Zamira Kita: Kur ti mendon për vdekjen, i jep më shumë kuptim jetës

0

“Uji që vret”, vepër amerikane e autorit John Biquenet do të ngjitet sot për herë të parë në skenën e Teatrit Andon Zako Çajupi, Korçë. Një vepër me plot emocione brenda do të vijë nga regjisori Arben Kumbaro, i cili i ngacmuar nga përmbytjet e ndodhura në vendin tonë kohët e fundit, vendosi që ta sjell këtë vepër pikërisht në këtë moment në skenën teatrore. “Uji që vret” do të jetë pikërisht shfaqja që do të çelë në këtë mënyrë edhe sezonin artistik në Teatrin e Korçës. Një shfaqje me dy personazhe, interpretuar nga aktorja shumëplanëshe Zamira Kita dhe Sotiraq Bratko, një aktor shumë origjinal dhe tepër i ngrohtë. Një shfaqje që do t’i flasë jetës edhe vdekjes, ku do të shpalosen përjetime, kujtime, të vërteta, dhimbje, nostalgji dhe shumë emocione. Aktorja Zamira Kita vjen në këtë intervistë për gazetën “Standard” për të na zbuluar më shumë rreth kësaj shfaqje.

Intervistoi: Irini Meçe

Do të ngjitet sot premiera “Uji që vret”, vepër amerikane e autorit John Biquenet në Teatrin e Korçës. Një shfaqje që do të ketë vetëm dy personazhe. Mund të na tregoni më tepër se si do të vijë kjo vepër përpara publikut?

“Uji që vret” është një vepër amerikane e autorit John Biquenet , e cila vjen në Teatrin Andon Zako Çajupi në Korçë me regji nga Arben Kumbaro, ku interpretoj unë dhe Sotiraq Bratko. Është një vepër shumë dramatike, që trajton problemin e përmbytjes nga uragani Katrina. Ne jemi një çift bashkëshortësh që jetojmë në New Orleans në natën e përmbytjes. Ata kanë një shtëpi me papafingo dhe detyrohen që kur shtëpia përmbytet të dalin aty dhe në momentin që uji arrin edhe në papafingo, ata ngjiten deri në çati për mbijetesë. Prej andej ata nuk kanë asnjë shpresë, shohin vetëm çati dhe maja pemësh dhe asnjë gjë tjetër. Mendo se në çfarë gjendje emocionale dhe psikofizike gjenden këta dy personazhe. Por ajo që e bën shumë të bukur dhe intriguese këtë vepër është fakti që kjo vepër është një copëz jete, sepse në këtë moment izolimi ata shikojnë si në një film gjithë jetën që kanë kaluar. Duke u gjendur në papafingo mes vjetërsirash dhe gjërash që i lemë diku mënjanë, ata fillojnë dhe kujtojnë gjithçka. Kujtojnë natën e parë kur ata janë dashuruar dhe kanë bërë dashuri për herë të parë, në një natë karnavalesh që i përshtatet shumë mirë qytetit të Korçës. Pastaj kujtojnë ditën kur janë martuar pasi në papafingo gjejnë fustanin e nusërisë. Më pas gjejnë kapelen bejsboll të djalit që nuk jeton më me ta për shkak se ka marrë rrugë të keqe dhe ka ikur nga shtëpia. Kujtojnë vajzën dy vjeçe që ju ka vdekur. Në një orë e 15 min ata kalojnë shumë dhimbje, nostalgji, gëzim, ankth dhe frikë njëkohësisht. Gjatë gjithë veprës ka shumë lot. Për fatin e mirë Sotiraq Bratko është një nga aktorët më të ngrohtë shqiptarë që përcjell një emocion të vërtetë dhe të jashtëzakonshëm. Ai më inspiron shumë edhe mua. Jemi një çift që kemi një lidhje shumë të afërt dhe një lloj kimie të dy.

Cilat janë karakteristikat e rolit që ju do të interpretoni?

Unë personalisht kam rolin e bashkëshortes që është më e trembur se i shoqi, por herë-herë ajo i jep zemër atij kur ai e ka të pamundur që të dalë në çati. Ajo sajon biseda, lojëra, tregon kujtime që ta mbajë gjallë sepse ai i ka këmbët në ujë në papafingo. Është një femër që vërtet ka kurajo, por në një moment ajo demoralizohet komplet dhe në skenën e tretë të aktit të parë ajo ka shpërthime çmendurie, ajo nuk beson më dhe fillon shikon me sytë e mendjen njerëzit e mbytur nëpër dhomat e gjumit dhe shpërthen në lot. Është një nga rolet më të bukura që unë kam realizuar.

A do të shpëtojnë personazhet në fund të shfaqjes?

