Të rinjtë, tradita dhe rreziku i “tjetërsimit postmodern”

0

Gëzim Tushi

Më lehtë në pamjen e jashtme, por më vështirë në thelb e kanë të rinjtë e kohës së sotme, mundësinë personale të gjetjes së piketave të duhura orientuese, dhe sidomos të modaliteteve të përshtatjes së shëndetshme si kusht sine qua non për orientimin e tyre social në dallgët e vrullshme të jetës postmoderne. Terreni social postmodern në thelb i transformuar radikalisht dhe likuid, zgjerimi përmasave të nihilizmit social, veprimet ekzisbicioniste dhe ikonoklaste të rinisë në raport me parimet morale dhe vlerat e traditës, i kanë dhënë spunto një lloj determinimi super liberal dhe mbi individualist të jetës së tyre në shoqërinë tonë.

Të rinjtë në shoqërinë shqiptare janë sot grupi social që ka shumë vështirësi dhe për pasojë është më i rrezikuar, nga që nuk e kanë të lehtë orientimin me sens mase, gjetjen e raporteve të drejta  midis normave të traditës që vijnë nga e kaluara historike e shoqërisë shqiptare dhe presioneve të mënyrës postmoderne tëtë jetuarit, që është e orientuar nga globalizmi dhe vlerat e përbashkëta të mondialitetit. Kjo është arsyeja pse problemet që shqetësojnë të rinjtë tanë, janë bërë çështje të koklavitura dhe të aliazhuara midis të kaluarës, të sotmes dhe të ardhmes. Në mënyrë të padyshimtë ato janë edhe të vështira në trajtimin e tyre teorik, sociologjik dhe edukative.

Sidomos problemet e reja që kanë dalë para të rinjve, paqartësitë dhe vështirësitë e rindërtimit të raportit të rinisë me traditën dhe vlerat e së kaluarës. Kjo sepse tani të rinjtë shqiptarë jetojnë në kohë postmoderne, që është kohë e lirisë dhe liberalizmit kulturor dhe përpiqen të përshtaten me tempin dhe imperativat e saj.  Gjithë problemi është që të rinjtë e sotëm, bashkë me sjelljet sociale dhe qëndrimet e tyre në dukje ekzisbicionale dhe nihiliste ndaj traditës, të mos i paragjykojmë apriori. Përkundrazi, këto qëndrime dhe sjellje shpesh në dukje nihiliste dhe anormale, në mënyrë të sigurt që kanë shkaqet e tyre të thella, ontologjike dhe metafizike të ekzistencës, që jo domosdoshmërisht lidhen me të rinjtë tanë si brez në tërësi, apo në performancën e sjelljes individuale e perceptimeve të personalizuara të kuptimit të drejtë të raporteve të kohës postmoderne në të cilën jetojnë me modelet e kaluara, të trashëguara të traditës.

Problemi është që së pari ne prindërit, mësuesit, edukatorët dhe gjithë aktorët e jetës sociale dhe me fuqi në ndikimin publik, duhet të kuptojnë e të ndërgjegjësohen se është e pamundur të ruhet e shenjtëruar dhe e “pa prekur” tradita.  Kjo është e pamundur tani, kur të rinjtë shqiptarë jetojnë në epokën postmoderne, tejet të zhvilluar. Çdo lloj këmbëngulje konservatore e paragjykuese për të rinjtë “rebelë” që nuk respektojnë normat morale dhe rregullat sociale të traditës, në se do ju imponohej të rinjve të sotëm, me siguri që produkti i këtij imponimi do të ishte dhe do të shoqërohej pa asnjë dyshim me shfaqjen e një gjëndjeje pesimiste tek të rinjtë.  Në të vërtetë sot ka një debat lidhur me qëndrimet e diferencuara të njeriut postmodern ndaj traditës, që fillon nga idolatrizimi konservator e pa kushte i vlerave të saj, deri tej qëndrimet ikonoklaste dhe nihiliste që mohojnë çdo gjë të saj dhe në përgjithësi të pjesës së trashëgimisë sociale. Megjithatë unë mendoj dhe jam dakord me atë krah të sociologëve, që mendojnë se “rënia e disa vlerave të vjetëruara të traditës sociale, morale e kulturore është më shumë pozitive se sa negative”.

