Pse qytetet janë me “paqëndrueshmëri sociale”?

0

Gëzim Tushi

Loading...

Padyshim, tashmë nuk është paragjykim postmodernist, por realitet që Qytetet tona po konsolidojnë me shpejtësi dy dimensioned e tyre. Kjo do të thotë se transformimet intensive kanë kapur jo vetëm aspektet e ndryshimeve materiale, urbane e arkitekturore, por ato po shfaqen edhe me një ndryshim të dukshëm të raporteve njerëzore individuale dhe marrëdhënieve sociale të njerëzve që banojnë në to. Epoka e frymëzuar nga postmodernizmi, doemos që ka ndikuar edhe tek, qoftë në riformatimin e qyteteve por dhe në jetën tonë sociale. Kjo situatë ka bërë që në mënyrë krejt të determinuar në shoqërinë, qytetet tona dhe tipologjinë e lidhjeve të reja urbane të evidentohen shumë dukuri të reja.

Njëri prej të cilëve që bie më shumë në sy dhe që është disi shqetësues, është i lidhur me fillimin e procesit të rënimit në jetën qytetare të shumë zakoneve, formave tradicionale të organizimeve sociale, mënyrës së formatimit të bashkësive sociale qytetare, etj. Format e reja të mënyrës së të jetuarit në qytetet tona, janë të determinuara nga shumë faktorë, ide e forca sociale determinante të cilat kanë bërë që lidhjet sociale dhe marrëdhëniet interpersonale midis njerëzve të dobësohen ndjeshëm. Në fakt kjo që po ndodh në shoqërinë dhe qytetet tona, nuk është ndonjë rast i veçantë. Gjithçka është koherente me determinantët e kohës postmoderne, e cila sipas sociologëve në mënyrë të natyrshme ka sjellë përballjen me faktin, që jeta personale e qytetarit në qytet, të përjetojë një proces të fortë “ç’institucionalizimi”, si pasojë e shkallës së lartë të organizimit burokratik dhe ndikimit të fortë të “shoqërisë së masave”.

Në kohën tonë fati i njeriut është i lidhur me tipologjinë e këtij lloj Qyteti, i cili ndikon që qytetari të jetojë në ambiente që shpesh janë si “…kazermat e njëtrajtshme” të ushqyera me njohuri pasive të mjeteve masive të komunikimit dhe që rrethohet me objekte të shëmtuara të prodhimit serik”. (Alia Izetbegoviç, “Islami ndërmjet lindjes dhe perëndimit”, f 107)

Kjo do të thotë se jeta postmoderne në Qytetet tona po shoqërohet me një proces të thellë të braktisjes së shumë rregullave të ngurta sociale. Kjo tendencë qytetare është një si valë e forte, që ka përfshirë tërësisht jetën në qytetet tona, mbi të gjitha ajo ka filluar të marr gjithçka me vete, që nga ritualët e vjetër, ceremonialët e “ndryshkur” dhe shumë forma të jetës sociale që në të kaluarën janë konsideruar të shenjtëruara në jëtën qytetare. Ç’kodimi i jetës në Qytet është produkt autentik i postmodernitetit, i cili sikurse thonë sociologët, është etapë nuk thërret asnjë besim apo shenjt për funksionimin e Qytetit. Postmoderniteti ka vlerë absolute dhe ndikim kolosal në riformatimin e Qyteteve, parimeve të jetës së tyre, sepse ai është “mjet që shkatërron besimet dhe ndalesat e vjetra që nuk i shërbejnë kohës, që e kanë mbajtur njeriun në robëri shpirtërore apo ideologjike.

Natyrisht në shoqërinë shqiptare këto rrethana të reja sociale të jetës në qytet, kanë ndikuar në krijimin e marrëdhëniet ndryshe midis qytetarit dhe shoqërisë, midis shoqërisë dhe vetes. Në ditët tona po ngushtohen hapësirat sociale dhe pakësohen kushtet sociale për ekzistencën e “qytetarit bashkëpunues”. Natyrisht është tipologjia e qytetetit dhe natyra e qytetërimi liberal, që më shumë nxit midis njerëzve garën individuale dhe më pak bashkëpunimin social.

