Basha dhe “themeli moral” i PD-së

3
282

Nga Feti ZENELI

Protesat e 27 janarit, qysh nga moment i lançimit të saj nga politika opozitare, është bërë, tashmë, temë e ditës. Është kjo arsyeja, që “koha për t’u zgjuar” fillon, pikërisht, me opinionet e thjeshta qytetare për një çështje të tillë. Pa u ndalur imtësisht në ato që thuhen e debatohen që në pikë të mëngjezit, lidhur me këtë ngjarje të rëndësishme, shumica dërrmuese e njerëzve shprehen për domosdoshmërinë e protestës, si një mënyrë e ushtrimit të demokracisë prej tyre, por një pjesë tjetër shfaqin rezerva për faktin e thirrjes dhe drejtimit të nga politika opozitare, sepse gjasme asaj, i mungoka morali i duhur. Megjithatë kuptohet lehtë, se arsyeja e vërtetë e këtij mendimi nuk ka të bëjë me asnjë nga krerët e opozitës, por me bindjen e tyre politike, pra me atë që fshihet brenda kresë apo zemrës së gjithësecilit. Në mënyrë të veçantë ky lloj paragjykimi majtist nuk ka të bëjë aspak me zotin Basha, që është një lider i ri, i formatit perëndimor, i cili rrugën e karierës së tij politike në funksion të qeverisjes ndryshe të vendit tonë e ka filluar edhe me operacionet morale brenda forcës së tij politike. Dhe kjo është normale, pasi Partia Demokratike, përveç vlerave dhe arritjeve të pamohueshme që ka trashëguar gjatë këtyre 27 viteve tranzicion, ka edhe disa antivlera e mosarritje, që e kanë dëmtuar jo pak demokracinë dhe shoqërinë shqiptare në përgjithësi. Sidoqoftë, duke përjashtuar piramidat financiare, ndërtimet pa kriter dhe disa probleme të tjera social-ekonomike, shqiptarët duhet të ndjehen krenar për vitet e qeverisjes së vendit nën drejtimin e PD-së, pasi u realizuan një sërë arritjesh mbreslënëse, të cilat mundësuan që vendi më i izoluar i planetit, të lidhet në partneritet e miqësi me vendet dhe kombet më të mëdha të botës. Kjo qe arsyeja, që në vitin 2007, Shqipërinë e vizitoi Xhorxh Bush, i pari President në detyrë i SHBA-ve. Parë në këtë këndvështrim; anëtarësimi i vendit në KE, nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Associimit dhe më vonë marrja e rekomandimit për statusin e vendit kandidat në BE, anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, lëvizja e lirë pa viza e qytetarëve tanë në vendet e zonës “Shengen”, etj., janë arritje që mbajnë vulën e qeverisë së Partisë Demokratike. Instalimi më herët i ekonomisë së tregut, kryerja e një sërë reformash dhe investimesh të rëndësishme në vend, rritja e treguesve të mirëqënies së qytetarëve shqiptarë, etj., janë sërish arritje të qeverisjes së demokratëve. Në këto vite, sidomos pas 2005-ës, u ndërtuan segmentet më të rëndësishme të infrastukturës rrugore, u bënë investimet më mëdha në energjitikë, bujqësi, turizëm, arsim, shëndetësi, e kështu me radhë. Megjithatë, qeverisja e Partisë Demokratike të Sali Berishës nuk mundi ta nxjerrë Shqipërinë nga kthetrat e tranzicionit pa fund, që e ka mbërthyer atë prej vitesh, i cili ka sjell herë pas here përshtjellime të shumta politike, sociale dhe ekonomike në jetën e vendit dhe qytetarëve shqiptarë, duke e zhvleftësuar atë moralisht në sytë e njerëzve tanë të thjeshtë.

