Gjithshka në shitje, vijon orteku i largimeve të investitorëve të huaj

0

Mak Albania, pjesë e grupit kuvajtian Al Karafi, një ndër investitorët më të hershëm në Shqipëri, që prej vitit 1994, me fokus në hoteleri e turizëm, ka shitur gradualisht të gjitha pronat e tij në Shqipëri. Pas hotel Butrintit në Sarandë dhe resortit të Mali i Robit, dy shitjet e fundit janë Mak Tirana (ish-Hotel Sheraton) dhe kompleksi i Linzës. Mak Tirana është në negociata për shitje te grupi Kastati me 30 milionë euro. Sipas burimeve nga grupi, hoteli e kishte vlerën rreth 55 milionë euro, por ashtu si në rastet e tjera Mak Albania e ka shitur nën vlerën kontabël.

Burime nga blerësi thanë se janë në negociata sërish me grupin ndërkombëtar të Marriott, për të marrë një markë tjetër. Marriott International, Inc. është një kompani shumëkombëshe në sektorin e hotelerisë me rreth 30-brande, ku ndër më të njohurat janë Ritz, Sheraton, Element, Editions, Bvlgari etj. Kompania menaxhon më shumë se 6,000 hotele kryesisht të standardit me pesë yje ne 122 vende dhe ka raportuar të ardhura rreth 17 miliardë dollarë në vitin fiskal 2016. Zyrat qendrore të kompanisë janë Ëashington DC. Marriott mësohet se ia hoqi këtë të drejtë hotelit në Tiranë, për mosplotësim të standardeve. Marriott.

Marka Sheraton u largua nga Shqipëria vetëm pak ditë para mbylljes së vitit 2017. Në atë kohë operatorët turistikë reaguan se kjo mund të ishte dhurata më e keqe që i bëhet turzimit për Vitin e Ri. Largimi i markës prestigjioze ndodhi si për ironi në të njëjtën kohë kur qeveria sapo kishte kaluar paketën për nxitjen e investimeve në fushën e hotelerisë nga marka të njohura ndërkombëtare. Pas largimit të Sheraton, hoteli është shndërruar në MAKTIRANA Hotel and Toëer. Në 2016-n, të ardhurat e Sheraton ishin 4 milionë euro, me një rënie me bazë vjetore prej 13.5%, si rrjedhojë e rritjes së konkurrencës së hoteleve në kryeqytet, pas hapjes së Plaza.

Një tjetër pasuri e Mak Albania e shitur së fundmi është kompleksi i Linzës, që është blerë nga grupi Duraku (Shyqyri Duraku). Vlera e transaksionit nuk bëhet e ditur. Linza prej disa kohësh ishte jashtë funksioni dhe pajisjet e saj ishin shitur. Më herët, në dhjetor 2016-s, Shyqyri Duraku kishte blerë Alfa Butrinti (hotel Butrinti në Sarandë),  për një vlerë prej 820 mijë eurosh, në një kohë që vlera fillestare e investimit kishte qenë mbi 7 milionë euro, siç bëhet e ditur në shpjegimin në bilanc.

Në vitin 2014, grupi ka shitur edhe Hotel Resort që kishte në Golem tek Mali i Robit, për 1.8 milionë euro. Edhe nga kjo shitje grupi rezultoi me një humbje prej 2.5 milionë eurosh nga vlera kontabël. Aktiviteti u ble nga grupi Hysenbelliu, që e ka shndërruar atë tashmë në një resort luksoz.

Mak Albania ka rezultuar me një aktivitet të përkeqësuar financiar vitet e fundit. Humbjet e akumuluara në kapital në vite, përfshirë edhe 2016-n, arritën në total në gati 11 miliardë lekë, apo rreth 81 milionë euro. Kompania rezulton se në vite ka shitur gradualisht pronat e saj, me vlerë shumë më të ulët se ajo kontabël apo ajo e investimit fillestar, çka i ka shtuar humbjet.

