Doni të bleni shtëpi? Shikoni sa është shtrenjtuar kredia në euro

0
285

Interesat e kredive në euro u rritën për herë të parë pas një periudhë të gjatë rënie. Të dhënat zyrtare nga Shoqata Shqiptare e Bankave tregojnë se në muajin nëntor 2017, interesi mesatar i huave në euro arriti në 3.94 për qind nga 3.5 për qind që ishte në nëntorin e një viti më parë.

Rritja e interesave ka përfshirë të gjitha llojet e kredive, përfshirë ato për blerje banese. Sipas Shoqatës së Bankave, interesat e kredive për shtëpi u rritën nga 2.98 për qind që ishin në nëntor të 2016-ës në 3.1 për qind në nëntorin e këtij viti.

Prej vitesh kreditë ne euro kanë qenë opsioni më i leverdishëm për të financuar blerjen e banesave për shkak të interesave më të ulëta që ato kanë në raport me dollarin amerikan dhe lekun vendas.

Por kohët e fundit, interesat kanë shkuar drejt barazimit. Sipas Shoqatës së Bankave për kredinë në lekë për blerje banesash interesat kanë zbritur në 3.8 për qind, ndërsa për ato në dollarë në 3 për qind.

Më mirë në lek

Me këto interesa, opsioni më i leverdishëm për të financuar blerjen e një shtëpie duket kredia në lekë. Edhe pse ka një interes lehtësisht më të lartë se kredia në euro dhe ajo në dollarë, huaja në lekë nuk ka rrezikun e kursit të këmbimit.

Ndonëse gjatë dy viteve të fundit euro është zhvlerësuar ndjeshëm ndaj lekut, zhvillimet në kursin e këmbimit mbeten të paparashikuara dhe përbëjnë një risk të përhershëm për ata që kanë borxhe në euro, por të ardhura në lekë.

Në rast të një forcimi të euros, qytetarët që kanë kredi në monedhën europiane detyrohet të shpenzojnë më shumë lekë për të shlyer këstin e kredisë.

Me rekomandimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave kanë lancuar një plan për të ulur përdorimin e euros në ekonominë shqiptare. Sipas tyre, ky plan do të ulë rreziqet për ekonominë dhe mbron qytetarët nga huumbjet që vijnë nga kursi i këmbimit.

Tashmë që interesat e kredive në lekë thuajse kanë rënë në të njëjtin nivel me ato në euro, për qytetarët marrja e kredisë në monedhën vendase duket opsioni më i mirë. Kjo konfirmohet edhe nga të dhënat më të fundit, ku thuajse e gjithë kredia e re po jepet në lek, ndryshe nga tendenca disa vjeçare, ku monedha e preferuar për të marrë borxh ishte ajo europiane.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here