Poeti polak i fillimshekullit të 19-të, Mickjeviç, thoshte se, “politika, kurrë nuk mund të bëjë pa një themel moral”. Nëse i referohemi periudhës së tranzicionit shqiptar, konstatojmë me keqardhje, se në një pjesë të mirë të kësaj periudhe, ajo që i ka munguar në të vërtetë skenës politike shqiptare, ka qënë qytetaria dhe morali në mënyrën e të bërit politikë, pa llogaridhënie para publikut dhe duke vënë interesat e klanit apo grupit përpara interesave tona kombëtare. Por ajo çka është më absurdja në këtë drejtim, lidhet me faktin se një pjesë e politikës shqiptare, në vend që të pastrohet me kalimin e viteve, zhytet gjithnjë e më shumë në llumin e imoralitetit, paaftësisë, vulgaritetit dhe perversitetit publik. Kjo ishte arsyeja kryesore, që përfaqësuesit e parlamentarizmit apo ekzekutivit shqiptar, të ardhur nga bota e të fortëve, biznesit të pandershëm, kontigjenti i të shkolluarëve me diploma “Kristali” apo grupime të tjera individësh pa vlera politike, morale e qytetare, të cilët dolën për herë të parë në skenë në zgjedhjet e ’97-ës, u rishfaqën sërish edhe në mazhorancën e pas 2013-ës. Por opozita e legjislaturës 2013-2017, që u mbyll në 25 qershor të vitit  të shkuar, nuk arriti të përfitoj nga ky lloj amoraliteti politik dhe mizerabiliteti qeverisës i “Rilindjes” socialiste, përveç të tjerash, edhe nga që vetë nuk mundi të trashëgonte një themel të fortë moral nga periudha e pushtetit të saj në mandatin e dytë, pas zgjedhjeve të 2009-ës, për shkak të korrupsionit të shtuar, mosrealizimeve të ndryshme ekonomike, nepotizmit administrative, e kështu me radhë. Një situatë e tillë u bë shkak që Partia Demokratike të marrë një rezultat në dobët zgjedhor në qershor të 2013-ës, gjë e cila çoi edhe në dorëheqjen e liderit historik Sali Berishës nga kreu i kësaj force politike, që i ka dhënë jo pak vendit në këto 27-28 vite tranzicion. Në fjalimin e dorëheqjes nga të gjitha funksionet dhe forumet e PD-së, ai mori përsipër gjithë përgjegjësinë e humbjes në ato zgjedhje. Dorëheqje dhanë në këtë kohë edhe disa figura të tjera kryesore të PD-së, që tashmë janë grupuar në kampin e kundërshtarëve të ashpër të liderit aktual, z. Lulzim Basha, duke ndërmarrë ndaj tij sulme të pamoralshme, të pamerituara dhe tepër cinike. Para 4-5 vitesh “i lanë në derë” atij një PD të shpartalluar e të mplakur, për shkak se strukturat e kësaj partie nuk mblidheshin e nuk funksiononin prej kohësh. Drejtuesit kryesor të këtyre stukturave ishin pozicionuar prej 8 vitesh në postet qeveritare dhe i kishin harruar fare funksionet partiake që kryenin. Fillimisht, në mandatin e parë qeverisës, u mendua se përkushtimi ndaj detyrave ekzekutive ishe “nder dhe lavdi” edhe për partinë, duke mos nxjerrë mësime nga pësimet e herë pas hershme në zgjedhje, si ato parlamentare ashtu dhe për pushtetin vendor. Ndërsa në mandatin e dytë qeverisës u mendua se si mund të jetohet në opozitën e nesërme, që kishin përgatitur me duartë dhe mendjen e tyre tek interesi personal. Shumica dërrmuese e ministrave, drejtorëve të përgjithshëm dhe drejtuesve të tjerë të lartë në ekzekutiv “zunë myk” në postet që morëm qysh në vitin 2005. “Secili për vete, Zoti për të gjithë”, ishte filozofia më e përshtatëshme e ushtrimit të detyrës publike prej tyre për 8 vite rresht në pushtet. Ndërkohë, demokratët e thjeshtë u lanë në mëshirë të fatit, një pjesë e të cilëve zgjodhën të çlirohen nga “vargonjtë e idealizmit” dhe nisën të ecin, gjithësesi kokëulur, në rrugën e pragmatizmit, që çeli marrëveshja e “1 prillit”. Me pak fjalë, u arrit në këtë situatë problematike, sepse Partia Demokratike asnjëherë “…nuk u ndërtua në thellësi…”, por iu përmbajt kërkesave, “…të cilat i dikton koha”, si mendimet dhe veprimet e njeriut të zakonshëm. Por siç thotë Konrad Adenauer, “…partitë politike, në qoftë se dëshirojnë të mbijetojnë, duhet të ndërtohen në thellësi. Ato duhet të bazohen në vlera të përjetshme”. Me pak fjalë mund të themi, se kjo situatë erdhi edhe për shkak se rrezja e këndvështrimit politik të lidershipit të vjetër të PD-së u zvogëlua së tepërmi.

