Njeriu jo ideologjik, që “mendon duke jetuar”…

0

Nga Gëzim   Tushi

Loading...

Në jetën e përditshme të shoqërisë janë shtuar së tepërmi streset e mënyrës postmoderne të të jetuarit. Shumica për shkak të natyrës “turbokapitaliste” të jetës më shpëjtësi të mëdha pa pauza e pritmëri të gjata për të menduar e gjetur zgjidhjet, por cat ë tjera edhe për shkak të filozofimeve të gjata ideologjike për të gjëtur të trajtë ideale “kuptimin e jetës” që po jetojmë. Në këtë kontekst në mënyrë të padyshimtë sipas mendimit tim, mund të ketë shumë shqetësime sociale, që vijnë nga moskuptimi apo kundërshtimi paradoksal i parimeve universale të organizimit dhe funksionimit të mënyrës postmoderne të jetës në shoqërinë tonë.

Duke ndjekuar shqetësimet sociale e reagimet mediatike të njerëzve, mënyra si ata arsyetojnë për shqetësimet sociale që kanë, vështirësitë e adoptimit me paradigmat e kësaj shoqërie liberale e individualiste, më duket se në vargun e gjatë të arsyeve politike, ekonomike e sociale, besoj një nga faktorët kryesorë të kësaj situate është reminishenca e kapërxyer ideologjike e njerezve, që e kanë vështirë të kuptojnë ontologjinë thelbësore të kohës dhe mënyrës postmoderne të jetës duke mbajtur akoma lidhje shpirtërore e vlerësuar pse jo me nostalgji mënyrën e jetës së tyre në të kaluarën.

Në këtë situatë nuk janë të paktë ata që të mësuar me udhëheqjen dogamtike nga lart dhe me ideologjizimin e skajshëm të gjithë poreve të jetës, akoma nuk heqin dorë nga këmbëngulja e tyre për t’i kërkuar kohës dhe mënyrës postmoderne të të jetuarit, një kornizë të caktuar orientuese e konceptuale apo pse jo edhe me natyrë ideologjike të cilës ajo duhet t’i bindet.

Dhe meqënëse një kornizë e tillë është e vështirë të ekzistojë dhe funksionojë, si një determinim social që i vjen njeriut si detyrim nga jashtë, si imperativ për të ndërtuar sjelljen e tij, ka njerëz ndihen keq dhe kur e kuptojnë se kjo është një punë e vështirë prej “Sizifi” ata janë në gjëndjen e allakatjes personale dhe pse jo edhe të një lloj çoroditje sociale të përgjithshme.

Kjo sepse ka qënë e parashikuar që kalimi në demokraci do të sillte ndryshim të dukshëm të themelit të kulturës qytetare. Është e vërtetë dhe duhet pranuar se tani njerëzit tanë po përballen me transformime sociale, kulturore e morale që janë shqetësuese për jetën e sotme. Me siguri në se gjërat do ti shikojmë me mentalitet ideologjik e pritmëri sociale të tepërta, ato akoma më shqetësuese do jenë për qytetarët tanë në të ardhmen e shoqërisë tonë. Problemi është se njerëzit tanë duhet t’i pranojnë pa kushte të vërtetat e jetës. Sepse në shoqërinë shqiptare, kalimi në epokën e demokracisë liberale është shoqëruar me një revolucion konceptual që patjetër do sillte edhe ndryshimin radikal të mënyrës së jetës.

Vetëm një revolucion i tillë mund të sillte kapërximin me shpejtësi kushtet për krijonte kushtet e kalimit nga njeriu që mendonte në mënyrë ideologjike për gjithçka dhe që sjelljen e vet sociale ishte i detyruar ta përshtatste me kornizat ideologjike, parimet e ngurta morale dhe principet estetike doktrinariste të kohës, të cilat ishin matricat kufizuese të sjelljes, tek njeriu i sotëm me natyrë tërësisht të shfaqur sipas parametrave të liberalizmit dhe individualizmit. Në këto kushte vënd të qytetarit që duhet më parë të paramendonte ideologjikisht sjelljen dhe pasojat sociale të saj në shoqëri, tani kemi një tjetër njeri.

Një njeri që e ka thyer tabunë ideologjike të prioritetit të të menduarit paraprak të gjërave dhe pastaj të vepruarit. Sot kemi një shoqëri tjetër dhe një njeriu disi të “tjetërsuar” nga kornizat e ngushta ideologjike. Kjo ka bërë që në jetën e sotme në vend të qytetarit të ngarkuar me “korracën” ideologjike e morale kemi njeriun e “lehtësuar”, atë që është bërë elegant nga pikëpamja sociale dhe që shfaqet qytetar që më së shumti “mendon duke jetuar”.

Termi i qytetarit postmodern shqiptar që mendon duke jetuar, është pikërsht njeriu me të cilin jetojmë dhe bashkëjetojmë ne të gjithë. Ky është njeriu që ka diemsionin e kohës dhe i përshtatet natyrës liberale të shoqërisë shqiptare. Ky është njeriu i lirë që që jeton në qytetërimin e lirë dhe pa shumë “koordinata ideologjike” dhe korniza sociale. Sipas mendimit tim ky njeri në thelbin e vet, dhe mënyra si e e shfaq veten në kohën tonë bën që të duket si njeri pa dimension të ngurtë ideologjike e social.

