Ku janë sukseset e punësimit? Kemi më pak vende pune se në 1993!!!

0
192

Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) në një raport të sapopublikuar mbi performacën e tregut të punës në Rajonin e Ballkanit, “Tregjet e punës në Ballkanin Perëndimor: Performanca, Shkaqet dhe Zgjidhjet” ka analizuar të dhënat mbi punësimin total të Ballkanit Perëndimor nga fillimi i tranzicionit deri më sot. Shqipëria rezulton një nga të paktat shtete, që sot ka më pak vende pune, sesa kishte në vitin 1993!

Sipas raportit, për periudhën 1993-2015, krijimi më i madh i vendeve të punës neto u arrit në Maqedoni (rritje totale prej 28.6% të numrit total të vendeve të punës), ndërsa Serbia ka shënuar humbjen më të madhe të vendeve të punës, e ndjekur nga Shqipëria. Në Serbi rënia ishte 11.4%, ndërsa në Shqipëri ishte 8.8%. Sipas raportit të RCC, nga 2010 në 2016, numri i të punësuarve në Ballkanin Perëndimor u rrit me 300 mijë. Këtë konstatim e ka bërë dhe një raport i mëparshëm i Bankës Botërore “Prirjet në Tregun e Punës në Ballkanin Perëndimor për vitin 2017”, i cili gjeti se përkundrejt kësaj tendence pozitive në gjithë Ballkanin, në Shqipëri punësimi kishte rënë me 2.4% midis periudhës 2010-2016. Kjo tendencë tregon se punësimi ka vijuar të tkurret edhe pas vitit 2010 në Shqipëri, ndryshe nga Serbia, e cila raporton një rritje të punësimit me 11.2% në periudhën 2010-2016, çka tregon se rënia e periudhës

1993-2015 është shkaktuar nga ecuria negative deri në vitin 2010, kur Serbia ishte e zhytur në konfliktet e luftrave. Maqedonia rezulton shteti që ka pasur performancën më të mirë të krijimit të vendeve neto të punës, si për periudhën 1993-2016 (+28.6%) ashtu dhe 2010-2016 (12.5%). Sfidat e mëdha të tregut të punës Sipas raportit të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, sektori privat është kontribuuesi kryesor i punësimit në ekonomitë e Ballkanit sipas të dhënave të punësimit sipas strukturës së pronësisë të mbledhura nga zyrat kombëtare të statistikave (Mojsoska-Blazeski, 2016). Nga hapja rishtas e vendeve të punës përfitoi grupmosha 55-64 vjeç, për shkak të rritjes të popullsisë në këtë grupmoshë dhe ata me arsim të lartë. Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal vlerëson se, tregu i punës është një nga sfidat më të mëdha për zhvillimin ekonomik dhe social në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Normat e papunësisë janë dukshëm më të larta se mesatarja e BE-së, teksa karakteristikat strukturore të tregut të punës janë edhe më keq sesa statistikat zyrtare të tregut të punës. Papunësia dhe pasiviteti i të rinjve, mosaktivizimi i grave dhe pjesa e të papunëve afatgjatë janë probleme të mprehta. Sondazhet e Forcave të Punës tregojnë se në Malin e Zi, Serbi dhe Ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, një në pesë të punësuarve punon në ekonominë informale dhe në Shqipëri ky tregues është më i lartë një në tre të punësuar në sektorin jo-bujqësor. Kjo pjesë e të punësuarve kryesisht rekrutohet nga shtresat e varfra sociale, ka qasje të kufizuar në sigurimet shoqërore dhe mbrojtjen sociale, shpesh fiton më pak dhe nuk kontribuon në fondet sociale të sigurimeve. Raporti i referon se shumica e ekonomive në rajonin e BP6, përveç Shqipërisë kanë zbatuar reforma për të përmirësuar mjedisin e biznesit dhe për të lehtësuar hapjen e bizneseve të reja. Gjithashtu furnizimi i forcës se punës paraqet dobësi në të gjithë Ballkanin. Rajoni kryesisht përballet me nivele të ulëta të fertilitetit dhe rritjes negative natyrore, emigrimit dhe plakjes. Shkalla natyrore e rritjes së popullsisë në shumicën e vendeve është negative. Shkalla e migracionit është e lartë në të gjitha ekonomitë, pasi gjatë dy dekadave të fundit gati një e katërta e popullsisë është larguar nga rajoni. Si rezultat, popullsia e rajonit po zvogëlohet dhe plaket.

Vendet e Rajonit të Ballkanit kanë përqindje relativisht të larta të punësimit informal, por Shqipëria, në vetvete ka nivelin më të lartë të informalitetit në tregun e punës. Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, në një raport të posaçëm për punësimin, vlerësoi sot se informaliteti në punësim në Shqipëri është 57%, gati sa dyfishi i fenomenit në rajon. Pas Shqipërisë, me informalitetin më të lartë në tregun e punës renditet Bosnja me rreth 29%, ndërsa nivelin më të ulët të informalitetit e kanë Mali i Zi, Maqedonia dhe Serbia.

Raporti vlerëson se punësimi informal është veçanërisht i pranishëm në grupet më vulnerabël, siç janë të rinjtë, gratë dhe grupmosha më e vjetër e forcës së punës.

Këshilli Rajonal vlerëson se jo të gjitha anketat e forcave të punës përmbajnë pyetje të përshtatshme për të identifikuar qartë punësimin informal bazuar në përkufizimin e ILO-s.

Punësimi informal në Kosovë është më i nënvlerësuar krahasuar me ekonomitë e tjera që kur Kosova nuk raporton mbi fuqinë punëtore mbi 64 vjeç, shkalla jozyrtare e punësimit e të cilëve është e lartë.

Në Serbi, burrat më së shumti janë të punësuar në tregun e zi, ndërsa në Bosnjë e Maqedoni, burrat përbëjnë gati dy të tretat e personave të punësuar ne tregun informal. Në Kosovë dhe Malin e Zi, burrat gjithashtu kanë më shumë gjasa të mbajnë punë joformale, ndërsa në Shqipëri nuk ka dallime gjinore.

Të moshuarit dhe të rinjtë me shumë gjasa duhet të jenë të punësuar informalisht në Bosnjë, Malin e Zi, Serbi dhe Maqedoni. Grupmosha më e ekspozuar ndaj punësimit në të zezë janë punëtorët midis 55-64 vjeç. Në mesin e popullsisë në moshë pune (15-64 vjeç), të rinjtë (15-24 vjeç) kanë më shumë gjasa të jenë të punësuar në informalitet.

Shumica e personave të moshës 65 vjeç e lart janë të punësuar në tregun e zi të punës. Gjithashtu sa më i lartë të jetë niveli i arsimit, aq më e ulët është shkalla informale e punësimit.

Në të gjitha ekonomitë, punësimi informal është më i përhapur në bujqësi. Në Shqipëri dhe Serbi, punëtorët informalë përbëjnë rreth dy të tretat e të gjithë punëtorëve në bujqësi. Në Bosnjë e në Mal të Zi, punësimi informal në bujqësi është më i lartë se në Shqipëri dhe Serbi, ku normat informale të punësimit në bujqësi janë përkatësisht 87% dhe 90%.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here