë.

Në teoritë ekonomike, koncensionet nuk janë të gabuara. Përkundrazi, janë forma për të financuar ekonominë dhe për të dhënë shërbime më të mira. Koncensionet e tipit Partneritet Publik Privat zbatohen sot rëndom në Angli, Francë dhe Turqi. Vepra të mëdha publike, jo vetëm në këto vende, por në të gjithë Europën janë ndërtuar nëpërmjet PPP-ve. Por ato kërkojnë transparencë në mënyrën e përzgjedhjes së projekteve, por edhe zhvillimit të tenderave. Garë mes ofertuesve për të siguruar kompaninë dhe çmimin më të mirë dhe një zbatim rigoroz të kontratave. A i kemi sot të gjithë këto?

 FMN

Ndërkohë, një raport analitik mbi rezultatet e reformave të kryera nga Rama ka një vlerësim tejet negative. Ekonomia informale e Shqipërisë është rritur përgjatë viteve 2014 -2015 sipas një studimi të posaçëm që ka bërë Fondi Monetar Ndërkombëtar. Të dhënat e Fondit tregojnë se në vitin 2015 ekonomia informale e Shqipërisë arriti në 26.2 për qind, teksa në vitin 2013 ky tregues ishte 25.6 për qind. Fondi ka gjetur se madhësia e ekonomisë në hije është rritur edhe pse qeveria shqiptare në vitin 2015 ndërmori një aksion të gjerë antinfomale .

Ekonomia informale e Shqipërisë arriti në minimumin e saj në 25.52 % në vitin 2012 ndërsa maksimumi i saj ishte në vitin 1990 me 43.1 për qind të saj. Por treguesi i mesatarizuar i ekonomisë së zezë sipas Fondit është 32.72%. Sipas Fondit, renditet e 54 në botë për madhësinë e ekonomisë informale në raport më PBB, mirëpo disa vende afrikane të tilla si Gana, Nanbia, Bostuana renditen shumë më mirë se Shqipëria.

FMN ka publikuar rezultat në lidhje me ekonominë e zezë për periudhën 1990-2015 për 158 vende Madhësia mesatare e ekonomisë hije në 158 vendet është 31.9 për qind, teksa Shqipëria e ka ekonominë gri mbi mesataren botërore. Madhesia e informalitetit eshte më e lartë Zimbabve me 60.6 për qind dhe Bolivi me 62.3 për qind të PBB-së. Më e ulta eshte ne Austri me 8.9 për qind dhe Zvicra me 7.2 për qind. FMN vlerëson se ekonomia e zezë për nga natyra është e vështirë për t’u matur, pasi gjetja e aktiviteteve në të zezë është e vështirë për tu zbuluar

Kërkesa për informacion në lidhje me ekonominë e zeze është rritur me kalimin e kohës e motivuara nga rëndësia politike dhe ekonomike. Për më tepër, aktiviteti i përgjithshëm ekonomik, duke përfshirë prodhimin zyrtar dhe jozyrtar të mallrave dhe shërbimet është thelbësore në hartimin e politikave ekonomike që i përgjigjen luhatjeve dhe ekonomike zhvillimin me kalimin e kohës dhe në të gjithë hapësirën.

 Dështimi i energjetikës

Nga ana tjetër, pavarësisht se u ndërtuan dhe po ndërtohen dhjetëra hidrocentrale anembanë vendit, furnizimi me energji i vendit mbetet i varur nga importi. Kjo pavarësisht reformës së në sektorin energjetik, që qeveria e konsideron të suksesshme. Në Fletoren Zyrtare është botuar “Programi i reformave ekonomike 2018-2020”. Në aneksin kushtuar energjetikës, qeveria vlerëson progres në këtë sektor, duke iu kthyer kështu përgjigje edhe shqetësimeve për mos arritje të targeteve, veçanërisht atij të humbjeve, sipas objektivave të përcaktuar të reformës. Por pavarësisht kësaj ecurie positive, vendi mbetet i varur nga importi i energjisë përsa i përket furnizimit. “Me gjithë potencialet e mëdha të vendit tonë dhe përmirësimi i performancës së sektorit të energjisë gjatë dy viteve të fundit, importet e energjisë mbeten ende të larta. Vendi ynë synon rritjen e prodhimit vendas dhe zvogëlimin e nivelit të humbjeve teknike dhe jo teknike të energjisë elektrike në rrjetin e shpërndarjes që ka ndikim të drejtëpërdrejtë  në uljen e sasisë së energjisë së importuar për përmbushjen e kërkesës për energji elektrike në vend”, theksohet në dokumentin e qeverisë. Më tej, ekzekutivi evidenton hapat që do të ndërmerren për çuarjen përpoara të reformës dhe që kanë të bëjnë me liberalizimin e tregut dhe ndarjen e operatorëve energjetikë, si OST dhe OSHEE. Hapa këto që janë kërkuarm për t’u bërë me shpejtësi edhe nga Sekretariati i Energjisë.

Mbyllen bizneset

Numri i bizneseve që kanë deklaruar mbylljen e aktivitetit pranë tatimeve është rritur gjatë fundit të vitit të kaluar dhe muajt janar të këtij viti. Ndryshimet në ligjin për procedurat tatimore kanë bërë që sipërmarrësit, por edhe administrata fiskale të jetë më e qartë për situatën e biznese në vend. Kështu referuar të dhënave më të fundit të përditësuara në fillim të muajit shkurt, të regjistrit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, numri total i bizneseve pasive në këtë fillim viti rezulton të jetë 112 070.

Ndërkohë në fund të muajit gusht të vitit të kaluar numri i këtyre bizneseve pasive ishte 109 099. Sipas legjislacionit në fuqi, bizneset që rezultojnë me status pasiv nuk janë subjekt i dorëzimit të bilancit pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit. Drejtoria e Përgjithshme e tatimeve, gjatë dy viteve të fundit   po aplikon procedurën për përditësimin e listës së këtyre subjekteve, kjo në sajë të funksionimit edhe të sistemit të ri informatik të tatimeve. Ky sistem tashmë po nxjerr  apo fut automatikisht edhe  strukturën e bizneseve që janë “borxhli” ndaj tatimeve, si dhe bizneset e  tjera  që janë në proces falimenti.

Ky sistem të dhënash nga administrata tatimore synon që krahas uljes së evazionit fiskal, ka për qëllim dhe publikimin e listës, e cila vë në dijeni palët e treta për të mos kryer transaksione (shitje – blerje) me subjekte të cilët janë pjesë e regjistrit pasiv. Një subjekt transferohet nga regjistri aktiv në regjistrin pasiv në rast se nuk ushtron më veprimtari tregtare për një periudhë tatimore prej 12 muajsh të njëpasnjëshëm; nuk dorëzon deklaratën tatimore për një vit dhe gjithashtu deklaron në QKR pezullim veprimtarie tregtare për një periudhë një vjeçare apo pa afat të përcaktuar.

Lini nje pergjigje