Ndaj duhet të bindemi së pari ne prindërit dhe edukatorët e tyre, se gjërat kanë ndryshuar dhe këto raporte të të rinjve me vlerat e traditës sonë morale e kulturore, nuk mund të jenë sikurse ato kanë qënë më parë. Sepse është krejt e vështirë në mos fare e pamundur dhe e vështirë të mendohet, se për të edukuar apo stabilizuar kulturalisht, edukativisht dhe nga pikëpamja sociale të rinjtë, mund të përdoret rruga e imponimit të “vlerave të traditës”. Ca më pak në kohën tonë nuk është e mundur të shpresosh, se mund të ndikosh edukativisht mbi të rinjtë e sotëm me anë të “stërvitjes” apo metodave mekaniciste të indoktrinimit masiv të dikurshëm. Megjithatë në asnjë kohë nuk është mënyrë e duhur kapitullimi para vështirësive apo heqja dorë nga edukimi i tyre edhe me disa vlera morale pozitive të traditës, thjesht nga që procesi është bërë shumë delikat dhe mjaft i vështirë. Personalisht mendoj se në këtë fushë ka shumë të meta dhe boshllëqe në rrugët dhe format që përdoren për formimin edukativ e kulturor të rinisë. Në këto kushte duhet së pari të vlerësojmë “vështirësitë shtesë” të formimit dhe edukimit të të rinjve tanë. Kjo do të thotë se duhet ndryshuar optika, këndi i shkimit, metodat, mjetet dhe në përgjithësi të gjitha paradigmat edukative tradicionale të së kaluarës. Kjo është detyrë prioritare, e domosdoshme.

Megjithatë situata e shfaqjes së një lloj “tjetërsimi të pakuptimtë” të qëndrimeve dhe sjelljeve të të rinjve në shoqërinë tonë, është e lidhur me një lloj nihilizmi in ekstremis të vlerave të traditës sonë kulturore, morale e sociale, e cila ka krijuar idenë, se të rinjtë e sotëm jo vetëm që nuk kanë më “piketa orientimi” si dikur, por ata ndodhen përpara një shkretëtire morale, kulturore dhe “shterpësie edukative” që i bën të rinjtë të mos dinë si të sillen dhe nga t’ia mbajnë.  Nuk besoj se tezën e drejtë të qëndrimit kritik dhe refuzues ndaj disa vlerave të “kapëerxyera” dhe të “përmbysura” të traditës, duhet ta bëjmë “tabu sociale” për orientimin dhe sjelljen e të rinjve të sotëm. Kjo do të thotë se duhet punuar ndryshe, sepse çdo gjë duhet bërë me masë. Ndaj është nevojë emergjente që të mësojmë të rinjtë tanë, që pavarësisht ndryshimeve të kohës, të kenë më shumë qëndrim pozitiv ndaj vlerave kulturore dhe morale të traditës dhe në mënyrë të natyrshme t’i vlerësojnë ato që vlejnë.

Sepse sikurse thotë filozofi i shquar Jurgen Habermas, “Traditat…ruajnë aftësinë e tyre jetësore, teksa ndërthurren në kanalet e rrjetëzuara të historive individuale jetësore…”. (J Habermas, “Midis natyralizmit dhe religjionit” faqe 310).  Qëndrimi i gabuar ndaj së kaluarës, në cilëndo nga format që të shfaqet, ka pasoja të dukshme në jetën sociale të shoqërisë, veçanërisht në komportimin social të rinisë, e cila është për shkak të moshës dhe mungesës së përvojës, është shtresa sociale që preket më shumë dhe viktimizohet më lehtë nga procesi i “tjetërsimit”.  Tendenca e shoqërisë postmoderne shqiptare për të ecur drejt fragmentarizimit të mëtejshëm, të pandalshëm prirje sociale e cila tek të rinjtë e sotëm shfaqet në mënyrë të veçantë, me virulencë, kërkon medoemos të zgjedhim dhe të mbrojmë disa prej “formave tradicionale” të lidhjeve njerëzore, të cilat shoqëria jonë i ka patur si vlera të saj. Në këtë kontekst duhen vlerësuar roli që ka patur familja, miqësia, fqinjësia në procesin e edukimit dhe komunikimit social të të rinjve. Bashkë me to nuk kanë qënë krejt pa vlera pranimi i formave të reja të organizimit të ndërmjetëm të rinisë, përmes organizimeve të të shoqërisë civile dhe formave të shumta të organizimit komunitar. Në këtë kontekst Emil Durkheim që në kohën e tij parashikonte se “ Karakteristikë në zhvillimin tonë është se ai ka shkatërruar me sukses të gjitha kontekstet e afirmuara sociale, ato janë dëbuar njëri pas tjetrit, ose nga amortizimi i ngadalshëm i kohës ose nga revolucioni i dhunshëm dhe në këtë mënyrë, asgjë nuk është bërë për t’i zëvëndësuar ato”.