Risku

Në fakt, ka një arsye të fuqishme pse largohet një investitor, që për shumë vite me radhë investoi në këtë vend. Shqipëria cilësohet si një vend me rrezik të lartë për biznesin. Në këtë përfundim arrin një raport i fundit i kompanisë franceze të sigurimit të tregtisë, “Coface” dhe që merret ekskluzivisht me sigurimin e kompanive të tjera ndaj rreziqeve të falimentit. Ky raport i jep Shqipërisë notën C, sa i përket rrezikut të falimentit, ç`ka përkthehet në rrezik të lartë, gjë që ilustrohet në hartë me ngjyrën portokalli. Në Europë, veç Shqipërisë, vetëm Bosnje Hercegovina, Ukraina dhe Bjellorusia kanë një rrezik kaq ta lartë, ndërkohë që Kosova ka rrezikun në shumë të lartë, një shkallë nën nivelin ekstrem.

Raporti merr ne analizë edhe ekonominë shqiptare, duke i kushtuar një profil të caktuar. “Rritja do të vazhdojë të jetë e lartë përgjatë 2018-ës, duke përfituar nga vijimi i investimeve të huaja në infrastrukturë, kryesisht në energji, me “Tap” dhe “Moglicën”, thuhet në raport, ku projektohet edhe një rritje e ekonomisë shqiptare me 3.9% këtë vit.

Më tej, thuhet se, investimet e brendshme do të jenë të dobëta, si pasojë e konsolidimit fiskal që pritet të rinisë këtë vit, por edhe si pasojë e kujdesit të bankave. Remitancat, thuhet më tej, mund të rriten, në linjë me ecurinë e ekonomisë italiane, thuhet më tej në raport.

Një paragraf i veçantë i rezervohet reformave, që priten të vijojnë këtë vit, pas vitit elektoral. “Shumë mbetet për t`u bërë, për të përmirësuar eficencën e administratës, për t`i bërë agjencitë lokale më të përgjegjshme, për të luftuar korrupsionin, krimin e organizuar, si dhe trafikun mes Shqipërisë dhe Italisë”, mbyllet raporti për vendin tonë.

Ndërkombëtarët

Ndërkohë, edhe Banka Botërore kritikon menaxhimin e investimeve publike nga ana e qeverisë. “Menaxhimi i borxhit është një fushë me performancë të fortë. Në kontrast, menaxhimi i investimeve publike mbetet një sfidë”, thuhet në raportin e BB. Në raportin e posaçëm ku skanon shpenzimet buxhetore dhe menaxhimin e financave publike në Shqipëri, banka shpjegon dhe arsyet se pse menaxhimi i investimeve është problematik. “Të dhënat jo komplete, sistemet e dobëta të mbikëqyrjes të shoqëruara me ndërhyrjet politike cenojnë efektivitetin dhe efiçencën e vendimeve për menaxhimin e investimeve publike”, thuhet më tej.

Shqipëria investon mesatarisht 600 milionë euro në vit në projekte publike si rrugë, shkolla apo vepra të tjera. Por veçanërisht veprat madhore, zgjaten me disa vite përtej afateve, siç është rasti i rrugës Elbasan-Tiranë por edhe by pass-et e Fierit dhe Vlorës. Zgjatja e afateve përveçse rrit koston për qytetarët dhe ul efektivitetin e tyre ka dhe kosto sociale. “Dobësitë në menaxhimin e investimeve publike, reduktojnë rolin e tyre në mbështetjen e objektivave të qeverisë për zhvillimin ekonomik dhe social”, vijon raporti. Sipas Bankës, këto probleme kërkojnë vëmendje të shtuar, duke përfshirë mungesën e vlerësimeve gjithëpërfshirëse për projektet publike, si dhe mbikëqyrjen e tyre.

Lini nje pergjigje