19 mijë italianë në Shqipëri? Zbulohet gënjeshtra e Ramës dhe Veliajt

0
348

19 mijë. Në artikuj gazetash, transmetime televizive apo thjesht në rrjete sociale, kur flitet për migracionin shqiptar në Itali, kjo është shifra me të cilën jemi mësuar të raportohet.

Po nga doli ky numër? E më kryesorja, kush e ka verifikuar? Nëse historia tërheqëse e “fluksit në kah të kundërt” është pohuar prej kohësh nga gazetaria italiane, artikulli i parë që mori mundimin të shkruante për fenomenin vjen nga tetori 2014, publikuar online, më pas i bërë viral, nga Corriere della Sera.

Burimi që autori citonte brenda thonjëzave është shqiptar: Erion Veliaj, në atë kohë ministër i Mirëqenies, sot Kryetar i Bashkisë së Tiranës. Ky është pasazhi:

‘Në vendin tonë jetojnë e punojnë 19 mijë italianë’, përllogarit Erion Veliaj, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë në qeverinë e parë socialiste të drejtuar nga Edi Rama. Numër që, përveç sipërmarrësve, përfaqësuesve diplomatikë dhe studentëve të regjistruar në kurset e mjekësisë në Università Cattolica Nostra Signora del Buon Consiglio, tregojnë për 15-16 mijë që kanë një kontratë pune”.

Tani, siç vë në dukje i njëjti artikull i “Corrieres”, ashtu siç ndodh në Itali me të gjithë qytetarët që vijnë nga vende jashtë zonës Schengen, edhe në Shqipëri të huajt që duan të qëndrojnë në vend për më tepër se tre muaj rresht janë të detyruar të kërkojnë leje qëndrimi: për arsye pune, studimi, apo bashkim familjar. E thënë ndryshe, me përjashtim të diplomatëve, një italian që punon apo studion në mënyrë stabël në Shqipëri ka për detyrë të paraqitet në organet shqiptare e të demonstrojë se përmbush kriteret e caktuar nga ligji.

Dinë diçka pensionistët italianë që ëndërrojnë një pushim ekonomik (dhe pa taksa) përtej Adriatikut, planet e të cilëve shpesh bien ndeshe me shtetin shqiptar, i cili, ashtu si çdo shtet i botës, nuk i konsideron të ardhurat nga pensioni si kriter i mjaftueshëm për të dhënë të drejtën e qëndrimit në territorin e tij.

Të dhënat zyrtare nga Ministria e Brendshme shqiptare

Pra, jemi te ligji shqiptar: Nëse është e vërtetë që 19 mijë qytetarë italianë “jetojnë e punojnë” në Shqipëri, atëherë 19 mijë qytetarë italianë duhet të kenë kërkuar dhe fituar të drejtën e qëndrimit nga autoritetet. Dhe këtu “pengohet gomari”, sepse raporti i përbashkët i Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Mirëqenies (dikasteri që ishte i Veliajt), më 2016 qytetarët e huaj me leje qëndrimi në Shqipëri ishin 8692, mes tyre vetëm 1694 italianë. Gjithmonë sipas raportit, më 1 janar 2017 në territorin shqiptar numëroheshin 12.519 qytetarë të huaj, baras me 0,4% të popullsisë. Ndër ta 1854 italianë, ose disa qind më tepër se mbajtësit e lejes së qëndrimit vjetore, por më pak se një e dhjeta e numrit të shfaqur në gazetat tona. Me pak fjalë, numri 19 mijë i përshkruar nga “Corriere” më 2014 nuk arrihet edhe nëse italianëve u shton të gjithë shtetasit e vendeve të tjera të pranishëm në Shqipëri më 2017: 3954 turq, 719 kosovarë, 331 kinezë, 184 sirianë…

Si përfundim dhe pa frikë nga ekuivokët: që qytetarët italianë aktualisht prezentë në Shqipëri janë më të shumtë se lejet e qëndrimit, kjo është plotësisht e mundshme. Arsyet janë të shumëllojshme: Janë ata që lëvizin midis dy vendeve apo që thjesht nuk e kanë marrë lejen. Janë edhe shqiptarët e kthyer atje pasi kanë marrë nënshtetësinë italiane. Do t’i numërojmë edhe ata? Problemi është që cilido të jetë kriteri i zgjedhur për të rritur numrin, 19 mijë mbetet jo në përputhje me të dhënat zyrtare.

Një “fake news” pa të keq?

Nëse jemi të gatshëm të besojmë që ministria e brendshme shqiptare jep të dhëna false dhe nëse nuk jemi të gatshëm të besojmë se në Shqipëri qëndrojnë ilegalisht, pa leje qëndrimi, më tepër se 17 mijë italianë, mbetet vetëm një konkluzion: më 2014, Erion Veliaj ka dhënë numra të ekzagjeruar, të cilët janë ofruar për vite me radhë nga organe të rëndësishme shtypi pa i verifikuar kurrë. Pse?

