Ndryshoi ligji, ende nuk plotësohet kuadri për lojrat e fatit

0
516

Dy vite pas hyrjes në fuqi të ligjit për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë, qeveria ende nuk ka të plotësuar kuadrin nënligjor të nevojshëm për funksionimin e disa aspekteve të ligjit. Ministria e Financave dhe Ekonomisë duket se do të nxjerrë muajt e ardhshëm një paketë të plotë për reformimin e sektorit të lojërave të fatit. Një pjesë me rëndësi nga kjo paketë prek subjektet që do të licencohen si kazino dhe resort-kazino. Ligji në fuqi përcakton se këto lloje aktivitetesh lejohen në territorin e Shqipërisë, por nuk specifikon kriteret dhe procedurat për pajisjen me licencë për këto veprimtari. Brenda muajit Prill, qeveria pritet të plotësojë këto kritere, bashkë me kushtet për revokimin apo pezullimin e licencës. Licencat për aktivitetet e lojërave të fatit kanë një afat 10-vjeçar nga data e lëshimit, si edhe tarifa “të majme” për përfitimin e tyre. Për licencën “kazino”, tarifa fillon nga vlera 1 miliard lekë, ku përfshihet e drejta për të hapur vetëm 1 sallë. Për kazinotë e vendosura në hotelet me pesë yje licenca kushton 70 milionë lekë, ndërsa për resortet kazino kjo shifër është vetëm 50 milionë lekë.

Kazinotë dhe resortet kazino do të mund të vendosen vetëm në zonat me rëndësi kombëtare, të cilat pritet që brenda prillit të përcaktohen nga qeveria. Këto zona me shumë gjasa do të përfshijnë vijën bregdetare, duke bërë që Shqipëria të adaptojë një model të ngjashëm me Malin e Zi, i cili disponon prej vitesh 5 aktivitete të tilla dhe është bërë një pikë orientimi në Europë për këtë lloj turizmi specifik.

Detyrimet Tatimore

Krahas tarifës së licencave, këto lloj biznesesh janë shumë fitimprurëse për arkat e shtetit për shkak të tatimit 12% mbi vëllimin e qarkullimit për ruletat dhe tryezat e lojërave, si dhe 25% nga të ardhurat bruto e lojërave elektronike dhe makinave slot.

Gjithashtu, 0.2% e xhiros vjetore do të derdhet në arkat e Ministrisë së Turizmit, ndërsa e njëjta shumë i takon edhe Ministrisë së Kulturës.

 Reforma e sektorit të lojërave të fatit

Krahas vendimeve të sipërpërmendura, qeveria në këtë fushë pritet të përcaktojë edhe rregulla të tjera që lidhen me monitorimin e lojërave të fatit, Lotarinë Kombëtare, bingot televizive dhe live kazino. Bashkë me politikat për tërheqjen e kompanive të mëdha në fushën e hotelerisë, plotësimi i kuadrit ligjor edhe për kazinotë dhe resortet do të rrisë shanset e vendit për të përthithur investime të huaja dhe do të diversifikojë ofertën e turizmit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here