Në këto kushte nuk është e udhës të ngremë ide që sjellin modele dhe skema utopike për jetën në Qytet, dhe për një lloj qytetërimi që as ekziston as ka shanse që do të vijë ndonjëherë. Qyteti dhe qytetërimi ynë tashmë është mbushur me qytetarë në garë edhe për pasojë do jenë gjithnjë e më pak bashëkëpunues midis tyre, në kuptimin e solidaritetit të vjetër social. Një model i i tillë është pamundur të ekzstojë në Qytetet dhe nuk ka mundësi reale që të qëndrojë në këmbë. Të mendosh se mund të ngremë “Qytete Utopike” në të cilat zëvendësohet gara individuale me bashkëpunimin social midis njerëzve, është njëlloj sikur të mendosh rikthimin e shoqërisë së turmës dhe modelit të jetës në Qytetin e dikurshëm shqiptar që ishin më së shumti “kazerma të përbashkëta”.

Realitetet në qytetet që jetojmë janë pjesë e e natyrshme e modaliteteve urbane e sociale të qytetërimit postmodern, me nuanca të forta individualizmi dhe asocialiteti. Kjo do të thotë se në kohën e sotme, akoma më shumë është bërë e udhës, që jetën e qytetit të ngrihen më lart larmia e dallimet midis natyrës së qytetarëve se sa mundësia e ekzistencës së të përbashkëtës midis tyre. Në qytetet e sotme qytetarët janë njerëz me natyrë njerëzore të ndryshme, me me pak mundësi për ndërtimin e një lloj qytetërimi që të ketë në bazën e vet një natyrë totalisht të përbashkët.

Është e vërtetuar tashmë në mënyrë të plotë, se në një qytet që ka brenda vetes një shoqëri liberale dhe njeriun individualist, sikurse është tashmë edhe shoqëria e sotme shqiptare, dëshirat, zgjedhjet dhe qëllimet e njeriut e kanë vendndodhjen tek qeniet e veçanta. Kjo është një nga arsyet thelbësore pse qytetet moderne kanë marrë pamje dhe dimensione të reja.

Në këto kushte sfera e jetës publike të qytetarit është boll e “mbi institucionalizuar” nga sistemet e qëndrueshme të referimit social. Tek qytetari i kohës sonë të “vërehet një kthim kah subjektiviteti njerëzor si dhe kuptimi dhe qëndrueshmëria kërkohen brenda vetes”. (A Giddens, “Pasojat e modernitetit”, f 116)

Qytetet dhe shoqëria shqiptare në tërësi ka tashmë një realitet real dhe konceptual që mund të flitet për dukuritë që mund të jenë normale apo enorme. Është bërë një dukuri intensive fakti që në shoqërinë jo vetëm shqiptare, por edhe përtej saj, edhe veprimet publike dhe ato me natyrë familjare po marrin gjithnjë e më shumë karakter personal dhe të individualizuar. Çdo njeri edhe pse jeton në qytetin e përbashkët apo në familjen e tij, ka në të njëjtën kohë mënyrën e vet, ka satandartet e personalizuara të komportimit social, të ndryshëm nga të tjerët që jetojnë në Qytetin e Përbashkët apo në familjen e tyre.

Natyrisht duket se nga ana tjetër ka një lidhje të fortë midis “boshllekut shoqëror” të krijuar nga jeta në qytet, e shfaqur në parametrat e modernitetit post-materialist, sjelljeve të njeriut pa shumë dimension social. Në këto kushte duket se është kërkesë e vështirë të normativizosh sjelljen e njeriut në Qytet, ta përshtatësh atë me kërkesat e jetës së përbashkët. Këto lidhje e mekanizma të jetës urbane në qytetet tona kanë filluar të zbehen. Sidomos në realitetet e reja mikrosociale të qyteteve tona. Prishja e strukurës sociale tradicionale të qytetit dhe shoqërimi i tij me procesin e urbanizimit të përshpejtuar, të sforcuar përmes kaotikizimit të jetës shoqëore, janë procese që po sjellin pasoja të dukshme në formatimin e jetës, shoqërisë dhe standarteve të qytetërimit tonë.