Motivet e Veliajt janë të kuptueshme: Në maj 2014, kur deklaroi për herë të parë shifrën për ANSA-n, ishte në Romë për t’u takuar me homologun Poletti. Objektivi i tij ishte nisja e bisedimeve për marrëveshjen për njohjen e ndërsjellë të pensioneve, një problem “historik” në marrëdhëniet italo-shqiptare, sepse nëse një qytetar shqiptar largohet nga Italia para se të ketë arritur moshën e pensionit humbet të gjitha kontributet e derdhura (edhe sot mungon marrëveshja midis qeverive). Veliaj kishte në këtë mënyrë interes të frynte numrin e italianëve në Shqipëri, për të pasur një pikë mbështetjeje në bisedime: ju njihni kontributet e derdhura nga shqiptarët, ne njohim kontributet e derdhura nga italianët. Nëse “gënjeshtra me qëllim të mirë” lindi në këtë kontekst, rezistenca e saj në kohë ka një arsye më të thellë. Ideja e një Shqipërie të re, e kërkuar dhe dëshiruar pikërisht nga ata që për dekada e lidhnin Shqipërinë me gomonet, është një copëz marketingu në linjë me propagandën e qeverive Rama: një strategji që synon rinovimin e imazhit ndërkombëtar të vendit dhe që iu drejtohet si sipërmarrësve të huaj po aq sa dhe shqiptarëve të diasporës, që falë kësaj politike gëzojnë më në fund një stereotip pozitiv – dhe që një ditë, ndoshta, do ta lajnë borxhin duke votuar nga jashtë, pikërisht ashtu siç propozon mazhoranca socialiste.

Më të vështira për t’u kuptuar janë shkaqet e besimit nga ana e italianëve. Me përjashtim të portalit Exit – që publikon edhe në italisht, por që është i regjistruar në Tiranë – nga kjo anë e deti asnjë zë nuk i ka kritikuar shifrat e ardhura nga politika shqiptare, megjithëse të dhënat e AIRE ishin shumë të qarta: siç është përmendur nga ambasadori italian Alberto Cutillo, italianët që më 1 janar 2017 ka deklaruar se banojnë në Shqipëri janë 1385. Duke evituar tërheqjen në valle të degradimit të politikës dhe gazetarisë sonë, lehtësia e pabesueshme me të cilën në Itali morëm si të vërtetë pa verifikim një numër mbështetet në rastin konkret mbi dy defekte tipike të marrëdhënies italo-shqiptare: mosinteresimi i shkujdesur nga ana italiane kundrejt “Shqipërisë së vërtetë” (një vend me të cilin gjithmonë jemi marrë shumë, por, duke nisur nga vetë ne dhe emocionet tone, pa marrë mundimin ta kuptojmë, si në kohën e fashizmit, ashtu edhe në kohën e komunizmit e të demokracisë); dhe në të kundërt simbolika e rëndësishme e palëvizshme që “Shqipëria e migrantëve” mbulon në imagjinatën kolektive italiane. Ja pse, për të treguar krizën tonë (dhe jo progresin e shqiptarëve) përdorim me dëshirë barcaletën se “shqiptarët tani jemi ne”. Një paralele që nuk njeh respektin për historinë që evokon dhe që një politikan i zgjuar shqiptar, me sa duket njohës ekspert i mentalitetit të fqinjëve, ishte i lumtur ta sugjeronte, i sigurt se do ta kishim ngrënë.

Një miqësi retorike

Të jetë e qartë: imigracioni italian në Shqipëri mbetet një risí e denjë për t’u shënuar. Është e vërtetë që sipërmarrja jonë e frekuenton vazhdimisht vendin, është e vërtetë që aeroplanët drejt Tiranës ngrihen çdo ditë nga aeroportet kryesore italiane, është e vërtetë që çdo vit dhjetëra (apo qindra? E di ndonjëri shifrën e saktë?) nxënës që nuk kalojnë testin kombëtar të mjekësisë regjistrohen në Buon Consiglio, është e vërtetë që turizmi italian është në rritje eksponenciale, është e vërtetë që pas tërmetit një resturator nga L’Aquila e rindërtoi jetën në Tiranë; pra është e vërtetë që sot Adriatiku është një kufi poroz, sidomos po të kujtojmë kohët e perdes së hekurt të regjimit enverist. Gjithçka është e vërtetë, e nëse duhet që kësaj risie i duhet dhënë një gjykim vlerash ashtu qoftë; është gjithçka “pozitive”! megjithatë, asnjë e dhënë zyrtare nuk na lejon të pohojmë që 19 mijë italianë “jetojnë e punojnë” në Shqipëri. Të vazhdosh ta përsëritësh është poshtëruese për profesionin tonë, ndërsa në planin politik nuk i përmirëson marrëdhëniet midis dy vendeve, nuk kontribuon në njohjen e Shqipërisë në Itali, nuk lufton stereotipet, nuk u bën nder shqiptarëve dhe nuk i ndihmon të jenë më mirë pas dekadash vështirësi – sa për kronikë, vështirësitë dhe emigracioni i shqiptarëve nuk kanë përfunduar, mjafton të shohësh kërkesat për azil në Evropë.

Është e trishtë ta provosh, por kjo miqësi retorike italo-shqiptare, e zbrazët dhe e improvizuar si shifrat që po përmendim, shërben më tepër se çdo fgjë për t’u dhënë pak oksigjen mediatik qeveritarëve nga ana tjetër e Adriatikut: politikanë në vështirësi, pavarësisht imazhit të bukur që u shesin shqiptarëve që nuk jetojnë më në Shqipëri, “miq” që në këtë fazë thelbësore të udhëtimit evropian kanë shumë nevojë për një partner adriatik serioz, por që kohët e  fundit Italia u rezervon kryesisht selfie dhe entuziazëm fals. Ekziston edhe dyshimi i fortë që kjo ndodh ngaqë nuk kemi ndonjë gjë më të mirë për të ofruar.

/Marrë nga Balcanicaucaso.org-Përgatiti: SYRI.net/

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here