Me gojën e mbyllur nga projektet dhe duart plot me para, s’mund të flasësh për problemet e arsimit

0

Nga Dr. Ndriçim Mehmeti

Loading...

Nuk është ndonjë gjë e re të themi se arsimi në të gjitha vendet e zhvilluar është një sektor parësor dhe mjaft i ndjeshëm për shoqërinë. Nëse prekte, reformohet, kërkohen ndryshime, debati kap shtresa të gjera të popullsisë, përfshin shumë më tepër se aktoret politikë, OJF, veprimtarë, specialistë, organizata në mbrojtje të fëmijëve, mësuesve, prindërve, shoqata psikologësh e madje edhe organizata ndërkombëtare që veprojnë në ndihmë të fëmijëve dhe të arsimit.

Por çfarë ndodh në realitetin shqiptar. Përse janë kaq indiferente organizatat vendore miliona eurorëshe dhe organizmat në “ndihmë” të arsimit të miratuara me urdhra, udhëzime e VKM?

“OJF-të” në mbrojtje të fëmijëve nuk flasin dot. Kreu/krerët e saj janë shumë të angazhuar në ndihmë të qeverisë, në konkursin “Mësuesi më mirë”, sipas Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, në përzgjedhjen dhe zgjedhjen e vetes në organet e Veting-ut, në ndihmën që i japin arsimit duke marrë projekte qindra mijëra eurosh, ndër vite. Janë njerëzit që siç i thonë një fjale “nuk i ka thënë kush hala puna mbarë”, por numërojnë lokale, vila, zyra në Tiranë, bregdet e gjetiu. Organizatat në ndihmë të prindërve, borde e këshilla pa fund janë futur nën sqetullën e drejtorit të shkollës, institucioneve vendore arsimor e madje tani ata zgjidhen, trajnohen e bëjnë mbledhje në mjediset e Ministrisë së Arsimit, Rinisë dhe Sportit. Edhe këta të fundit janë përkëdhelur me ndonjë projekt mbi “qeverisjen e nxënësve me ndihmën e prindërve’, apo me projektin më interesant që pritet të jetë pjesë e reformave të mëdha të Ministrisë së Arsimit “Prindërojmë në bashkëpunim me platformën qeverisëse, “ju flisni për atë që doni ne bëjmë atë që duam”. Këshilli Kombëtar i Arsimit Paruniversitar është formuar, por zërin nuk ja dëgjon kush. Madje në rubrikën e faqes elektronike për Këshillin Kombëtar të Arsimit Parauniversitar, ata as që nuk ekzistojnë, nuk ka asnjë udhëzim për veprimtarinë e tyre, nuk ka asnjë akt nënligjor, as një procesverbal mbledhjeje, e ndonjë foto me ministren reformatore, e cila, do të ishte një gjetje shumë  interesante. Po të flasësh për Këshillat Rajonal të Arsimit dhe ato të prindërve mendoj se është shumë po shumë e tepërt. Organizatat në mbrojtje dhe ndihmë të gruas, nuk flasin fare për arsimin. Ato nuk janë shumë të interesuar në lidhje me mundimet e prindërve të fëmijëve me nevoja të veçanta. Këto organizata dhe zonjat e tyre që shëllehen në diell ose në zjarrin e oxhakut duke pirë kafe e bërë planet për pushimet e radhës dhe takimet e zjarrta eroike që i presin dhe nuk e kanë haberin sa prej nënave kanë muaj e vite pa dalë nga shtëpia në përkushtim të fëmijëve të tyre me aftësi të kufizuara. Sa nëna kanë nevojë për mësuesin ndihmës, të cilin, Ministria e Arsimit e premton çdo ditë e nuk e ka realizuar në asnjë vit shkollor. Por këto shoqata të fuqishme në pikëpamje financiare dhe jo qytetare, e kanë ndihmuar mjaft arsimin e në veçanti Ministrinë e Arsimit, duke punësuar bashkëshortët e tyre në zyrat e shtetit vetëm për të marrë një pension e vite pune të siguruara. Në pas këto figura të “lartnuara” të reformës arsimore kthehen në identitet, duke banakierë në klubin që gruaja e ka ngritur “me djersën e ballit”, (ky i fundit është term i moderuar) për të kuptuar realisht se nga vijnë paret. Prandaj ato dalin në studio e në përgjithësi i gjen të flasin për gjëra të ëmbla, mjaft të ndjeshme për gratë shqiptare, nënat dhe vajzat: Seks, botox, dashuri të pa arritura, puthjen e zjarrtë në rrëzë të mullarit, ç’virgjërimin në fushat e sapo korrura me misër në kohën e xhaxhit, veshjet initimo që i shkojnë çdo moshe e kështu etj, etj,. Por ato bishtnojnë, janë jashtë vendit, në evente të ndryshme e me agjendë shumë të ngjeshur, sa herë që duhet të flasin për hallet e njerëzve, për ato halle për të cilat, shoqata është regjistruar në gjykatë, e kurrë nuk i ka kryer.

