Standard.al

Dyshimet e para. Ja çfarë fshihet pas aeroportit të Vlorës

0

Aeroporti i Vlorës ishte një nga lajmet më të mëdha gjatë këtyre ditëve, aq sa qeveria nxitoi dhe bëri gati projektligjin për t’ia dërguar Kuvendit për miratim, ku të lidhet menjëherë kontrata ndërmjet konsorciumit turk dhe shtetit shqiptar.

Por ajo se çfarë fshihet pas këtij aeroporti, tregon se qeveria po prodhon një tjetër skandal.

Partia demokratike, ka bërë një tjetër denoncim, ku dyshohet se kjo kontratë do ti jepet një kompanie turke e lidhur me presidentin e Turqisë, Rexhep Taip Erdogan.

Ja deklarata e PD-së:

Pas serisë së megaskandaleve me PPP-të, veçanërisht në sektorin e shëndetësisë, lojrave të fatit dhe mjedisit me inceneratorët, së fundmi, grafiku në ngjitje i shkeljeve të një mori ligjesh e parimesh themelore, vijon me megapropozimin e fundit të kryeministrit: aeroporti i Vlorës.

Mjeshtër i teknikës së komunikimit, e çel dhe i prin ai rrugës së skandalit, me superprezantimin si një mrekulli që po i zbriste Shqipërisë nga vëllezërit turq, që bujarisht na paskan vënë në defter për të hedhur paratë e tyre në këtë vend. T’i jemi shumë mirënjohës investitorëve turq e të falenderojmë Zotin që gjigandëve në këtë sektor i ka tërhequr vëmendjen Shqipëria. “Po me aeroportin ç’kanë?!” – u shpreh sot si u çuditur nga dhija e zgjebosur me bishtin përpjetë e që s’di se ç’është tagjia, apo që për inat të qeverisë është e gatshme të lejë Vlorën pa aeroport.

Bukuri! Shumë bukuri deri këtu! Po si qëndrojnë faktet dhe rrethanat ligjore lidhur me këtë objekt?

Me ngut të mveshur me emrin “procedurë e përshpejtuar”, kuvendit i dërgohet një projektligj, me relacionin përkatës që ka për objekt rregullimin e procedurës së negocimit dhe lidhjes së kontratës ndërmjet konsorciumit turk dhe shtetit shqiptar. Përveçse me një përmbajtje qesharake e jo-serioze, ky relacion konfirmon paligjshmërinë e procedurës së shpikur, që po synohet të ndiqet.

Dje dhe sot në kuvend dyshja Gjiknuri-Ahmetaj, në rrugën e hapur nga prijësi, vëllai i vogël i abi-t Erdo?an, vijuan të mashtrojnë publikisht, të shtremërojnë realitetin faqe gjithë shqiptarëve dhe të gjitha këto ndërkohë që po shkelin haptaz legjislacionin vendas.

1. Kur sot në komisionin e ekonomisë, iu kërkuan dokumente për të bërë transparencën rreth kësaj procedure, argumenti ishte se kuvendi do të kishte mundesi, pas negocimit, që të njihej me termat e ofertës (http://www.oranews.tv/article/aeroporti-i- vlores-gjiknuri- kuvendit-do- ti-vijme- me-detajet- e-ofertes).

Ky është mashtrim, sepse me anë të këtij ligji, komisoni i negocimit ka tagër të negociojë dhe lidhë kontratën. Arsyeja përse kontrata do të marrë miratimin nga Kuvendi, lidhet me vetëm me qëllimin diabolik që të blindohet me ligj një aferë e tillë. Këtë e përmendin vetë hartuesit e projektligjit në relacionin shoqërues (në referim të ligjit nr.55/2015 “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”, investitorët strategjikë të veçantë përfitojnë nga mundësia e miratimit të kontratës përkatëse të investimit strategjik nga Kuvendi, me ligj të veçantë, me qëllim për të rritur sigurinë e marrëdhënies juridike me shtetin shqiptar). Pasi negocimi të jetë përfunduar dhe kontrata të jetë lidhur, aspak vlerë nuk do të ketë informacioni që do të marrë opozita, pasi me forcë kartoni do të ligjërohet në kuvend vjedhja, siç ndodhi edhe me ligjin mbi marrëveshjen me CEZ.

2. Mashtrimi i radhës vjen me cilësimin e investimit në fjalë si “investitorë strategjik” në relacionin shoqërues. Kujtojmë se marrja e këtij statusi i nënshtrohet një procedure të caktuar të përcaktuar nga ligji për investimet strategjike, dhe të gjitha të dhënat të çojnë në përfundimin që jo vetëm që nuk është marrë, por as nuk është aplikuar për një status të tillë.

3. Por edhe sikur kështu të ishte, pra konsorciumi të kishte fituar statusin e investimit strategjik, ligji për investimet strategjike, në asnjë dispozitë të tijin, nuk përjashton zhvillimin e procedurave konkurruese. Përkundrazi! “Kur legjislacioni në fuqi parashikon zhvillimin e procedurave konkurruese / tenderuese/koncesionare vetëm pas përzgjedhjes së subjektit fitues të garës dhe nëse projekti i propozuar përmbush kërkesat e këtij ligji, Agjencia, në bashkëpunim me institucionet/entet përgjegjëse për investimin strategjik, sipas fushave të përgjegjësisë, vlerëson projektin e propozuar dhe i propozon Komitetit të Investimeve Strategjike miratimin e statusit “Investim/investitor strategjik, procedurë e asistuar/e veçantë” – përcakton ky ligj. E thënë ndryshe, nëse legjislacioni i fushës konkrete kërkon zhvillimin e një procedure tenderuese, vetëm nëse dhe pasi subjekti të rezultojë fitues i garës, do të merret në shqyrtim nga agjencia për investimet strategjike propozimi për fitimin e statusit të investitorit strategjik.