Në se në të kaluarën njerëzit tanë ishin të detyruar të mos mendonin me kokën e tyre apo të ishin të lirë të zgjidhnin lirisht mënyrën e sjelljes individuale dhe komportimit social, duke u detyruar që në të gjitha rastet njeriu duhet të kishte një lloj “identiteti të fshehur” pas normave morale, ideologjike e sociale, duke e jetuar tërë jetën i “maskuar” dhe me lloj-lloj maskash që duhet t’i vendoste fytyrës dhe personalitetit të tij. Tani njeriu është i lirë të përshtatet duke e shfaqur hapur fytyrën dhe personalitetin e vet.  Padyshim, ky kapërxim është një hop dhe progres i madh në zgjerimin e mundësive të afirmimit të personalitetit të njerëzve tanë, pavarësisht se si rezultat i shpërdorimeve ekstreme të mundësisë për të shfaqur lirinë individuale, duket se ka një përplasje të fortë midis qytetarit dhe nevojës së respektimit të një lloj “ndërgjegjeje qytetare” të përbashkët. Kjo ka sjellë një kaos të fortë që duket në faktin, që duke zbehur relacionet sociale në emër të lirisë dhe hapësirave të individualizmit, kjo ka shpënë në dodësimin e dukshëm të lidhjeve humane midis njerëzve.

Prandaj nga kjo situatë në të cilën ndodhemi momentalisht, duket se shqetësimi social për një lloj “mëndjelehtësie” që karakterizon sjelljen e qytetarit që “jeton duke menduar në çast dhe që kjo tendencë sociale është në rritje në shoqërinë shqiptare. Dhe akoma më shumë do rritet, në se nuk do mund të krijojmë module dhe modalitete të sjelljes së njeriut që duhet mësuar që në jetën sociale krahas aftësisë së menjëherëshme të të “menduarit duke jetuar” të ketë aftësitë e duhura që dijë në të njëjtën kohë të përdorë edhe “arsyen publike”. Ky është një detyrim imediat që duhet ta kërkojmë me ngulm, në se duam që krijimi i qytetarit të mirë të bëhet së pari një projekt i reflektimit të sinkronizuar individual dhe social të njeriut.

Kjo është arsyeja pse sot shoqëria jonë ka nevojë të bëjë përpjekje për të të rindërtuar tërë procesin e edukimit qytetar, për të rindërtuar rregullat e sjelljes sociale, në mënyrë që të kemi një shoqëri të aftë që të kombinojë individualizmin e sjelljes së njeriut me vetpërmbajtjen qytetare dhe njohjen dhe respektimin e kufizimeve me natyrë shoqërore të domosdoshme.Vetëm kjo është rruga e duhur për të parandaluar të këqijat sociale që po inondojnë jetën e përditshme të shoqërisë tonë.

Në këtë kuptim nuk është normale që të mësojmë njerëzit tanë që të ngrenë sa më lart “kultin e vetes” nga njëra anë dhe të mos vlerësojnë apo të nëpërkëmbin “kultin e të tjerëve” në shoqëri. Një ekuacion që mund të kombonojë këto dy anë dhe dy aspekte, është tejet i domosdoshëm në ditët e sotme. Në këto rrethana është e nevojshme, madje shumë e domosdoshme që në procesin e edukimit qytetar të njerëzve në familje, shkollë, shoqëri të ngulet këmbë tek e vërteta se njeriu në kohën e sotme nuk mund të bëhet qytetar dhe i qytetëruar, pa kultivuar jo vetëm aftësinë e “vetëgjykimit të çast” sjelljeve të veta por edhe ndjenjën e autokritikës për atë që bën ndaj të tjerëve.

Natyrisht situatat sociale që po zhvillohen në shoqërinë tonë, janë tregues të sigurt të faktit që jeta moderne ka shumë probleme, që lidhen jo vetëm me qytetarin që “mendon duke jetuar” por dhe me mundësitë e pakufizuara të njerëzve për të zotëruar konceptimin pluralist të jetës, moralit, besimit politik e fetar, shijeve estetike, mënyrën e jetës, të cilat në qytetin e madh nuk kalojnë pa telashe dhe probleme të shumta sociale.

Kjo është arsyeja pse qytetari jeton duke menduar duhet të mësohet me jetën qytetare dhe ambientin urban, të cilat shpesh nga që të gjithë njerëzit mbivlerësojnë të menduarit e tyre, janë bërë arena me atmosferë grindjesh dhe rivalitetesh sociale dhe individuale, me përplasje të forta interesash, me pengesa për të kuptuar dhe identifikuar “nevojat dhe të mirën e përbashkët, të cilat pastaj bëhen shkak për të cënuar standartet e jetës qytetare…

Loading...

Lini nje pergjigje