Flet ish-Komandanti i Forcave Ushtarake Detare: Greqia, kufi 6 milje me Italinë e Turqinë, pse me ne e do 12 milje?!

0

Vladimir Beja, ish- Komandanti i Forcave Ushtarake Detare të Republikës së Shqipërisë dhe ish-kryetari i grupit të ekspertëve në Marrëveshjen me Italinë shpreh keqardhjen që në marrëveshjen e re për kufirin ujor të Shqipërisë me Greqinë nuk ka transparencë. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” ai u shpreh se, “njohja dhe pranimi nga Shqipëria që Greqia t’i shtrijë ujërat e saj territoriale, në 12 milje është i papranueshëm për ne si një parim jo i sinqertë dhe nuk na vë në kushte të barabarta, siç deklaroi ministri Bushati”. Sipas tij, shtrirja duhet të mbetet në 6 milje, ashtu siç e ka Greqia edhe me Italinë, pasi shtrirjen 12 milje nuk ia njohu as SHBA.

Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias deklaroi dje, se në negociatat me Bushatin kanë rënë dakord që shtrirja territoriale të jetë deri në 12 milje. A mund të realizohet kjo?

Së pari, më duhet të theksoj se pala shqiptare nuk është transparente dhe kjo është për të ardhur keq. Të gjithë informacionin, në lidhje me bisedimet midis ministrave të Jashtëm, por dhe midis atyre të mbrojtjes, shqiptare dhe grek, i marrim vesh vetëm nga pala greke. Gjykoj që ata janë, o nën presion, o janë më demokratikë se ne, apo media e tyre dhe në përgjithësi opinioni zyrtar grek janë më të ndjeshëm se ne, për çështjen e detit. Edhe lajmin e fundit e morëm vesh nga media greke, nga Kotzias, i cili edhe pse shumë i kufizuar në deklarata u shpreh për sukses në bisedimet me palën shqiptare, duke thënë se ata njohën zgjerimin e ujërave territoriale greke në 12 milje. E parë thjeshtë, kjo deklaratë e Ministrit Kotzias duket si një e drejtë e çdo vendi, të përcaktojë vetë me ligjin e kufirit, shtrirjen e Ujërave territoriale, mbështetur dhe në Konventën e Montego-Bay, e cila lejon këtë shtrirje deri në 12 milje detare. Por, po të kesh parasysh që Greqia me ligjin e saj të kufirit qysh në vitin 1936, e deri më sot e ka detin territorial 6 milje problemi ndërlikohet shumë. Greqia, që me Protokollin e Firences, duke qenë shtet ishullor, me rreth 14 mijë ishuj e ka të kufizuar këtë mundësi që t’i shtrijë ujërat territoriale në 12 milje. Theksoj se sa herë Greqia ka dashur ta bëjë këtë ndryshim ka ngjallur reagim të fuqishëm ndërkombëtar ku dhe vetë SHBA nuk e ka pranuar. Njohja dhe pranimi nga Shqipëria që Greqia t’i shtrijë ujërat e saj territoriale, në 12 milje është i papranueshëm për ne si një parim jo i sinqertë dhe nuk na vë në kushte të barabarta, siç deklaroi ministri Bushati. Pala shqiptare duhet të insistojë që marrëveshja e re që kërkohet të negociohet të ketë si bazë që Greqia, të ruajë 6 milshin si ujëra territoriale. Kujtojmë se po me 6 milje Greqia ka bërë marrëveshjen me Italinë, me të cilën edhe Shqipëria ka përfunduar marrëveshjen për ndarjen e detit në vitin 1993. Po 6 milje ia njeh edhe Turqia, edhe pse nuk ka bërë ende marrëveshje.

 

Pala greke mendon se duke bindur Shqipërinë mund të hapë proces rishikimi që ujrat territoriale t’i çojë 12 milje.

Unë kam qenë kryetar i grupit të ekspertëve në bisedimet me Italinë nga viti 1989, pra përfaqësues i Ministrise se Mbrojtjes se RSH, në ndarjen e shelfit territorial dhe zonës ekonomike me Italinë, të cilën e kemi përfunduar në janar të 1993, janë 4 vjet bisedime që i kam drejtuar. E kam të vështirë të flas sot, sesi jane planifikuar veprimet e metejshme sepse duhet të njihem me metodoligjinë që kanë përcaktuar dy ministrat për të rihapur negociatat.