4. Përse ky sqarim lidhur me statusin e investitorit strategjik? Sepse tek ky ligj, ligji për investimet strategjike, dyshja Gjiknuri-Ahmetaj mbështesin përjashtimin e kësaj kontrate nga gara. Në fakt e mbështesin edhe tek kushtetuta, por pa cilësuar cilin nen, si dhe tek programi i qeverise. Në fakt këtu kanë qenë të sinqertë. Programi i qeverisë ka qenë vjedhja, zhvatja, mjerimi, kriminalizimi e kanabizimi.

5. Ligji për koncesionet është ligj i veçantë (lex specialis) në fushën e koncesioneve. Si i tillë ai prevalon mbi çdo ligj tjetër që miratohet me shumicë të thjeshtë. Ligji në fjalë i liston aeroportet, si pjesë e transportit, si sektorë që i nënshtrohen ligjit për koncesionet, pra procedurave konkurruese (neni 4, paragrafi 1, shkronja “a” i ligjit për koncesionet). Kur kjo qeveri kishte synimin që rrugën e Arbrit ta ndërtonin/operonin/mirëmbanin jashtë procedurave të ligjit për koncesionet, e diskutueshme shumë, por të paktën u ndoq rruga e amendimit të ligjit për koncesionet, duke përjashtuar rrugët nacionale me rëndësi të veçantë për vendin. Projektligji që Rama kërkon me ngut të kalojë, do të jetë nesër një ligj i cili bie ndesh me ligjin e posaçëm e rrjedhimisht i anulueshëm. Por duhet të jemi të bindur që palët do ta kopsisin mirë edhe këtë eventualitet, duke parashikuar penalitete të kripura për buxhetin e vendit e klauzola arbitrazhi që e vendosin në qoshe shtetin shqiptar.

Jo vetëm kaq, por edhe ikona e korrupsionit në epokën e tij, Nano, në kohëra kur korrupsioni kish mbërritur majat gjatë qeverisjes së tij, për aeroportin e Rinasit respektoi procedurën konkurruese dhe kontrata u lidh me firmën që mori më shumë pikë në garë.

6. Në relacionin shoqërues dhe në seancat në komisione CV-së së konsorciumit turk i është ngritur një piedestal i pakonkurrueshëm. Duke e marrë të mirëqenë që kështu është, cili është meraku i Ramës ta fusë në garë konsorciumin e pakonkurrueshëm për nga kapacitetet teknike dhe financiare? Nëse propozimi i pakërkuar kalon klasën, le të marrë bonusin e të hyjë i avantazhuar në garë. Shancet për ta fituar garën janë të mëdha, pranë 100%. Cili është meraku i Ramës atëherë që me shpejtësinë e dritës t’ia dhurojë këtë kontratë konsorciumit turk? Në raport të drejtë me sasinë e shkeljeve dhe ngutit duhet të jetë dhe meraku i kryeministrit.

7. Ministri Gjiknuri nuk na tha se pikërisht për aeroport në jug të vendit, ka shpallur procedurë prokurimi. Objekti i procedurës është shërbim konsulence për studimin e fizibilitetit për ndërtimin e një aeroporti në jug të vendit me vlerë 250 mln lekë pa TVSH. Jo larg, por vetëm në

10.10.2017, pra 2 muaj më parë, kjo ministri ka shpallur fituesin e këtij tenderi. Të drejtën për kryer studimin e fizibilitetit e ka fituar shoqëria “Seed Consulting” (Alban Eftimi, miku i Rames). Në këtë pikë Gjiknuri dhe eprori i tij duhet të na sqarojë lidhur me fatin e këtyre 250 mln lekëve, nëse studimi i kontraktuar do të hidhet në kosh. Apo, të na sqarojë në ç’masë përkojnë këto studime e në c’marrëdhënie do të qëndrojnë me njëri tjetrin.

8. Rama dhe sejmenët e tij përpiqen të na hutojnë me vlerën 100 mln euro të investimit. Këtë hile nuk bën më fajde për askënd. Përse nuk e zenë me gojë se sa do t’i kushtojë buxhetit të shtetit kjo kontratë? Ky nuk është një investim i mirfilltë privat, ku risku operacional rëndon tërësisht mbi investitorin privat. Kjo është një arsye e mjaftueshme përse një investim i tillë nuk mund të konsiderohet strategjik. Kaq mjafton për të thënë se kemi të bëjmë me një tjetër PPP, ku risku dhe barra rëndon mbi partnerin shtet, sepse e sigurtë është që partnerin privat vetëm fitime të mëdha e të sigurta e presin. Vëllai bujar turk “investon” pa iu dridhur qerpiku, sepse asnjë risk nuk mbart ky biçim investimi privat.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.