Ndërkaq, në Qytetin e sotëm metropolitan, për shkak të ndryshimit të themeleve të jetës sociale nga jetë kolektiviste e detyruar në jetë e lirë dhe e individualizuar, ka bërë që të dëmtohën fort strukturat e jetës dhe komunikimit social. Kjo është arsyeja pse në qytetet tona ndihen fort shfaqja e dukurive të reja, pothuaj të panjohura më parë si prishja e miqësisë tradicionale, dobësimi i lidhjeve të fqinjësisë, e shoqëruar kjo me dobësimin e ndjenjës komunitare. Shume shqetësues është realiteti i ndryshuar i organizimeve bazë të jetës dhe funksionimit të institucioneve të saj. Në qytete janë bërë fare të qarta dukuritë e dobësimit të familjes, prishjes së martesës dhe destruktimi i lidhjeve martesore, zgjerimi konflikteve individuale, dhunës, krimit, etj.

Është duke u thelluar atomizimi  i lidhjeve sociale e qytetare në Qytet. Kjo ka shpënë në deformime të dukshme me natyrë asociale të krejt “botës së qytetit”. Atomizimi i jetës në Qytet është dukuri tipike që bën që në mënyrë të natyrshme të jetë i pranishëm fenomeni i zbehjes së lidhjeve sociale, të dobësohet siguria individuale e njeriut. Në këto rrethana është e domosdoshme që ajo të kompensohet me besimin dhe lidhjet e ndërsjellta që njeriu krijon në familje, por dhe në institucione të tjera të sigurisë morale që funksionojnë në qytet. Vetëm aty ka shanse që të krijohet besimi tek Qyteti. Në Qytetin e atomizuar”, në se masa e atomizimit të individit është në përmasa destruktive, atëherë ka shumë gjasa që njeriu edhe pse jeton në Qytet dhe është pjesë e tij, mund të jetë para rrezikut të margjinalizimit dhe vasalitetit social. Sepse sikurse ka thënë sociologu Ernst Gëllner, urbanizimi zakonisht krijon popullata që jetojnë në rrethana të shthurura. (E Gëllner Konditat e lirisë f 296)

Po ç’farë duhet bërë në mënyrë që të bindemi se rregullimi i qytetit, sidomos i strukturave të organizimit dhe forcimit të lidhjeve sociale, nuk mund të bëhet ndryshe, veçse duke punuar për të formuar qytetarin e lire, të ndërgjgjshëm, i cili vullnetarisht dhe vetëdije të plotë duhet të bëhet pjesë integrale e qyteteve tona. Kjo do të thotë se jeta sociale në Qytet ka nevojë të diktojë disa norma që ndihmojnë njerëzit të mësohen të ecin në jetë,  duke u udhëhequr nga koncepti normativ i jetës në Qytetin Modern, që ka në themel idenë e vetëdijësimit, vetëvendosjes, realizimit të vetvetes si qytetar.Ekzistenca dhe rindërtimi i drejt i këtij raporti, është baza e ekzistencës së Qytetit, substanca e lidhjeve të tij me natyrën e Njeriut Privat.

Qyteti postmodern është “qytet tjetër”, që i përket asaj epoke, e cila nuk mund të zhvillohet pa patur në bazën e vet, pa garantuar ekzistencën e pacënuar të sovranitetit të “individit privat”. Ky është hap më tej në ristrukturimin e Qyteteve dhe jetës qytetare, në të cilat u bënë të mundura nga shpikja e “individit privat, i cili është pronar i trupit të tij, i organeve të tij dhe zotërues i lirë i forcës së tij të punës”. (Vincent Descombes,Vetja dhe tjetri f 240).

Loading...

Lini nje pergjigje