Bizneset rrudhin planet perspektive, bie kërkesa për kredi

0
224

Bizneset, si ato të mesme dhe korporatat planifikojnë të qëndrojnë larg bankave këtë fillimvit, teksa kanë pohuar për Bankën e Shqipërisë se do të ulin kërkesën për kredi në tremujorin e parë të 2018-s.

Rënia më e madhe e interesit për të marrë kredi në banka është vënë re në sektorin e mesëm të biznesit, të cilët kanë ulur me 14 për qind pritshmëritë për të kërkuar hua në sportelet e bankave. Kërkesa për kredi në këtë sektor ka qenë me rritje në 5 tremujorët paraardhës. Gjithashtu ulje e kërkesës për kredi është vënë re edhe në sektorin e korporatave.

Sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë, pritshmëritë për hua në sektorin e madh të biznesit kanë pësuar rënie me -3.3% për tremujorin e parë 2018 pas vlerave pozitive që kishte shfaqur kërkesa në tremujorët paraardhës. Ky vit vjen pak si i veçantë në kërkesën për kredi, pasi bankat për qëllime të kredidhënies marrin në konsideratë vetëm bilancin zyrtar që dorëzohet në tatime. Deri në fund të 2017, bankat jepnin kredi për bizneset në bazë të bilanceve reale.

Ekspertët e bankave e kishin parashikuar këtë stepje të bizneseve, pasi bilancet zyrtare janë të pamjaftueshme për të plotësuar kriteret që bankat kanë në lidhje me të ardhurat dhe kolateralet. Banka e Shqipërisë sqaron se kërkesa për kredi u shfaq lehtësisht në rritje në tremujorin e katërt të vitit 2017, e mbështetur nga segmenti i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, ndërkohë që për ndërmarrjet e mëdha ajo ka rezultuar në rënie.

Sipas qëllimit të përdorimit, këtë tremujor bizneset kanë shfaqur kërkesë më të lartë si për kredinë për kapitalqarkullues, ashtu edhe për kredinë për investime. Sakaq standardet e kreditimit janë shtrënguar më tej gjatë fundit të vitit 2017 nëpërmjet rritjes së kërkesave për kolateral, uljes së madhësisë së kredisë, si dhe marzheve më të larta për kreditë me rrezik. Nga ana tjetër, lehtësimi i standardeve të kreditimit të bizneseve, në tremujorin e katërt të vitit 2017, u realizua nëpërmjet uljes së komisioneve dhe reduktimit të marzhit mesatar.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, stoku i huasë për ekonominë në fund të muajit nëntor arriti në 553.9 miliardë lekë, me një rritje vjetore vetëm 0.1%, duke shënuar të tretin vit radhazi kur ekonomia nuk po kreditohet, pavarësisht politikës lehtësuese të ndjekur nga Banka e Shqipërisë, e cila ka ulur normën bazë në nivele minimale prej 1.25%, në një përpjekje për të ulur koston e parasë dhe për të nxitur investimet private. Mosfinancimi nga bankat i bizneseve të mëdha, ndërsa ka një përqendrim më të madh tek sipërmarrjet e mesme dhe të vogla ka bërë që rritja e huasë të mos jetë e lartë. Nga ana tjetër, sistemi ka qenë aktiv në fshirjen e huave me probleme që kishin më shumë se tre vjet që nuk ktheheshin, apo dhe bankat kanë bërë fshirje të pjesshme që kreditë për klientët që kanë kthyer një pjesë të saj.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here