Zonja ka dalë mbi çati, ndërsa burri nuk del dot pasi ai është i shëndetshëm. Ata shpresojnë shumë që do vijnë varkat e shpëtimit, por në të vërtetë nuk ka asnjë varkë në horizont. Të dy fillojnë këndojnë duke shpresuar se do të vijnë varkat dhe do t’i shpëtojnë. Pikërisht në këtë moment mbaron edhe vepra. Këtu publiku e mendon si të dëshirojë.

Jam e sigurt që publiku do të preket jashtëzakonisht shumë dhe është e nevojshme që publiku të emocionohet sepse ne gjatë gjithë dhjetorit kemi patur çdo ditë shfaqje dhe të gjitha, përveç shfaqjes “Bernarda Alba”, janë shfaqje komedi dhe të gëzuara.  Dhe me këtë shfaqje “Uji që vret” duam që të përcjellim emocion tek publiku. Emocioni është shumë i bukur kur e përjeton nga skena e teatrit.

A i flet kjo shfaqje realitetit shqiptar?

Kjo i flet shumë realitetit shqiptar për disa arsye. E para, kjo ka një problem social shumë të madh. E vërteta qëndron se ne si vend kemi patur përmbytje. Mbase nuk kemi patur njerëz të mbytur, por kemi patur bagëti, e cila edhe mbytja e bagëtisë të dhemb. Ne nuk duam të bëjmë paralelizmin me njeriun, por me fatkeqësisë se sa dhemb kjo ngjarje dhe sa lot janë derdhur në ato familje. E dyta, nuk është vetëm uji, por është zjarri, tërmetet etj. Janë fatkeqësi që mund të ndodhin dhe ne duhet të jemi të gjithë bashkë për t’i kapërcyer këto momente.  Kur ti e kupton se sa afër është vdekja, fillon dhe mendon se sa kuptim merr jeta dhe sa shumë duhet të bëjmë që të jemi më të mirë me njëri-tjetrin, të falim, të tolerojmë, të mirëkuptohemi. Kur ti mendon për vdekjen, i jep më shumë kuptim jetës.

Kjo shfaqje do të qëndrojë vetëm në Korçë apo po mendoni që të udhëtojë edhe në qytetet e tjera të Shqipërisë?

Shfaqja do të jetë në Korçë për 5 net, sepse kemi një kalendar dhe kemi të tjera planifikime. Personalisht unë, por edhe zoti Sotiraq dhe regjisori Arbeni, duam që ta çojmë në Tiranë, sepse kryeqyteti ka më shumë publik dhe më shumë qasje ndaj teatrit. Ndoshta dhe në qytetet e tjera, por skenografia është pak e vështirë për t’u lëvizur, por ne do të bëjmë të pamundurën. Duam shumë gjithashtu që ta çojmë nëpër festivale mbarëshqiptare. Unë mendoj që kjo vepër me dy personazhe do të ketë jetëgjatësi. Kam kuptuar që kohët e fundit njerëzit janë kthyer në teatër, e duan artin dhe na shkruajnë gjithmonë duke na pyetur rreth shfaqjes së radhës, pra tregojnë interes.

Zamira sa vend do të zërë ky rol në repertorin tuaj artistik?

Çdo rol që unë realizoj dhe çdo shfaqje që vjen, mua më duket sikur bëhet një hap përpara për rëndësinë që ka roli dhe për dashurinë që unë kam për atë. Por jo në të gjitha shfaqjet ndodh kështu. Ka shfaqje që ka shumë sukses, por roli im nuk ka një rëndësi të veçantë për mua. Disa prej tyre veçohen dhe ky rol të siguroj që është i tillë. Nëse unë do ja dal siç ja kam dalë në prova, ky rol do të jetë një nga rolet më të mira që unë kam interpretuar. Ta them me bindje që ky është një rol që rrallëherë i vjen një aktoreje dhe është mundësia për të treguar se kush je dhe sa potencial ke si aktore.

Pas kësaj shfaqje, do ju shohim sërish në ndonjë projekt artistik së afërmi?

Menjëherë pas kësaj shfaqje do të fillojmë të punojmë për “Vetëvrasësit”, e cila është një komedi e zezë shumë e bukur. Do të vijë me regji nga Sulejman Rushiti, një nga regjisorët më të mirë të Maqedonisë. Do të jetë një bashkëpunim mes Teatrit të Korçës dhe Teatrit Kombëtar të Tiranës. Ne do të shkëmbejmë aktorë, unë do t’i marr nga Tirana në Korçë dhe do t’i mundësojmë ata me akomodim dhe ushqim. Ky bashkëpunim sjell shumë pozitivitet në këtë drejtim si dhe ngritje të nivelit artistik, përveç eksperiencës që do të këmbejmë me njëri-tjetrin.

Lini nje pergjigje