Këto organizata dhe “gratë e forta” që janë në krye janë vërtetë të zëna. Të zëna me projektin e radhës, me planet për shop-ing në Milano, Barcelonë, ndjekin Fashion TV në lidhje me trendet e fundit pranverë-verë 2018. Ato vërtet nuk kanë kohë për gratë e dhunuara, për nënat që luajnë rolin e mësuesit për fëmijët e tyre, se mungon mësuesi ndihmës që duhet ta kryejë të punë, për vajzat e shkollës që përdhunohen tualeteve, moteleve dhe shtëpive në mes të kryeqytetit. Ato, “gratë elitë”, nuk kanë kohë të ngrenë zërin për gratë mësuese të tej lodhura, të diskriminuara e të shkelura me këmbë në dinjitetin dhe integritetin e tyre profesional, nga punëdhënësi i tyre që është shteti dhe më konkretisht një grua-mësuese që për fat të keq është në krye të tyre.

Po Urdhri i Psikologëve, Shërbimi Social, organizata e huaj në fushën e arsimit përse heshtin?

Mbase në shërbim të mbarëvajtjes së mësimit, edukimit apo më mirë shkatërrimit të plotë të arsimit. Shërbimi psiko-social në arsimin parauniversitar mund të përkufizohet me shprehjen popullore “ku thërret kiameti”. Urdhri i Psikologëve dhe anëtarët e saj janë tejet të kënaqur ekzaltuar deri në pikën më të lartë, sa herë ftohen në studio televizive, dhe shohin poshtë fytyrës së tyre titullin psikolog. Nuk kemi parë e vështirë se do të shohim një studim në lidhje me: problematikën e fëmijëve në arsimin parauniversitar në para adoleshencë dhe adoleshencë,; tendenca në rritje e dëshirës për vetëvrasje, rritja e numrit të përdoruesve të lëndëve narkotike në radhët e të rinjve, demotivimi për të marrë dije, pasiguria në jetën e tyre, ankthet dhe makthet që i përndjekin që në moshë të re. Natyrisht që psikologët tanë që kanë ngritur me dhjetëra shoqata, janë të gatshëm dhe të hapur për bashkëpunim e projekte, por që duhet ët shoqërohen me shuma të majme. Përndryshe, ata nuk e mundojnë veten me praninë e tyre në tryeza e koti e studime pa bereqet për xhepin e tyre. Për shembull, a mund të na thonë psikologët se cilat janë matjet dhe kush është vlerësimi i tyre për nismën e Ministrisë së Arsimit 3 lëndë në 6 orë? A mund ta përballojën me të njëjtin intensitet nxënësit e grupmoshës 6-11 vjeç mësimin gjatë orëve të mbrëmjes me ata të grupmoshës 16-19 vjeç? A e konsiderojnë ata këtë nismë si një reformë për peshën e librave apo të dijeve? A kanë ata shembuj konkretë nga kërkimet në vendet e zhvilluara se cila është ngarkesa mësimore, konceptet, fjalët e reja që duhet të marri një nxënës sipas cikleve shkollore dhe zhvillimit psiko-motor të fëmijëve, prej arsimit parashkollor e deri në universitet?

Këtë mund të na i thoshin madje me plot kompetencë, njësoj sikur flasin plot pathos e emocion për seksin e mëngjesit dhe të mirat që sjell në shëndetin e meshkujve dhe femrave. Organizmat e huaja në ndihmë të arsimit, meqë ra rasti i mbaj mend mjaft aktive para pesë vitesh e më shumë. Madje më kujtohet shumë mirë që shqiptarët që punonin bashkë me ta ishin të lumtur për arritjet e administratës së Ministrisë së Arsimit, pavarësisht se i bënë hasha në shtator të 2013, sa morën një kolltuk qeveritar. Tani ato marrin përsipër ndonjë konsultë të vogël, me grande mijëra euro, por në fund të fundit ato vetëm këshillojnë, nuk është faji i tyre që qeveria i merr seriozisht. Ato përpiqen e do të përpiqen në të mirën tonë, madje do të jenë gjithnjë të gatshme në hartimin e planeve afatshkurtra e afatmesme, me projekte e fishat përkatëse monetare, vetëm e vetëm që arsim në Shqipëri të bëjë një hap para e tre mbrapa.

Në fund e di shumë mirë se kritika ndaj këtyre të fundit, të parëve në krye të shkrimit e të mesit nga paragrafi i dytë e në vijim, do të thartoj shumë syresh, do të më heq nga lista e ekspertit lokal në ndonjë organizatë, do të më kategorizojë si i shtyrë nga politika që ka zili arritjet e arsimit. Madje pres sërish që nga Selia luksoze e Rrugës së Durrësit të shpallem si armik personal, por ju lutem më thoni një kundër argument që gjithçka që them është e pabazë dhe që të bindem se edhe ju të vetë shpallur “kundërshtarët e mi” (por që nuk ju konsideroj si armiq) keni njëherë të vetme të drejtë.

Loading...

Lini nje pergjigje