“Greqia e ka kufirin 6 milje me Italinë dhe Turqinë, pse me ne e duan 12 milje?”

0
147

Vladimir Beja, ish- Komandanti i Forcave Ushtarake Detare të RSH dhe ish-kryetari i grupit të ekspertëve në Marrëveshjen me Italinë shprehu dje, keqardhjen që në marrëveshjen e re për kufirin ujor të Shqipërisë me Greqinë nuk ka transparencë.

Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” ai u shpreh se, “njohja dhe pranimi nga Shqipëria që Greqia t’i shtrijë ujërat e saj territoriale, në 12 milje është i papranueshëm për ne si një parim jo i sinqertë dhe nuk na vë në kushte të barabarta, siç deklaroi ministri Bushati”.

Sipas tij, shtrirja duhet të mbetet në 6 milje, ashtu siç e ka Greqia edhe me Italinë, pasi shtrirjen 12 milje nuk ia njohu as SHBA.

Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias deklaroi dje, se në negociatat me Bushatin kanë rënë dakord që shtrirja territoriale të jetë deri në 12 milje. A mund të realizohet kjo?

Së pari, më duhet të theksoj se pala shqiptare nuk është transparente dhe kjo është për të ardhur keq.

Të gjithë informacionin, në lidhje me bisedimet midis ministrave të Jashtëm, por dhe midis atyre të mbrojtjes, shqiptare dhe grek, i marrim vesh vetëm nga pala greke.

Gjykoj që ata janë, o nën presion, o janë më demokratikë se ne, apo media e tyre dhe në përgjithësi opinioni zyrtar grek janë më të ndjeshëm se ne, për çështjen e detit.

Edhe lajmin e fundit e morëm vesh nga media greke, nga Kotzias, i cili edhe pse shumë i kufizuar në deklarata u shpreh për sukses në bisedimet me palën shqiptare, duke thënë se ata njohën zgjerimin e ujërave territoriale greke në 12 milje.

E parë thjeshtë, kjo deklaratë e Ministrit Kotzias duket si një e drejtë e çdo vendi, të përcaktojë vetë me ligjin e kufirit, shtrirjen e Ujërave territoriale, mbështetur dhe në Konventën e Montego-Bay, e cila lejon këtë shtrirje deri në 12 milje detare.

Por, po të kesh parasysh që Greqia me ligjin e saj të kufirit qysh në vitin 1936, e deri më sot e ka detin territorial 6 milje problemi ndërlikohet shumë. Greqia, që me Protokollin e Firences, duke qenë shtet ishullor, me rreth 14 mijë ishuj e ka të kufizuar këtë mundësi që t’i shtrijë ujërat territoriale në 12 milje.

Theksoj se sa herë Greqia ka dashur ta bëjë këtë ndryshim ka ngjallur reagim të fuqishëm ndërkombëtar ku dhe vetë SHBA nuk e ka pranuar. Njohja dhe pranimi nga Shqipëria që Greqia t’i shtrijë ujërat e saj territoriale, në 12 milje është i papranueshëm për ne si një parim jo i sinqertë dhe nuk na vë në kushte të barabarta, siç deklaroi ministri Bushati. Pala shqiptare duhet të insistojë që marrëveshja e re që kërkohet të negociohet të ketë si bazë që Greqia, të ruajë 6 milshin si ujëra territoriale. Kujtojmë se po me 6 milje Greqia ka bërë marrëveshjen me Italinë, me të cilën edhe Shqipëria ka përfunduar marrëveshjen për ndarjen e detit në vitin 1993.

Po 6 milje ia njeh edhe Turqia, edhe pse nuk ka bërë ende marrëveshje. Pala greke mendon se duke bindur Shqipërinë mund të hapë proces rishikimi që ujërat territoriale t’i çojë 12 milje.

Unë kam qenë kryetar i grupit të ekspertëve në bisedimet me Italinë nga viti 1989, pra përfaqësues i Ministrisë së Mbrojtjes së RSH, në ndarjen e shelfit territorial dhe zonës ekonomike me Italinë, të cilën e kemi përfunduar në janar të 1993, janë 4 vjet bisedime që i kam drejtuar. E kam të vështirë të flas sot, sesi janë planifikuar veprimet e mëtejshme, sepse duhet të njihem me metodologjinë që kanë përcaktuar dy ministrat për të rihapur negociatat.

Po nëse marrëveshja e parë e ka pasur të përcaktuar shtrirjen në 6 milje, përse ridiskutohet mbi këtë pikë?
Pala shqiptare është e kushtëzuar nga Gjykata Kushtetuese që të rrijë në versionin nga e para. Gjykata Kushtetuese e ka shpallur nul marrëveshjen e parë. Kështu që mirë bëhet që bisedohet me Greqinë, por duhet të na e bëjnë transparente për çfarë parimesh kanë rënë dakord, në mënyrë që ekspertët t’i dinë këto parime dhe a janë parime të mbështetura në Konventën Ndërkombëtare të Detit. Le të presim.

 
Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here