Po nëse marrëveshja e parë e ka patur të përcaktuar shtrirjen në 6 milje, përse ridiskutohet mbi këtë pikë?

Pala shqiptare është e kushtëzuar nga Gjykata Kushtetuese që të rrijë në versionin nga e para. Gjykata Kushtetuese e ka shpallur nul marrëveshjen e parë. Kështu që mirë bëhet që bisedohet me Greqinë, por duhet të na e bëjnë transparente për çfarë parimesh kanë rënë dakord, në mënyrë që eskpertët t’i dinë këto parime dhe a janë parime të mbështetura në Konventën Ndërkombëtare të Detit. Le të presim.

A jeni kontaktuar ju si ekspertë para nisjes së negociatave?

Ata punojnë me dyer të mbyllura tërë kohën. Për mua qeveria e PS-së që pati nderin, kur ishte në opozitë që e coi në Kushtetuse deri tani ka 5 vjet që nuk na ka thënë asgjë konkrete se ç’do bëhet me këtë marrëveshje të re.

Gjithçka duhet riparë nga fillimi. Gjykata Kushtetuese e ka thënë të formës së prerë. Në momentin që rrëzohet filon nga e para. Pala greke , ka tentuar dhe me pare , se Gykata e ka hedhur poshte vetem për arsye prceduriale dhe jo subtasnaciale. me qellim qe te ruhet Marrveshja e vjeter , ne te cilen ishte e favorizuar !

Çfarë duhet patur parasysh, veç miljeve në këtë rinegociim të dytë?

Une i qëndroj gjykimit tim, mbështetur në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që bën të pavlefshme këtë marrëveshje dhe tashmë duhet negociuar nga e para!

Pala shqiptare nuk duhet të përsërisë gabimet e bëra, sidomos të dukshme dhe të vërtetuara tashmë, kanë qenë nga grupi i ekspertëve, të cilët kanë gabuar rëndë, në mosmarrjen parasysh të eksperiencës së mëparshme në marrëveshjen me Italinë, në ngutjen për ta bërë sa më shpejt këtë marrëveshje dhe diku dhe për mungesë integriteti!

Marrëveshja e re që po projektohet, pa dashur të bëj Kasandrën, pasi informacionet i kemi të pakta, duke pranuar si parim bazë në përllogaritjen e ujrave territoriale në 12 milje , do t’u shtrojë ekspertëve tanë, një rrugë humbëse, jo vetëm të hapësirës detare shqiptare, por edhe të integritetit të tyre, tashmë për herë të dytë dhe të pakorrigjueshëm!

Nuk ka pabarazi më të madhe se të trajtosh në mënyrë të barabartë, të Pabarabartët ! – ky është dhe mesazhi im!

Në prill të vitit 2009, ish-ministri i Jashtëm, Lulzim Basha nënshkroi me homologen tij, greke Dora Bakojanis marrëveshjen për kufirin detar, një pakt që i dhuronte Greqisë mbi 300 km katrorë territor. Opozita e asaj kohe e dërgoi çështjen në Gjykatën Kushtetuese, e cila e në vendimin e saj përfundimtar votoi unanimisht 9 me 0 për ta cilësuar nul këtë pakt. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, në 15 prill 2010, i cili gjykoi çështjen në themel, vëren se projekt-marrëveshja detare me Greqinë ishte në kundërshtim me Kushtetutën për këto shkaqe

1) mospajisjes së delegacionit shqiptar me plotfuqi të rregullt nga Presidenti i Republikës për zhvillimin e negociatave dhe lidhjen e marrëveshjes,

2) mangësi serioze në përmbajtjen e marrëveshjes,

3) moszbatimin e parimeve bazë të së drejtës ndërkombëtare për ndarjen e hapësirave detare midis dy vendeve, me qëllim arritjen e një rezultati të drejtë dhe të ndershëm

4) mosmarrjen parasysh të ishujve si rrethana të veçanta në delimitimin e hapësirave detare.

Sipas ekspertëve të fushës, regjimi detar në Detin Egje është vendosur nga Fuqitë e Mëdha në vitin 1936, duke detyruar Greqinë, që gjerësinë e detit territorial të shpallur në vitin 1930 prej 10 milje detare, ta modifikojë në 6 milje detare. Por, pavarësisht kësaj, Greqia ruajti gjerësinë e hapësirës ajrore 10 milje detare. Greqia për shkak të pozicionit gjeografik mund të delimitojë detin e saj territorial vetëm me Turqinë dhe Shqipërinë.

Lini nje pergjigje