Perëndia nuk e bëri Shqipërinë për zuzar, kusar e të ligj, po për njerëz të mirë

0
470

Dr. Ndriçim Mehmeti

Kështu mendonin atdhetarët shqiptarë, ata që u quajtën rilindës në kuptimin e plotë të kësaj fjale në shek. XIX. Ata i drejtoheshin me këtë parullë popullit, duke ngritur sa më lart vlerat e një vendi që jetonte varfërinë dhe paditurinë nga më ekstremet në Evropën  e asaj kohe. Rilindësit e dinin shumë mirë, se populli shqiptar nuk ishte aq i kulluar sa ata thoshnin, vendi ku jetonte ky popull, nuk ishte aq i begatë sa e përshkruanin, shqiptarët nuk kishin të gjitha vetitë për të cilat ata shkruanin. Por ama ata ishin të bindur se nëse Perëndia e përzgjodhi vendin tonë për më shumë njerëz të mirë, e për më pak kusarë, zuzar e të ligj kishte një qëllim.

Nëse shkojmë me logjikën e rilindësve dhe duke perifrazuar Vaso Pashën, na lind pyetja: Po tani pa më thuaj si je Shqipni?

Vendi lulëzon nga varfëria, mizerja, imoraliteti, maskarallëku, gëlon nga bandat që nuk kanë të sosur. Kusaria fillon me xhepistët e autobusëve e është ngritur në sistem nga njerëzit që janë zgjedhur për të menaxhuar jetën tonë, qeveritarët. Këta të fundit vjedhin ç’të mundin prej tenderave shumë milionëshe, e deri tek letrat e bardha A4 e stilolapsa, bojëra kompjuteri, blloqe,  e çfarë t’u dal përpara. Nuk pyesin për askënd, as për ligj, as për moral e pale më për përgjegjësi. Ja kanë dalë me suksese t’i hedhin trutë e gomarit popullit, të mbyllin gojën e blejnë këdo, me ankand e para në dorë. Nuk kanë asnjë për shok në vitet e shekuj ndër shqiptarë. Asnjë nuk ngjan me sojin e tyre edhe pse janë vetëquajtur rilindës të kohëve moderne. Zyrat e shtetit janë kthyer në mjediset ku pazari bëhet vetëm me euro dhe në shifra të larta. Korridoret e Ministrive, institucioneve në të rëndësishme shtetërore, i gjen me një larmi veshjesh e mode të përhapur nga njerëzit e rinj me të cilët është mbushur administrata. Pjesa më e madhe e tyre janë të specializuar në shumë fusha, i ke të gatshëm/me për shumë punë e veprimtari, por asnjë “dhunti” e tyre, nuk ka të bëjë me detyrën që kanë marrë në shërbim të publikut.

Sekserët për ndërmjetësim janë të kudondodhur prej zyrave të partisë e deri në klubet anash, majtas, në qendër të institucionit e madhe edhe brenda tij. Njerëzit e mirë që të mbaronin punë pa asnjë natyrës janë specie në zhdukje. Nga sheshet kryesore e deri tek rrugicat më varfra, të pisat e pa ndriçim lypja dhe shitja e trupit janë kthyer në një rutinë të jetës së përditshme. Në pyje e male nuk gjen më kafshët dhe pemët, të cilat popullojnë pllajat e tyre. Aty gjen vetëm gurë, hi e pluhur nga zjarret dhe parcela të gjelbëruar prej shkurres kanabis sativa, më të famshmen ndër shumë prej motrave të saj.

Mjekët zemërmirë që vinin shtëpi më shtëpi për të vizituar të sëmurët që kishin nevojë, për të bërë një injeksion, janë zëvendësuar nga vrasës të strehuar në klinika shumëmilionëshe. Shëndetësia dhe arsimi vuajnë pasoja të pariparueshme, të atyre mbrapshtive ku fshihen milionat e që rëndom quhen reforma. Pensionistët, të vobektit, ata që kanë mbetur në mëshirën e shtetit, nuk i afrohet dot derës së spitalit se xhepat e tij janë bosh. Një mori nxënësish erren e gdhihen pa ngrënë dhe ne kërkojmë që ata të marrin dije me bazë kompetencat, me tekste të Evropës, por me takëme, petka e shkolla si në Mesjetën e Hershme. Do të bëjmë turizëm të panjohur në gjithë Evropin, porte e aeroporte gjigande, por vetëm në letër, se në realitet, nuk shtrojmë dot një km rrugë të re. Mbjellim palma e pemë me ketër e fakirëve shqiptarë, duke nxjerrë lloj-lloj fytyrash të ekranit, për të bërë qokën e radhës.