Prishja e këtyre lidhjeve të gjata e tradicionale, i tjetërson në përgjithësi njerëzit dhe veçanërisht të rinjtë, të cilët të ndodhur përballë këtyre ndryshimeve të befta, të shpejta, eruptive dhe me intensitet të lartë social, shpesh ata ndihen të “tjetërsuar” nga lidhjet sociale dhe për pasojë edhe pa “identitet të përcaktuar” qartë.  Shikoni për të vërtetuar këtë fakt, se si e ndjejnë vehten të rinjtë e ardhur nga zonat e thella rurale në Tiranë dhe qytetet e tjera metropolitane të Shqipërisë. Mungesa e identitetit adekuat, e shoqëruar me ndjenja të forta të një lloj “tjetërsimi urban”, duket qartë në sjelljet dhe qëndrimet e tyre. Ata janë të rinj që shpesh ndihen të hutuar në rrjedhat e vrullshme të jetës postmoderne, sepse ata kanë rënë në një terren social të ri. Gjëndja e tjetërsimit në këtë rast është pasojë e faktit se ata kanë prerë të gjitha lidhjet e forta të dikurshme me pronën, me të kaluarën e tyre, me fshatin dhe habitatin rural, me shoqërinë e dikurshme dhe natyrën “specifike” në të cilën ndiheshin zot.  Ështe vështirë të mposhtet ndjenja e tjetërsimit tek kjo kategori të rinjsh. Sepse kjo vjen nga vështirësitë e adoptimit dhe integrimit urban të tyre. Ndihet tek kjo kategori e të rinjve një lloj ngurimi social, vështirësi adoptimi dhe akulturimi e shoqëruar nga frika e ndryshimit, pasiguria sociale, zhgënjimi material dhe mbi të gjitha nga mungesa identitetit. Ndjenjë buron nga fakti, se këta të rinj të mësuar me një lloj tjetër tradite sociale e adoptimi kulturor e moral, tani që janë vendosur në një realitet të ri urban e social, janë të detyruar dhe kanë prerë mekanikisht të gjitha modulet morale e kulturore, të gjitha lidhjet e forta të dikurshme të tyre me traditën, natyrën, ambientin, të kaluarën historike, pronën që e kishin si bazë të jetës, në të kaluarën.

Ata kanë humbur ndjenjën e tyre të natyrshme, të identitetit të vjetër, që ka qënë fort i lidhur me natyrën dhe resurset rurale, me të cilat ata kanë krijuar histori, lidhje, traditë dhe identitet. Padyshim, ndjenja e tjetërsimit të këtyre të rinjve (por jo vetëm e tyre) në shoqërinë moderne shqiptare, është pasojë e ndarjes nga njeriu tradicional i jetës rurale, ndarja e “dhunshme” nga tiparte tradicionale të kohës së vjetër, nga lidhjet organike me natyrën dhe pronën. Këto janë baza e atij lloj “tjetërsimi” që peson rinia. Megjithatë, ajo nuk është ndjenjë fatale, që nuk ka ilaç social për ta mbajtur nën kontroll. Pikërisht, konsiderohet i tillë “shoqëria civile” dhe lidhjet e mundshme sociale të të të rinjve, me format e shumta e të ndërmjetme të bashkësive që formojnë “kapital social”. Shoqëria civile shqiptare në të gjithë format e shumta, të organizimit social joshtetëror, duke filluar nga familja, institucionet fetare, grupet e interesit, fqinjësisë dhe formave të tjera të ndërmjetme të organizimit komunitar, është rruga që mban gjallë dhe ushqen tek të rinjtë urbanë apo ruralë ndjenjën e kundërt të tjetërsimit. Sepse ajo ka potencial të fuqishëm, që të prodhojë jo ndjenjë vetmie dhe braktisjeje, por ndjenjën e lidhjes sociale dhe të bashkësisë. Megjithatë, koha e re nuk mund të mbështetet në format e vjetra të bashkësive rinore të dikurshme. Format e organizimit social të rinisë në shoqërinë tonë, nuk janë të dhëna njëherë e përgjithmonë dhe të pandryshueshme. Koha ka sjellë ndryshime në institucionet më konservative, më të qëndrueshme dhe më rezistente të saj. Asnjë organizim social nuk mund t’i rezistojë dhe të përballojë presionin e kohës, për të ndryshuar me çdo kusht…

Lini nje pergjigje