Keni kursime në dollarë?

0

Monedha e gjelbër ka humbur sërish pikë dje në tregun e brendshëm valutor, duke u luhatur pranë nivelit më të ulët në katër vitet e fundit. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një dollar u këmbye me 107.67 lekë, me një rënie prej 0.61 lekë në krahasim me ditën e mëparshme, duke vijuar nënçmimin e nisur prej disa ditësh radhazi.

Dollari i është larguar niveleve të larta prej 130 lekëve që arriti në fillim të vitit 2016. E dobët po vijon të mbetet dhe euro, e cila pavarësisht rritjes së dobët të ditës së djeshme, me 0.03 lekë, këmbehet në kuotën e 133.6 lekëve. Teksa dollari po bie me shpejtësi, kjo është pozitive për të gjithë ata që duan të bëjnë blerje online, pasi për të njëjtën sasi dollarësh duhen më pak lekë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur ai këmbehej me 128 lekë.

Të goditur janë të gjithë ata që eksportojnë në dollarë, kryesisht në SHBA, por që zë një peshë shumë të vogël në totalin e shkëmbimeve tregtare, ku mbizotëron euro. Ata që paguhen në dollarë marrin gjithashtu më pak të ardhura, kur i konvertojnë në lekë.

Lini nje pergjigje