E çfarë na mbetet të bëjmë në këtë vend që Perëndia e bekoj e njerëzia e shkatërroj?

Konstatojmë, flasim, bëjmë ndonjë përpjekje për të trokitur në dyer që nuk dëgjojnë e pale më të hapen. Ikim me kokën ulur dhe themi, “ç’më duhet që të fals në një vend me kaq pak ndjeshmëri”. Por përsëri mendoj se duhet të flas. Koha mund të provoj nëse kam të drejtë ose jo e që në fund të fundit pak më intereso aspekti personal,. Ajo për të cilën shqetësohem më shumë, është se të ligjtë, kusarët, kriminelët, imoralët, të pafytyrët, dallaveraxhinjtë, po mbizotërojnë shoqërinë tonë të dërmuar e të pa orientuar. Fjala e urtë popullore se “pyll pa derra nuk ka”, mund të zëvendësohet fare mirë nga shprehja “këtu derrat e kanë rrafshuar pyllin dhe sundojnë vetë, pa u ngacmuar nga askush”.

“Njerëzit e dashur” të ekranit zënë radhën që rastësisht të ftojnë kryeministrin, të dalin në foto të buzëqeshur me kryetarin e Bashkisë, duke mbjellë ndonjë pemë a duke dhënë mend sesi mund të jetohet më bukur në Tiranë e gjetiu. Në shtëpitë e nxira nga tymi i sobave pa tub, nga mangalli që djeg çdo lloj druri, në shtëpitë që pikojnë që me vesën e parë e fryn era nga të 14 anët, nuk shkel këmba e njeriut të mirë. Kemi humbur ndjesinë e i drejtohemi Perëndisë të na ndihmojë dhe atje lart një Këshill të urtosh tënd kokën sikur do të thotë, “Po jua dhashë me bujari, ajrin, detin, dielli. E çfarë mund të bëjë më tepër kur i bini të mirës me shkelm.” Ç’mund të bëjë unë, ti, ju njerëz që jeni kapluar nga frika, indiferenca pafuqia. Asgjë të veçantë dhe ndonjë mrekulli. Të flasim përherë për hallet tona, të respektojnë mësuesin e përkushtuar dhe jo horrin e lagjes që zbret serbes nga makina superluksoze i rrethuar nga “zarat” që presin t’u japi një birrë qyl. Të mbyllim televizorin sa herë del politikani sahanlëpirës, që i thotë vetes qeveritar e fryhet si shumë e xhepat i janë kthyer në thasë e dyshekë, madje edhe dhoma për mbajtjen e pareve, që kurrkush nuk ja la trashëgimi, por na i vodhi neve, sy më sy e në ditë me diell. Të marrim për dore kalamajtë e të shkojmë në shkollë e të pyesim sesi sillen, sa qytetarë janë dhe jo vetëm a mbeten, a kalojnë apo do të shkojnë ose jo në universitet. Të rrëmbejmë lopatën e të mbjellim kopshtin tonë me dashurinë për pemën si për fëmijën tonë. Ta nxjerrim nga shtëpia e ta mësojmë fqinjin se plehrat nuk lihen në shkallë as nuk hidhen nga ballkoni, por kanë vendin e tyre, afër a larg qoftë. Këtë ta bëjmë për veten tonë, jo për kryetarin, as për qeveritarin zuzar, kusar, hajdut e kriminel.

Këtë gjë e shumë të tëra ne i bëjmë medoemos, ndonëse na nevojitet atë që na ka munguar tani e në vite: Pak kurajo qytetare, për të përfaqësuar veten nga vetja jonë dhe jo nga ata që kanë harruar se ku jetojnë dhe rrojnë për hir të luksit, parasë dhe argëtimit të shfrenuar që nuk njeh limit kohor dhe përcaktim moral.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here