Eksperimente të dështuara me paratë e shqiptarëve në rrugën nacionale

0

Ndërkohë që vëmendja është përqendruar tek shitja e detit nga ana e qeverisë shqiptare tek grekët, apo tek planet për ndërtimin e një aeroporti në Vlorë, Ekzekutivi ka filluar spektaklin bosh të radhës, duke hedhur arna në superstradën Tiranë-Durrës, në pjesën nga Durrësi në Vorë. Kjo vjen në të njëjtën kohë kur ka nisur edhe vendosja e pishave të buta përgjatë segmentit nga Kashari në hyrje të Tiranës dhe ky “look” i ri meriton një rrugë tjetër por ama jo një rrugë të re. Punimet sipërfaqësore nuk zgjidhin problematikën reale të kësaj superstrade që qëndron prej vitesh në hartën e njollave të zeza me një numër të konsiderueshëm aksidentesh. Për të kuptuar sesa e rrezikshme është bërë kjo rrugë nuk ka rëndësi nëse ke udhëtuar shpesh apo rrallë. Madje është më mirë nëse ke udhëtuar shpesh, sepse mund të kesh memorizuar gropat e pafundme të saj, që kthehen në burim të mirëfilltë aksidenti. Palmat në autostradë u mbollën rreth tre vjet më parë, si pjesë e një plani që përfshiu dhe rregullimin e sinjalistikës në zonën Mbikalimi i Kamzes dhe i Kasharit deri në aeroportin e Rinasit. Kosto e mbjelljes së tyre u raportuar në atë kohë në rreth 1 milionë euro. Dimrin e kaluar palmat nuk i rezistuan të ftohtit dhe u thanë në pjesën më të madhe të tyre. Ndonëse në pjesën më të madhe të vendit, palmat u rigjallëruan me ardhjen e pranverës, në zonën e autostradës ato mbetën të thara me pak përjashtime.

Loading...

Në disa pjesë të segmentit vetëm 35 kilometra të gjatë, shtesa e sipërme është tërësisht e dëmtuar për metra e metra të tëra ndërkohë që sapo nis hyrjen në të ashtuquajturën autostradë ka një tabelë që të tregon se mund të ecësh me 90 kilometra në orë. Kjo mund të jetë normale deri në momentin që kalon Vorën kur shkon drejt Durrësit dhe pas saj duhet të lutesh që në pjesët e dëmtuara të kesh fatin e mirë, të jeni sa më pak automjete, që rreshtohen të gjitha në korsinë e shpejtësisë. Për autostradën Tiranë-Durrës prej vitesh flitet për një zgjerim të saj por duket se kjo do të vonojë ose nuk do të zbatohet për aq kohë sa qeveria ka vendosur që arnat e vjetra t’i zëvendësojë me të reja. Kjo ndodh në rrugën ku çdo ditë kalojnë të paktën 45 mijë mjete në të dyja anët e saj dhe ku një pjesë e konsiderueshme, rreth 3 mijë, janë mjete të tonazhit të lartë. Ky volum trafiku bën sens për aq kohë sa Tiranë-Durrës është arteria kryesore që lidh dy nga qytetet më të rëndësishme në vend ku është përqendruar aktiviteti ekonomik por edhe ku është dalja më e afërt në det me portin më të madh në vend Portin e Durrësit.

Në vitin 2015 qeveria do të pranonte se ka nevojë emergjente për ndërhyrje por entuziazmi do të shuhej rrugës dhe tashmë kemi vetëm plan që fle në sirtare zyrash. “Në vitin 2008 nga ana e ARRSH-se është përgatitur studimi dhe projektimi i përmirësimit të shtresave rrugore pikërisht duke pasur parasysh dëmtimet e konsiderueshme të shfaqura në këtë segment, por ky projekt nuk u vu në zbatim sipas rekomandime te tij. Në vitin 2009 është bërë një ndërhyrje riveshese vetëm në shtresat e sipërme asfaltike, e konceptuar kjo vetëm si ndërhyrje e përkohshme, apo mirëmbajtjeje, ku pas një farë kohe u shfaqën përsëri dëmtime gjate gjithë segmenteve me problematike. Me pas janë bërë përsëri ndërhyrje të pjesshme në zonat e dëmtuara, por tashme rezulton e domosdoshme dhe emergjente studimi dhe projektimi për përmirësimin edhe te shtresave te tjera rrugore të aksit ekzistues. Natyrisht kjo e koordinuar në këtë rast me zgjerimin e superstradës” thuhet në draftin e hartuar nga Spea Engenieering.

E ndërsa planet tani janë të përqendruara në fronte të reja pune në kuadër të projektit 1 miliardë euro, ata që udhëtojnë nga Tirana në Durrës apo anasjelltas mund të kënaqen me kaq, sepse mund të kishin një rrugë edhe pa arna edhe pa pisha të buta.

Zëvendësimi i palmave me pisha vjen në një kohë që në sirtarët e ish ministrisë së transporteve, që tashmë është pjesë e ministrisë së Energjisë dhe Transporteve gjendet projekti për zgjerimi e autostradës Tiranë Durrës, duke e bërë me tre korsi. Autoriteti Rrugor Shqiptar prezantoi në shtator të një viti më parë projekt-idenë për zgjerimin e Autostradës Tiranës-Durrës nga Vora në Durrës, të përgatitur nga SPEA Engineering. Projekti është i ndarë në tre lote dhe i pari mbikalimi Kamëz-Vorë, 11 kilometër. Loti i dytë,  Vorë–Sukth  me gjatësi 10 kilometër dhe loti i tretë,  Sukth–Durrës (Nyja e Dajlanit) me gjatësi 8 kilometër. Studim-Projektimi për Zgjerimin e Superstradës Tiranë-Durrës ka për objektiv kryesor projektimin e nje infrastrukturë të kategorisë “A”, e cila duhet të ketë karakteristikat për të përballuar volumet gjithnjë e në rritje të trafikut në këtë arterie kryesore të vendit, si dhe të përmirësojë gjendjen e shtresave rrugore ekzistuese tashmë tejet të amortizuara në një pjesë të madhe të Superstradës, thuhej në materialin e Autoritetit.

Ky segment rrugor është më i ngarkuar në trafikun e mjeteve dhe arrin kulmin në periudhën e verës, sidomos vitet e fundit me ndërtimin e autostradës së re Milot- Morine e më tej në drejtim të Kosovës, por pa lënë jashtë dhe zona të tjera të rajonit. Sipas raportit, rritja e vazhdueshme e trafikut e ka bërë të domosdoshme studimin për zgjerimin e kësaj superstrade për ta sjellë në parametrat e nevojshëm për përballimin e trafikut gjithmonë e më të rënduar. Por jo vetëm kaq, sepse prej vitesh në këtë segment rrugor ka pasur dëmtime të shtresave rrugore, çarje, dëmtime, ulje e gropëzime në gjatësi të konsiderueshme në të dy anët e rrugës, dhe veçanërisht në korsitë anësore (sidomos atë Vorë – Durrës).

Loading...

Lini nje pergjigje