Theodore Hesburgh, profesor dhe aktivist i njohur publik, jo vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe në shumë vende të tjera të botës, thoshte se: “Esenca e vërtetë e lidershipit është se duhet të keni vizion”. Në mënyrë të veçantë, të qënit vizionar është një cilësi shumë e rëndësishme për tipin e lidershipit politik, pavarësisht se në politikë apo qeverisje, nocioni “lidership” nënkupton zotësinë e një personi për të drejtuar në bazë të funksionit zyrtar dhe autoritetit profesional e intelektual të tij. Po ti referohemi përvojës historike ne konstatojmë, se cilësitë e individit kanë një efekt shumë të fortë në krijimin e lidershipit të vërtetë, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të kuptohen e ushtrohen si duhet kompetencat ligjore dhe ato institucionale. Lideri i vërtetë ka bindjen se jeta njerëzore, duke mos u jetuar me vlerë dhe besim, ndihmon në shkatërrimin e pakicës nga fuqiplotët dhe fundosjen e shumicës nga dobësitë e saj. Kështu ka ndodhur edhe në realitetin shqiptar të këtyre 27-28 viteve tranzicion me liderat partive politike që kanë qeverisur vendin tonë, ku përgjithësisht ata kanë lënë një emër jo të mirë publik, për shkak se të tillë e kanë patur formimin dhe cilësitë morale. Me shumë pak diferenca midis tyre, ata, ndonëse janë vetshpallur konsensuale e shërbëtorë të interesave qytetare, janë shndërruar në përçarës e sundues të tyre, duke harruar, se, siç thotë Kanti, kanë marrë përsipër një barrë tejet të rëndë, atë që Zoti e ka më të shenjtën dhe shtrenjtën mbi dhe’ – të drejtën e njerëzve. Faktikisht, zemra e një lideri duhet të kërkojë në çdo moment të vërtetën dhe të mirën për të gjithë njerëzit, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të frymëzojë e të fitojë çdo zemër nga radhët e tyre. Por liderat, apo më mirë të themi, pushtetarët tanë të deritanishëm, për shkak të raporteve jo miqësore me të mirën dhe të vërtetën, në pamundësi për të fituar zemra, kanë bërë të pamundurën për të blerë vota. Duke u përqendruar tek 4-5 vitet e fundit, konstatojmë se ky fenomen është shndërruar në një shqetësim të madh, i cili po rrezikon seriozisht themelet e demokracisë shqiptare, për faktin se gjatë kësaj periudhe drejtimi i vendit ka rënë në duartë e një politikani, që është përfolur vazhdimisht për një karakter problematik në marrëdhënie me njerëzit. Ishte kjo arsyeja që grupi parlamentar i “Rilindjes” socialiste u mbush me kriminelë në mandatin e parë dhe me “kanabist” në mandatin e dytë. Por kjo situatë do të kishte kaluar pa u ndjerë nëse në radhët e opozitës nuk do të kishte patur një lider si Lulzim Basha, i cili, jo vetëm i jep zemrën qytetarit dhe pret të marrë zemrën e tij në këmbim, por dhe që, për të cilin, liria në të vërtetë është një lojë më e madhe se pushteti, pasi siç thotë një filozof, “pushteti ka të bëjë me atë që kontrollon, ndërsa liria ka të bëjë me atë që mund të çlirosh”. Gjatë këtyre 4-5 viteve në krye të Partisë Demokratike, z. Basha, veçanërisht në aktivitete të tilla politike siç janë protesat popullore, është shquar “…për këmbënguljen e shtruar…”, “… planin e përpunuar me kujdes…” dhe “…realizmin mbi romantikën” e prezantimit publik të problemeve, siç thoshte shkrimtari i mirënjohur Stefan Cvajg kur u referohej shembujeve të tillë në politikën e sukseshme. Natyrisht, si drejtues i një partie në opozitë, z. Basha me guximin dhe largpamësinë e treguar nw çdo veprimtari politike, ka synuar që, së pari, t’i shtojë aksionet forcës politike që përfaqëson, pasi siç thotë Tomas Xheferson, vetëm “një njeri i guximshëm është shumicë”. Dhe pse është penguar e paragjykuar jo pak për ta dekurajuar e dëmtuar, çdo herë ka triumfuar, siç do të triumfoj edhe në 27 janar.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

3 COMMENTS

  1. I nderuar Feti.
    Une ju kam njohur dikur kur kemi qene studente bashke per kater vite dhe sinqerisht kam kujtime shume te mira.
    Analiza juaj rrjedh uje nga te gjitha anet.
    Duke mbrojtur Berishen dhe Bashen ju gaboni dhe beheni me penden tuaj nje nga varrmihsit e P.D.
    P.D nuk mund ta marre vehten kurre me ato kriminela sa te kete ne kupole Sala e Luli etj qe kane nga nje varg krime te neveritshme si vjedhje,vrasje,korrupsion,shkaterrimin e administrates shtetrore etj.
    P.D eshte ne nje shkatrrim te pakthyeshem dhe fundi i saj eshte ai Solidarnostit te Waleses sepse nuk eshte e zonja te promovoje nje klase te re drejtuese qe te bejne nje pastrim radical as te pjeshshem te elementeve te korruptuar e super te konsumuar
    Te uroj gjithe te mirat.
    Ndoshta do te shihemi ne Tirane per nje caffe megjithse trekendshin me duket e kane prishur ku dikur merrnim ndonje birre se bashku me ato dy para qe kishim

  2. Ne fakt PD i nderuar Feti nuk ka me misjon….sepse ajo eshte kapur nga krimi,korrupsioni,dhe degradimi moral….Ne kete korsi po udheton edhe PS ne pushtet….Morali…..mungon,dhe pikerisht nga qe mungon nuk ka me as klase politike….por nje grusht horrash…..Kjo eshte deshperuese….tragjike… Dhe akoma me uleritese eshte:Nje vend si Shqiperia,pa asnje shprese…..

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here